MC Networking

Zaloshnja: Rivlerësimi i pronës i jep rifreskim tregut

Ekspertja e pasurive të paluajtshme Ilda Zaloshnja rikthimin e rivlerësimit dhe 12% ulje të tatim fitimit e sheh si të shumëpritur si nga pronarët e pronave dhe nga operatorët e industrisë së real estate.

Duke folur në emisionin “MCN Economy”, ajo tha se rivlerësimi u jep mundësi shitësve që ta sjellin pronën në vlerën reale të tregut, pasi kur vjen puna për ta shitur pronën, diferenca si e kanë blerë me atë që duan ta shesin është jashtëzakonisht e madhe.

Ka pasur raste që shitësi është tërhequr në fund për shkak se i është dashur të paguajë tatim diku për tatimin 15%, rreth 15 mijë euro shtetit.

Me rivlerësimin do të jepet rifreskim. Nga periudha kur kishte rivlerësim, vlera e transaksionit dhe vlera e akumuluar e tatimeve që vijnë nga pasuritë e paluajtshme kanë pësuar rënie drastike.

Ka njerëz që atë pronë që shesin e kanë rezidencën e tyre fillestare. Në rastin e një banese kryesore të familjes nuk mund të tatohet dhe aq më pak 15%.

Ka ndryshuar çmimi i referencës, ku në disa zona e ka dyfishuar, ndoshta dhe më tepër se kaq.

Rivlerësim do të thotë ta sjellësh pronën tënde nga një vlerë e tregut të mëparshëm, në vlerën e tregut të sotëm se çmimet e referencës janë ndryshuar dhe rritur.

Nëse pronari do ta sjellë pronën në vlerën e referencës, poshtë të cilit nuk mund të shesësh, kjo bëhet me anë të një aplikimi në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke paguar pagesën 3% të diferencës, të vlerës që ka patur prona, me vlerën aktuale.

Ka raste që vlerat e referencës janë më të ulëta se vlerat e tregut.

Të gjithë drejtohemi në sportelet online të ASHK dhe shpresoj që ASHK të jetë në gjendje që t’i përgjigjet fluksit dhe shpejtësisë së veprimeve se kjo ka qenë dhe një hallkë tjetër që ka vështirësuar shit-blerjen e pasurive të paluajtshme.

Me rivlerësimin do të shmangej në një masë shumë të madhe evazioni. Për të kursyer diçka nga 15% ka shumë manovrime që njerëzit bëjnë.

KREDO
  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top