MC Networking

Nesho: Rama i kompromentuar keq me politikat e Vuçiçit, Kurti po shkëlqen

Diplomati Agim Nesho duke folur në MCN Live i konsideroi si të gabuara qëndrimet e Ramës në raport me Kosovën, duke theksuar se me të gjitha lëvizjet e tij kryeministri është kompromentuar shumë keq nga politikat e mëparshme që ka bërë më herët në bashkëpunim me Vuçiçin. Nesho vuri në dukje se Albin Kurti është e ardhmja, një politikan që po shkëlqen me politikat e tij pa kompromis ndaj Vuçiçit, ndërsa Rama është e shkuara, pasi politikat e tij janë aventurizma të dështuara. 

Duke folur mbi rolin e faktorit ndërkombëtar Nesho thotë:

Faktori ndërkombëtar është shumë i shqetësuar, pasi dihet që politikat nacionaliste të Serbisë gjithmonë kërkojnë të provokojnë. Si Serbia ashtu edhe Rusia të dyja vendet kanë një politikë revizioniste, të dyja luftojnë për hapësirat si serbe ashtu edhe ruse, për të ribërë federatat që u shpërbënë gjatë viteve 90’. Rusia kërkon të hapë një vatër të re konflikti në Ballkan, ku Rusia ka impaktin e saj si në kulturë, fe, etj. Çdo njeri në Shqipëri, edhe me gjakftohtësi e shikojnë që kryeministri i Shqipërisë nuk po vepron siç duhet. Shprehja e gazetarit  të FAZ që 'Serbia s’ka pasur një kryeministër më të mirë se Rama që nga koha e Pashiqit', që ka qenë një nga forcat më regresive që ka dashur të shtrijë territore dhe të sundojë në Ballkan, është një lajm i keq për Shqipërinë dhe një fakt që s'ka nevojë për komente të mëtejshme. Deri tani kemi parë një Edi Rama që gjithë veprimet e tij diplomatike i kishte bazuar në aksin nga Beogradi deri në Ankara. Ky ishte potenciali i tij i brendshëm, që kërkon me të gjitha mënyrat të bjerë në sy. Ai i ka këto mundësi, sepse ai e ka personalizuar politikën shqiptare, dhe po rrezikon jo vetëm çështjen kombëtare, por edhe perspektivën që duhet të ketë Shqipëria që po lufton për të qenë pjesë e BE. Jo vetëm që Rama që gaboi rëndë, por është diçka edhe më thellë.

Mendoj që komuniteti ndërkombëtar ka gabuar duke marrë parasysh ato projekte që Shoqëria e Hapur, Soros, kanë dashur që të bëjnë në Ballkan.  Projektet e tyre kanë qenë që  t’i japin diçka Serbisë, ta ulin në një marrëveshje që mund të jetë me shqiptarët. Ideja e aleancës së madhe Vuçiç-Rama ishte që të anashkalohej Kosova dhe të mos njihej pavarësia e saj, por Vuçiç justifikonte veten që s'ishte nacionalist i ri, por nacionalist që respektonte shqiptarët, por s'mund të pranonte që kosovarët të ishin pjesë e marrëveshjes. Ky projekt që për disa vite me radhë ka pasur edhe përkrahje nga segmente të caktuara të DASH, individë të caktuar, por edhe të organizatave, shtyhej edhe nga forca të tjera ruse në hije, për të realizuar një projekt ku Rusia do kthehej në fuqi botërore në marrëveshjet e ardhshme për Ballkanin. Rama jo vetëm gaboi, por e vuri Shqipërinë në një pozicion teje të vështirë, ku një pjesë e Kosovës mund të sakrifikohej,  të rrezikonim edhe integritetin tonë, ku pjesa më e rëndësishme e Veriut të Kosovës, kam parasysh si minierën e Trepçës dhe rezervat e Ujmanit do ishin në shfrytëzimin e serbëve. Kosova do bëhej një shtet inekzistent. 

Perëndimi duhet të kishte vepruar që në fillim, por ka pasur një politikë preferenciale ndaj Beogradit. Kërkonin t’i jepnin një karotë që Serbia të vinte drejt Perëndimit, por ajo është kundër vlerave dhe principeve perëndimore. Serbia është satelit i politikave ruse, nacionalizmi rus përcakton nacionalizmin serb. Kjo duhet të jetë kambana e alarmin që Perëndimi duhet të shohë që s’ka rrugë tjetër. Është një Serbi që kërkonte të qëndronte në 2-3 karrige të ndryshme, por vë në pikëpyetje arkitekturën e mbrojtjes së Europës. Serbia ka thënë që plani i një jave më parë s’ishte vetëm një plan i një sulmi terrorist, por ishte një plan i detajuar i pushtimit të Veriut. Të krijonin një kanal të komunikimit me armë me Serbisë dhe të bënin që 'de facto' konflikti i ngrirë të merrte formë dhe të bënte një problem, që fuqitë e tjera të botës do të futeshin ta zgjidhnin atë. Perëndimi është i vonuar. Kosova është shtet euroatlantik dhe është vendi më pro-perëndimor”.

Lidhur me politikat e Kurtit dhe Ramës, ai shprehet:

Drafti i paraqitur nga Kurti dhe Parlamenti i Kosovës është një draft i drejtë. Tregon që të gjitha partitë politike janë të unifikuar ndaj një sulmi të tillë dhe është e papranueshme politika revizioniste që po ushtron Serbia ndaj Kosovës. S’janë njësoj iniciativat që bën Kurti, që kërkon jo vetëm të sensibilizojë dhe të bashkojë opinionin publik, por kërkon që të gjitha hapësirat shqiptare në Ballkan, që s’janë pak, kemi shtrirje në 4 vende, duhet që të gjitha të bashkohen për të treguar që elementi shqiptar është tepër i unifikuar. Ajo që bën z.Rama dhe paraqitjen e letrave të tij si projekte të rëndësishme për Asociacionin,  janë aventurizmat e një politikani që i është mbushur mendja që është një lider global i pazëvendësueshëm që mund të bëjë veprime të tilla pa pyetur lidershipin e Kosovës. Të gjitha këto kanë të bëjnë me protagonizmin e thellë të një personazhi në shumë raste dramatik, në shumë raste qesharak, që kërkon të personalizojë rolin e tij kur ka kapur politikën e Shqipërisë. Nuk janë njësoj. Z. Rama i bën të gjitha këto lëvizje sepse është kompromentuar shumë keq me politikat e mëpërparshme të Vuçiçit, ka qenë kokë e këmbë me politikat për ndryshimin e kufijve, vazhdoi me Ballkanin e Hapur, që është rikthimi i dominancës serbe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Ka një diferencë të jashtëzakonshme mes të dyve. Albin Kurti  po shkëlqen në një politikë të pakompromis ndaj Vuçiçit. Kurti nuk mund të krahasohet me Ramën, Rama e shkuara, Kurti është e ardhmja sepse solli shumë besim me politikën e tij, Rama plotësisht dështoi”.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top