Investitorët Shefqet Kastrati dhe Artan Dulaku kanë hedhur hapin e radhës përballë drejtësisë, duke kërkuar në Gjykatën Kushtetuese heqjen e sekuestros preventive për bazën e Limionit në Sarandë, të vendosur nga SPAK dhe tre Gjykata.
Ish-zv. komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari e sheh këtë veprim si një plan të dy biznesmenëve, për të vijuar punimet dhe për të nisur shitjet në Marina Bay Saranda. Kjo në rast se Gjykata Kushtetuese heq sekuestron, ndërkohë që SPAK s’ka mbyllur ende hetimet.
Heqja e sekuestros preventive do të bëjë një gjë: do të lejojë vazhdimin e aktivitetit, të kryerjes së ndërtimeve me idenë që në momentin që përfundojnë hetimet dhe çështja shkon në gjykatë situatë në terren të jetë në favor të atyre që kanë aktivitetin. Natyrisht ata kërkojnë të bëjnë të gjitha veprimet, të kryejnë investimin, të bëjnë shitjen e vilave ku kanë ndërmend të investojnë.
Por për Meçollarin, nuk ka asnjë shans që Gjykata Kushtetuese të heqë sekuestron për bazën e Limionit, duke iu referuar një vendimi të 2015.
Po nuk ka asnjë shans, asnjë mundësi që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë sekuestron preventive pasi në këtë mënyrë do dilte kundër vendimeve të saj. Gjykata Kushtetuese nuk mund të dalë kundër vetvetes pasi ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, vendimi nr.10 i vitit 2015 i cili përcakton se cili është statusi i pronave në planin e përhapjes dhe vendosjes e cila thotë se janë asete organizative të FA-ve me karakter strategjik.
Ai shton se një tjetër skenar është ezaurimi i të gjitha hallkave të drejtësisë në Shqipëri, që dy investitorët ta çojë çështjen në Arbitrazh, ku të kërkojnë dëmshpërblim nga qeveria me të cilën kanë lidhur kontratën.
Është një hallkë, prandaj thashë është një veprim rutinë. Ajo mund të shkojë dhe në Gjykatë Ndërkombëtare, në Arbitrazh dhe kuptohet që hallka e Gjykatës Kushtetuese është detyruese për të kaluar në një gjykatë tjetër më të lartë ndërkombëtare. Ata mund të kërkojnë dëmshpërblim. Kjo është çështje e qeverisë pasi vendimi 515 i datës 1 korrik 2020 i qeverisë për miratimin e kontratës koncesionare së kompanisë Marina Limion me MIE është në shkelje të nenit 6 për ligjin për koncesionet.
Ky skenar që mund ti kushtojë qeverisë shqiptare miliona euro, detyroi kryeministrin Rama që më 17 mars, në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste të mbajtur në hotelin e një prej investitorëve, Artan dulaku në Gjirin e Lalzit, të sulmonte vendimet e SPAK dhe Gjykatave për Bazën e Limionit.
SPAK vijon hetimet për këtë dosje, ndërsa deri më sot janë thirrur zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë për dhënien me koncesion të bazës detare, nga ish-ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka, ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi si dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku.
0 Comments: