MC Networking

“Skaneri” i DASH për qeverinë/ Skëndaj: Të krijohen mekanizma digjitalë të denoncimit anonim të korrupsionit

Erinda Skëndaj, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se raporti i fundit i DASH thotë që korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet e ekzekutivit. Ajo shtoi se premisat për ndërhyrje potenciale për të ndikuar në pavarësinë e sistemit gjyqësor janë ekzistente. Ndër të tjera Skëndaj sugjeroi që organi i akuzës të krijojë mekanizma digjitalë të denoncimit anonim, duke marrë parasysh faktin që ka pak denoncime nga nëpunës të administratës, që mund të ndihen të frikësuar apo viktimizuar.

"Që nga fjalia e parë në hapje të këtij raporti, që përmbledh panoramën e përgjithshme, apo konkluzionet e përgjithshme, nuk është pozitiv fakti që DASH nuk sheh përmirësime të rëndësishme për situatën e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut në vendin tonë. Pjesa e korrupsionit është përsëritje e konkluzioneve edhe në raportin e mëhershëm, ku thuhet se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet e ekzekutivit. Nga ana tjetër, kundrejt kësaj situate besoj që ka përmirësime të ndjeshme fakti që janë përmendur zyrtarë të nivelit të lartë, por edhe zyrtarë të tjerë publik të hetuar dhe ndëshkuar nga institucionet e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

E pyetur a jemi në kushtet e kontrollit politik apo ndikimit politik mbi gjyqësorin, Skëndaj thotë:

Pjesa e pavarësisë së gjyqësorit besoj se është e parë në dy optika. Optika e parë është presioni që ushtrohet nga politikanë të caktuar që kanë procese hetimore apo procese penale, që është pjesa më e dukshme dhe evidente. Fjalët e rënda, intimiduese, dhe fyese që vijnë nga zyrtarë të nivelit të lartë, besoj që shikohen si intimiduese dhe potencial për të ndërhyrë në veprimtarinë e këtyre institucioneve dhe pse ato kanë treguar imunitet dhe kanë treguar me raste konkrete vizionin dhe dëshirën e tyre për të hetuar e gjykuar me pavarësi. Pastaj pjesa e padukshme dhe e lidhur me situatën politike në vend, është që në një vend si Shqipëria përtej reformave që janë marrë demokracia është ende e pakonsoliduar, dhe premisat për ndërhyrje potenciale për të ndikuar në pavarësinë e sistemit gjyqësor janë ekzistente. Komiteti i Helsinikit në mënyrë të veçantë ka evidentuar problematikat e vërejtura në sistemin gjyqësor për raste konkrete, siç ka qenë mbyllja e kopshtit dhe shkollës turke, ku është evidentuar cenimi i të drejtës për proces të rregullt gjyqësor

Një nga shqetësimet kryesore që personalisht ngrita në Këshillin Kombëtar të Integrimit është fakti që raportet e monitorimit që organizatat e shoqërisë civile bëjnë për institucionet e sistemit të drejtësisë shpesh herë minohen apo nënvlerësohen. Ndërkohë që kur raportet citohen nga DASH, Komisioni Europian, Freedem House, ka një vëmendje të shtuar nga institucionet. U kërkova modestisht që komunikimin me organizatat e shoqërisë civile të mos e nënvlerësojnë, të dëgjojnë kritikat e tyre. Evidentova me shqetësim faktin që vet institucionet e drejtësisë evidentojnë që ka një numër shumë të ulët kallëzimesh nga institucionet dhe administrata publike dhe ka një panoramë kontradiktore, nëse themi që perceptimi për korrupsion në qeveri është në nivele shumë të larta dhe numri i kallëzimeve nga nëpunësit e administratës është shumë i ulët, atëherë do duhet të marrim disa masa, për të krijuar një urë komunikimi të besueshme për ata punonjës të administratës publike që ndihen të frikësuar apo viktimizuar si rrjedhojë e denoncimeve që mund të bëjnë për korrupsion. I kërkova Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme që të krijojnë mekanizma digjitalë të denoncimit anonim, kur ka fakte që mund të shërbejnë si indicie për t’u hetuar. Është shqetësues fakti që ne nuk kemi një kuadër të plotë nënligjor sa i takon procesit të emërimeve dhe promovimeve, pasi është një nga pikat më delikate që po përballet KLGJ dhe KLP, pasi ka pasur edhe emërime të diskutueshme të familjarëve brenda të njëjtës Prokurori”.

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top