MC Networking

Kalemaj: Presim tym të bardhë nga Ohri. Mos regjistrimi i PD-së së Berishës, i pritshëm (VIDEO)

Politologu Ilir Kalemaj, për takimin e sotëm në Ohër mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç, përmendi një intervistë të Gabriel Escobar, i dërguari i Uashingtonin për Ballkanin Perëndimor, i cili pyetjes nëse do ketë nënshkrim të marrëveshjes, iu përgjigj duke thënë se SHBA janë të interesuar më shumë se për nënshkrim formal, por implementim dhe normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Kalemaj shtoi se një marrëveshje do të çojë në njohjen reciproke të vendeve për të cilat SHBA janë të interesuara dhe investuara.

Nga studio e lajmeve të MCN Tv, ai tha se shpresohet që të ketë tym të bardhë mes dy palëve.

Biem dakord për çështjet e patateve të nxehta, për çështjen e asociacionit po Escobar u përgjigj që do jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e gjykatës.

Kompetencat mbeten objekt diskutimi mes palëve dhe natyrisht duhet të dalë me planin e saj qeveria e Kosovës.

Tërheqja e objeksionit të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare është çështje me rëndësi si dhe ndërprerja e menjëhershme e çdo fushate që ka bërë Serbia për çnjohjen e Kosovës, gjë e cila do i hapte perspektivën euroatlantike, duke filluar me liberalizimin e vizave, çeljen e statusit të vendit kandidat dhe më tej anëtarësimin në NATO.

Sa i takon vendimit të marrë ditën e sotme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të mos pranuar logon e Partisë Demokratike në koalicionin “Bashkë fitojmë”, Kalemaj tha se zhvillimi në KQZ, nuk ka asnjë befasi dhe pritej të ndodhte pas vendimit të KAS për të regjistruar PD-në e vulës dhe kryetarin e komanduar Enkelejd Alibeaj.

Duke qenë se u regjistrua PD e Alibeaj, nuk mund të regjistrohej PD tjetër me kryetar në detyrë Sali Berishën.

Ishte një zhvillim i pritshëm se para disa ditësh, kanë regjistruar edhe një koalicion tjetër me parti jashtëparlamentare, me emrat e tre deputetëve të PD, të rëndësishëm do të thoja.

Mendoj se do kemi dy lista këshilltarësh të PD. Mendoj se do jenë kandiadatët e primareve kryesorë.

Me këto dy lista Rithemelimi mendohet se do fitojë terren elektoral se sa do përkthehet në numër mandatesh, kjo mbetet për tu parë.

Në numër mandatesh do jetë shumë i vogël, për shkak të shumë kandidatëve.

Vetëm në Tiranë tani numërojmë 3-4 kandidatë për Bashkinë Tiranë, por mund të shkojnë dhe në pesë.

Lidhur me një  prononcim të Silva Cakës së Partisë së Lirisë e cila shpalli si objektiv të koalicionit fitoren e të paktën 31 bashkive, Kalemaj deklaroi se ky është objektivi nëse do të kishin dalë sa bashku, por nëse dalin më vete, është tërësisht e vështirë, ose mision i pamundur gati.

Në politikë gjithçka lejohet, por të thuash që do marrim shumicën në 31 bashki të vendit, është iluzive në situatën ku ndodhemi, jo vetëm për kryebashkiakë, por edhe për Këshillat Bashkiak, që nuk bëhen dot mazhorancë, pikërisht për shkak të përçarjes.

Për thirrjet e ditëve të fundit në SPAK, të disa ish-kryebashkiakëve socialistë dhe nëse këto veprime do të ndikojnë në zgjedhje, Kalemaj u shpreh se do të ndikonin nëse do të kishim një front më të unifikuar opozitar.

Në momentin që garojnë me njeri tjetrin, kjo e bën shumë të vështirë faktin. Zgjedhjet për kryetar bashkie janë mazhoritare. Sa më e thërrmuar të jetë opozita, aq më të lehtë e ka mazhoranca.

Nuk di se si mund të vijnë me një koalicion paszgjedhor PD e vulës dhe ajo e Rithemelimit në momentin që jemi, se në vijim gjërat mund të ndryshojnë.

Është shumë e vështirë të shihet dritë në fund të tunelit në këto momente.

Për postimin e një dite më parë të ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila u shpreh e kënaqur me përparimin e vendit duke thënë se qeveria dhe njerëzit meritojnë respekt për ndryshimet e bëra, nëse mesazhet e saj janë mbështetje për qeverinë, Kalemaj tha se rreth ambasadores ka gjithmonë debat dhe palët ndahen pro dhe kundër, ku disa i përmendin priotagonizmin e tepruar, ndërsa pjesa e Rithemelimit në PD, e cilëson si guvernatorë të Shqipërisë.

Por ajo është përfaqësuese e SHBA dhe drejtpërdrejtë e Presidentit amerikan, flet me zërin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Deklaratat e saj janë konfirmuar nga Gabriel Escobar dhe zyrtarë të lartë. SHBA janë të interesuara në stabilitet të Shqipërisë dhe gjithë rajonit.

Përtej emrit nominal, mendoj se interesat mes dy shteteve janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top
Kalemaj: Presim tym të bardhë nga Ohri. Mos regjistrimi i PD-së së Berishës, i pritshëm (VIDEO) | MCN TV

Error

The website encountered an unexpected error. Please try again later.