MC Networking

Raporti i OSBE/ODIHR, Metaj: Vijon të jetë e pandarë vija e kuqe mes partisë dhe shtetit. Nuk ka reflektim për rekomandimet (VIDEO)

Misioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it publikoi të premten që lamë pas raportin përfundimtar të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Sipas këtij raporti mjedisi politik vazhdon të jetë i karakterizuar nga polarizimi i thellë nëpërmjet kryetarëve të partive të madhe.

Gerta Metaj, drejtore ekzekutive e Shoqatës për Kulturë Demokratike tha në studion e MCN Live se ajo që dhemb në problematikat e identifikuara në raport është se vijon të jetë e pandarë vija e kuqe mes partisë dhe shtetit.

Duke vijuar më tej, Metaj theksoi se është shqetësuese fakti që edhe pas rekomandimeve dhe këshillave të dhëna si nga misioni i vëzhguesve dhe ato lokalë nuk ka reflektim nga aktorët politik.

Vlen të theksohet dhe diskutohet ajo çka ata sjellin dhe nënvizojnë me forcë  duke thënë se zgjedhjet e 14 majit nuk bënë ndonjë dallim nga zgjedhjet e tjera sa i përket problematikës siç është tensioni i madh i politikës, diskursi i fortë i politikës sidomos në fushatë dhe para saj.

Palët ndahen në mënyrë ekstreme dhe kjo ndikon tek qytetarët dhe votuesit, ndërkohë që themi që fushata duhet t’i shërbejë qytetarëve për t’i dhënë kohën e duhur që ata të dëgjojnë qetë programet dhe premtimet elektorale, gjë që ishte një mungesë.

Nuk po dëgjohen premtime konkrete të matshme, dhe programe vizionare. Edhe ne si vëzhgues vendas përveç OSBE-ODIHR bëmë kritikë se ishte shumë e vështirë të kërkoje programin e partive politike.

Ajo që dhemb shumë në raportin e ODIHR është se ajo vija e kuqe mes partisë dhe shtetit është e pandarë ende.

Mazhorancat aktuale e kanë pak për qejf që mos ta bëjnë këtë dallimin dhe mos ta ndajnë në mënyrë eksplicite se kush është partia dhe kush është shteti.

Ka qenë shqetësim i madh jo vetëm në zgjedhjet e 14 majit, por dhe në prill të 2021 ishte ky konstatim jo vetëm nga ODIHR, por edhe nga ne që kemi vëzhguar nga afër, dhe në zgjedhjet e tjera të 6 marsit, edhe në zgjedhjet e pjesshme, vlen të diskutohen se çfarë ndodh me politikën në Shqipëri që sa herë merr këshilla dhe rekomandime, qoftë nga aktorë që janë jo pjesë e politikbërjes në Shqipëri s’ka reflektim.

Ne e kritikuam fort pjesën e aktivizimin, patronazhistit dhe shohim që jo vetëm që nuk ka reagim dhe reflektim, por ka dhe krekosje dhe ajo e bën diferencën mes mazhorancës dhe opozitës.

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top