MC Networking

Edhe pse nën hetim, “Kastrati” vijon zaptimin e tokës së ushtrisë. Ekspertët: Duhej ruajtur nga Policia Ushtarake

Gjatë kohës që kallëzimi i Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë nën hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, prona 52 mijë m2 numër 219 e Forcës Detare ka vijuar të cenohet nga koncesionari i portit tregtar Porti MBM.

Sipas pamjeve të siguruara nga Google Earth tregohet se si muaj pas muaji, kodra që ishte pjesë e tokës së ushtrisë, ish-Depo e Minave Detare në Porto Romano Durrës, është rrafshuar duke përfunduar në funksion të plotë të koncesionarit.

Një pjesë e saj po shfrytëzohet për përpunimin e kromit, dhe në disa zona të tjera është hedhur asfalt për të shërbyer si parkim për kamionët që kryejnë aktivitet tregtar pranë portit.

Për hulumtuesin e çështjeve të sigurisë i cili ka shërbyer dikur si pjesë e Flotës Detare, Alban Dafa, zgjerimi i aktivitetit tregtar të portit privat në Porto Romano ka qënë jetik, pasi për përpunimin e lëndëve hidrokarbure hapësira nuk ishte e përshtatshme dhe e vështirë nga ana teknike.

Duke shtuar pjesën e ngarkimit dhe shkarkimit të mallrave në kontratën koncesionare të portit, jo vetëm për hidrokarburet, është nevojitur më tepër hapësirë për ta kryer këtë funksion, pasi në kushtet ku ishte, aty ishte një kodër, nuk kishte hapësirë të mjaftueshme.

Ai sqaron se ky ka qënë dhe shkaku përse ndryshoi objekti i koncesionit të kompanisë Porti MBM nga port për lëndët hidrokarbure, në port për mallra tregtare.

"Në vitin 2020 është bërë një ndryshim në strukturën e argjinaturës së portit për t’u hapur në mënyrë që të lejojë hyrjen e anijeve të mallrave për t’u shkarkuar”, thotë Alban Dafa.

Vijimin e punimeve nga ana e koncesionarit ekspertët e shohin si një dështim të shtetit, por dhe hetimeve jo të plota të prokurorisë, e cila gjatë hetimit të nisur pas kallzimeve të Forcës Detare, duhet të kishte vendosur pronën nën sekuestro.

“Është pronë e ushtrisë dhe duhet mbrojtur, është apo jo pjesë e Planit të Përhapjes. Nuk ankimojnë vendimin e prokurorisë dhe thonë unë e bëra timen, e bëra kallzimin dhe thërrasin: Drejtësia, drejtësia!” thotë gazetari Arsen Rusta.

Emisioni Kronos iu drejtua zyrtarisht me një kërkesë për informacion Prokurorisë së Durrësit, e cila konfirmoi vetëm 2 prej këtyre kallzimeve: atë të gushtit të vitit 2020 dhe nëntor të vitit 2022, por jo kallzimin e muajit shkurt 2022.

"Mbi referimin e muajit gusht 2020 është regjistruar procedime penal nr.1755, vendimin e të cilit e gjeni bashkëlidhur. Mbi referimin e muajit shkurt 2022 nuk rezultojnë të dhëna në regjistrin e njoftim/kallëzimeve. Mbi referimin e muajit nëntor 2022 rezulton të jetë regjistruar materiali hetimor nr.3915 datë 21.11.2022, i cili është në hetim. Në përfundim të veprimeve hetimore, me qëllim mos dëmtimin e tyre për shkak të sekretit hetimor, do të behët njoftimi i palëve në proces të cilët kanë të drejtë të njihen me materialet e procedimit penal, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Durrësit.

“Nuk ka arsye të bësh kallzim pas kallzimi kur ke një vendim të prokurorisë që mund ta ankimosh. Në raste të ndryshme kemi parë ministrat, kryeministrin por dhe aktorë të opozitës që atakojnë me emër gjyqtarët dhe prokurorët për raste të tjera, po në këtë rast përse nuk ka folur askush?”, thotë gazetari Arsen Rusta.

Pushtimi i tokave të ushtrisë është nga kompani private dëmton rëndë imazhin e një vendi antar të NATO-s. Për ekspertët edhe dhënia e tyre me koncesion apo shfrytëzim për nevoja tregtare, edhe në rastet kur ndiqet procedura ligjore, cënon sigurinë operacionale të Forcave të Armatosura dhe mund të lejohet vetëm për qëllime që lidhen me aktivitet ushtarak.

“Udhëheqja politike mendon se ne duke qenë anëtarë të NATO-s nuk kemi nevojë për ushtrinë, nuk kemi nevojë për të zgjeruar kapacitetet e Forcave të Armatosura, madje në dobi të tyre do të ishte që ushtria të ishte sa më e vogël dhe e pafuqishme, dhe ia kanë arritur fatkeqësisht”, shprehet eksperti Dafa.

Prona ushtarake numër 219 është pjesë e inventarit të Flotës Detare dhe nëse nxirret në shitje me procedurën e ankandit vlerësohet të nisë me një vlerë 5 milion euro, para të cilat duhet të transferohen më pas në buxhetin e shtetit.

 

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top
Edhe pse nën hetim, “Kastrati” vijon zaptimin e tokës së ushtrisë. Ekspertët: Duhej ruajtur nga Policia Ushtarake | MCN TV

Error

The website encountered an unexpected error. Please try again later.