MC Networking

Si po “vret” Yuri Kim autoritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Yuri Kim me gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Nëse për çdo çështje me ndjeshmëri publike dhe për më tepër me implikime politike ambasadorja amerikane duhet të shkojë për t’iu dhënë gajret a kurajë prokurorëve e gjyqtarëve, kot që pretendojmë të kemi drejtësi dhe për më tepër rezultatet që presim prej saj...

Nga Denis Dyrnjaja

Në mënyrë të vazhdueshme, herë më dendur e herë më rrallë ambasadorja amerikane Yuri Kim po shfaqet në ambientet e gjykatave apo prokurorive në takime me trupat e këtyre institucioneve që janë produkt i reformës në drejtësi.

Në mesazhet e saj znj. Kim përmend në mënyrë të përsëritur mbështetjen e pakursyer të SHBA për trupën gjyqësore që duhet të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Sigurisht që pas çdo takimi të saj organizatorët e takimeve bëjnë gjithnjë kujdes për një set fotosh ku ambasadorja shfaqet mes gjykatësish apo prokurorësh. Ky zakonisht komentohet si një mesazh inkurajues për ta dhe një mesazh dekurajues për ata që pretendohet se do duhet të përballen me drejtësinë.

Zakonisht takime të tilla nuk ndodhin rastësisht. Ato përgatiten me kujdes për të qenë si një dedikim i nënkuptuar se njerëzit e drejtësisë në këtë vend nuk janë vetëm dhe se nuk duhet të stepen nga politikanë e pushtetarë në punën e tyre për të vënë para ligjit çdo shkelës.

Pra ky është pak a shumë mesazhi i nënkoduar i ambasadores, i artikuluar edhe gojarisht se mbi ligjin nuk është askush. Por çështja është se kjo prezencë e saj dhe këto mesazhe, mund të përkthehen edhe ndryshe.

P.sh., si një ndjekës i aktualitetit sa herë shoh takime të tilla dhe këtë foton e duarve të shtrënguara apo të ambasadores në mes të një grupi prokurorësh ose gjykatësish, ata më duken jo më të fortë në kontekstin e statusit që kanë, por më të dobët madje të pafuqishëm.

Angazhimi për të dhënë e bërë drejtësi nuk bëhet me paterica, por me forcën e karakterit vetjak dhe personalitetit profesional të gjithsekujt. Nëse për çdo çështje me ndjeshmëri publike dhe për më tepër me implikime politike ambasadorja amerikane duhet të shkojë për t’iu dhënë gajret a kurajë prokurorëve e gjyqtarëve, kot që pretendojmë të kemi drejtësi dhe për më tepër rezultatet që presim prej saj.

Është e pakuptimtë të marrin injeksione diplomatike ata njerëz që forcën duhet ta gjejnë të ligji dhe integriteti i tyre, jo te një nëpunëse diplomatike. Shqipëria vend i NATO-s me aspirata për t’u anëtarësuar në BE ka një trupë gjyqësore që e merr për dore një ambasadore.

Mendoni për një çast p.sh., në Italinë fqinje, ku është shtëpia ku ka lindur mafia, të bëhet lajm e të shkojë te takojë ambasadori amerikan gjykatësit e prokurorët për t’i dhënë kurajë për punën dhe misionin që kanë si detyrim ligjor e kushtetues dhe në fund edhe administrativ e njerëzor se paguhen për atë që kanë marrë përsipër, që ta kryejnë pa frikë dhe hezitim.

Kujtoj se në Itali janë vrarë prokurorë e gjykatës në përballje me mafien, por kjo nuk e ka stepur apo dobësuar por e ka forcuar drejtësinë atje.

Ndërsa kjo që ndodh në Shqipëri është jashtë çdo logjike funksionale. Pra paraqitja e vazhdueshme e ambasadores amerikane në krah të njerëzve të drejtësisë tregon se ata nuk kanë këllqe dhe krijon efektin e kundërt, jo të forcës, por të dobësisë se tyre.

Ata duhet dhe e marrin forcën nga ligji, jo nga shtete të tjerë apo diplomatët e tyre. Autoriteti krijohet përmes aktesh dhe vendimesh kurajoze me bindje profesionale, që skalitin më pas edhe reputacionin e nevojshëm institucional.

Ndryshe është e kotë që shpresojmë të kemi drejtësi. Kjo që shohim kronikave të lajmeve dhe faqeve të portaleve si kartolinë e ambasadores amerikane në takime me gjyqtarë e para prokurorë nuk është forcë për ta por dobësi.

Dhe sigurisht të tilla çudira ndodhin vetëm në Shqipëri.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top
Si po “vret” Yuri Kim autoritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve | MCN TV

Error

The website encountered an unexpected error. Please try again later.