MC Networking

Rritja në politikë e Tom Doshit

Edhe pse një simpatizant i Partisë Demokratike në rininë e tij, hyrjen në politikë Tom Doshi e pati nën logon e partisë së majtë. Në vitin 2005 ai i premton kreut të Partisë Socialiste në atë kohë, Fatos Nanos, marrjen e një mandati në fortesën e Shkodrës, ku që prej rënies së komunizmit, PS nuk arrinte të nxirrte asnjë deputet. Sistemi ishte mazhoritar ku kandidatët garonin përballë njëri-tjetrit. Tom Doshi e mban fjalën dhe për herë të parë në Shkodër socialistët marrin 2 mandate, Tom Doshi dhe Paulin Stërkaj bëhen deputetë të PS-së.

Afërsia me banorët në këtë krahinë, ndikimi në biznes dhe ndihmën që i ka dhënë familjeve në nevojë, i rritën pikët politike në zonat e Shkodrës.

Tom Doshi nuk vinte në parti me duar në xhepa, por me vota në një qark deri diku të pamundur për socialistët, e pavarësisht kësaj marrëdhëniet e tij ndër vite me Edi Ramën nuk kanë qënë vaj. Edhe pse në vitin 2007 ishte një nga negociatorët sëbashku me Dritan Priftin bënë të mundur koalicionin Rama-Meta në zgjedhjet vendore, apo kur e majta PS dhe LSI morrën më shumë deputetë se Partia Demokratike në 2013-n, ai nisi të ketë përplasjet e para me ministria e drejtorë të Partisë Socialiste. Një operacion antikanabis i zhvilluar nga policia në Dukagjin nuk u prit mirë nga të gjithë. Tom Doshi shfrytëzon një seancë në Komisionin e Ligjeve për të ngritur shqetësimet për emërimet në radhët e policisë.

Drejtori i Policisë së Shkodrës largohet nga detyra, por ankohet se ishte kërcënuar me jetë nga deputetë të qarkut.

Në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2015 kur koalicioni Rama – Meta po përgatiste listat e kandidatëve pa e konsultuar për qarkun e Shkodrës, Doshi deklaron se ishte prishur me Ramën dhe se mes tyre nuk do të kishte më paqe. Sulmon ministrat dhe disa drejtorë të rëndësishëm.

Rama e përjashton nga Partia Socialiste.

Unë kam bindjen sot se në duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e Partinë Socialiste. Me akuzat e tij deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cënuar rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie”, do të shprehej në ato vite kryeministri Edi Rama.

Akuzat e Doshit rëndohen. Tashmë ai flet për një komplot që Ilir Meta kishte tentuar t’i bënte atij duke porositur një vrasës me pagesë. Tensionet politike rriten, por ai nuk mori mbështetjen e Kryeministrit. Madje pas nisjes së hetimeve nga prokuroria e krimeve të rënda për akuzën e dëshimisë së rreme ndaj Doshit dhe deputetit të Pukës Mark Frroku, socialistët miratojnë kërkesën për heqjen e imunitetit të tyre.

Arresti i tij zgjat pak dhe Gjykata e Lartë e liron duke i caktuar masën e arrestit të shtëpisë.

“Në vitin 2015 bëri një denoncim publik duke pretenduar se ndaj tij ishte organizuar nëj atentat i cili mbeti në tentativë dhe akuzonte z. Ilir Meta dhe ai publikoi një video të një prej personazheve të njohur të botës së krimit, Durim Bami. Policia dhe Prokuroria nisën një hetim mbi bazën e deklarimeve që bëri z.Doshi në media dhe Gjykata e Lartë i caktoi masën arrest shtëpie. Ai u gjykua më pas dhe u shpall i pafajshëm”, thotë gazetarja Klodiana Lala.

Çështja gjykohet dhe Doshi merr pafajësi për akuzën e dëshmisë së rreme. Të njëjtin fat pati dhe një hetim që hapi prokuroria pas një kallzimi të depozituar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë për fshehjen e 14 milion euro pasuri.

Pas këtyre ngjarjeve Tom Doshi nuk do të tërhiqet nga poilitika. Ai garon me logon e Partisë Socialdemokrate që drejtohej nga Skënder Gjinushi dhe arrin të marrë mandatin e deputetit në qarkun e Shkodrës.  Një vit më vonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallin “non grata” me arsyetimin për përfshirje në korrupsion madhor. Bashkë me të, u ndalohet hyrja në SHBA dhe anëtarëve të familjes së tij, gruas, vazjës dhe dy djemve.

"Departamenti njofton publikisht deputetin shqiptar Tom Doshi sipas nenit 7031 (c) të Ligjit të Përvetësimeve të Konsoliduara të vitit 2017,  për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm. Neni 7031 (c) parasheh që në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme se zyrtarët e huaj janë përfshirë në korrupsion madhor ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këta individë dhe anëtarët e tyre të afërt të familjes nuk kanë të drejtë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, thotë Departamenti Amerikan i Shtetit.

Por ky përcaktim nuk e zmbraps atë nga politika active dhe as nga tentativat për t’u afruar sërish me qeverinë Rama. Në media qarkulluan foto të tij duke dalë nga ndërtesa e Kryeministrisë përpara zgjedhjeve të vitit 2021. Disa mua më parë ai kishte marrë Partinë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit dhe kandidon me lista deputetësh në disa qarqe të vendit.

“Sikurse e dini, SHBA mbeten të angazhuara të luftojnë korrupsionin dhe mbështet këdo që kërkon të ndalojë zyrtarët e korruptuar që veprojnë ilegalisht. Ne do vazhdojmë të tregojmë individët e përfshirë në korrupsion domethënës, sipas Seksionit 7031, në njoftimet vjetore. Ju mund të luani një rol kyç, duke mbajtur individët e korruptuar, jashtë listës së partisë”, tha ambasadorja Amerikanë në Tiranë Yuri Kim.

Pavarësisht këtyre thirrjeve PSD merr pjesë dhe arrin të nxjerrë 3 deputetë: 2 mandate në Shkodër dhe 1 në Tiranë. Një ditë pas zgjedhjeve, për t’i hapur rrugë koalicionit me Partinë Socialiste, Tom Doshi refuzon marrjen e mandatit të deputetit, por mban kryesimin e partisë. Në kuvend partia e tij përfaqësohet nga deputetët Meri Markiçi, Gledis Çeliku dhe Gertjan Deda.

“Ka bërë ndere në ato zona dhe këto parti kanë shumë fuqi ku ka varfëri dhe shteti është i pafuqishëm. Dhe këto parti në këto zona votohen sepse shteti nuk është prezent, ata nuk kanë votuar për ideologji, por për personin”, thotë analisti Neritan Sejamini.

Në të gjithë Shqipërinë Partia Socialdemokrate mori 35.475 vita. Në zgjedhjet vendore 2023 votat për partinë e Tom Doshit u rritën 2.5 herë: 86.198, sa 6.2% e totalit të votave të hedhura në rang kombëtar.

PSD ka arritur të ketë numër të përafërt votuesish me PArtinë Demokratike zyrtare, e cila mori 103.666 vota dhe ka numër të afërt mandatesh në Këshillat Bashkiakë, 118 kundrejt 121 që ka PD. Partia e tij është votuar në mbi 90% të territorit.

“PSD nuk e shoh surprizë por janë modelet e atyre partive që lindin nga grupet e interest dhe potencës që ato posedojnë, përfshi dhe asetet individuale të drejtuesve të saj, sikurse dhe ai që mund të kosniderohet klientelizmi elektroal që kjo parti e ka manifestuar që nga kalimi nga një udhëheqës te një tjetër.” thotë Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të gazetarëve.

Në bashkinë e Shkodrës, bastion i demokratëve, Partia Socialidemokrate ka marrë 12 mandate në Këshill Bashkiak, 1 më shumë se koalicioni Bashkë Fitojmë. PSD ka marrë më shumë vota se Partia Socialiste në Pukë dhe ka shumicën e vendeve në Këshillin Bashkiak. Në Malësi të Madhe ka marrë 8 mandate në Këshill, 2 më shumë se socialistët dhe 5 më shumë se demokratët. Edhë në bashkinë e vaut të Dejës dhe në Fushë Arrëz është votuar më shumë se të gjithë forcat politike.

PSD kalon koalicionin Bashkë Fitojmë në Mat, Mirditë, Selenicë, Përmet dhe Prrenjas dhe është factor në përcaktimin e shumicës në disa Këshilla Bashkiakë të fituar nga PArtia Socialiste.

“Unë kam qënë kundër përcaktimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shpalljen Non grata, sepse duhet bërë për të gjithë, dhe ministrat që janë në pushtet, të mos jetë selektive.” thotë analisti Neritan Sejamini.

Por Aleksandër Çipa nga Unioni i Gazetarëve thotë se “Diferenca mes tipologjive të non gratave e bëjnë palët e brendshme. Vendi që i ka shpallur vendimet si për Berishën apo Doshin nuk bën diferencë dhe koha do e tregojë.”

Ambasada Amerikane ende nuk ka komentuar zhvillimet e fundit në zgjedhjet vendore të vitit 2023, ku jo vetëm Doshi, por dhe Sali Berisha, të përcaktuar “non grata”, arritën të marrin qindra mijra vota.

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top