MC Networking

Mbledhja tetë orëshe e tensionuar në kryesi/ Tabaku jep dorëheqjen si nënkryetare e PD, kryetari do të zgjidhet më 29 korrik

Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur që mbajtja e zgjedhjeve për kryetarin e ri të kësaj force politikë të bëhet më 29 korrik.

Lajmi u bë i ditur pas mbledhjes së strukturës së selisë blu në orën 2:30 të së mërkurës, ku anëtarët e kryesisë u ndanë në dy grupe.

Ky vendim u miratua me 17 vota pro, dy vota kundër dhe tre abstenime.

Deputetet që janë njëkohësisht anëtarë të kryesisë kërkuan shtyrjen e garës.

Ndërkohë Jorida Tabaku ka dhënë në orët e para të mëngjesit të sotëm dorëheqjen si nënkryetare e Partisë Demokratike.

Vendimi i saj ka ardhur pas një mbledhje të tensionuar prej 8 orësh në kryesinë e PD-së ku në fund 17 anëtarë votuan për hapjen e menjëhershme të garës dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të partisë në 29 korrik. 

Në fillim të mbledhjes ajo nuk pranoi as propozimin e bërë nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi që të ishte kryetare e komanduar e partisë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. 

Nuk ka asgjë të keqe të kesh ambicie në politikë, është njerëzore, por në situatën ku ndodhemi besoj që prevalon interesi i përbashkët më shumë se ai vetjak, e për këtë arsye: Kam vendosur që të mos e pranoj propozimin e z. Bardhi për drejtimin e komanduar të Partisë Demokratike

Ndërsa, orët e fundit të mbledhjes u shoqëruan edhe me tensione dhe tone të larta.

Mbledhja e fundit e grupit parlamentar të PD-së vendosi që ndasitë në mendime dhe qëndrime për çështje të ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të shfokusojnë partinë nga misioni i saj për t’u bërë alternativë qeverisëse.

Në këtë kuadër, është emergjente ndërprerja e menjëhershme e çdo sulmi, shpifje apo gjuhe urrejtje ndaj çdo anëtari të partisë apo cilido që mendon ndryshe.

Pika e dytë ishte riorganizimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, me synim bashkimin e demokratëve, forcimin e partisë dhe ndërtimin e një partie moderne, gjithëpërfshirëse dhe që krijon besimin tek shumica e qytetarëve shqiptarë, duke angazhuar dhe afruar individë me reputacion dhe që i shërbejnë mbrojtjes së interesit publik.

Krijimi i një grupi pune përbashkues, është tjetër çështje për ndjekjen dhe realizimin e procesit të riorganizimit, sipas një plani të qartë, transparent dhe gjithëpërfshirës, që ndjek këto hapa:

– Hapi i parë: Hapja e partisë dhe certifikimi i anëtarësisë aktuale;

– Hapi i dytë: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege;

– Hapi i tretë : Procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë.

Gjithashtu vendosën që grupi i punës që bën edhe drejtimin politik ngre grupe pune në nivel qarku për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe fuqizimin dhe organizimin e partisë pa asnjë paragjykim dhe duke shmangur çdo rrethanë apo faktor ndarës.

Vendimi i Kryesisë së PD-së

PËR ORGANIZMIN E PROCESIT ZGJEDHOR PËR KRYETAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Në mbështetje të pikës 6, të nenit 10, neneve 24,25,45, 46 dhe 53 të Statutit të PDSH-së, duke vlerësuar situatën e vështirë që kemi kaluar, situatën aktuale të strukturave të partisë dhe vakancat e krijuara ne disa nivele duke filluar nga Kryetari i PDSH e deri në bazë, bazuar në kërkesën e Kolegjit të Kryetarëve për nevojën emergjente për zhvillimin menjëherë të zgjedhjeve për Kryetarin e PDSH si dhe riorganizmit të plotë të partisë, Kryesia e Partisë në mbledhjen e datës 6 Qershor 2023,

VENDOSI:

Fillimin e menjëhershëm të procesit të evidentimit të anëtarësisë, dhe organizimit të zgjedhjeve për kryetar të PDSH.

1-Në çdo degë të PD brenda datës 15 korrik kryhet procesi i plotë i evidentimit të anëtareve me të drejtë vote sipas përcaktimeve të nenit 25 të statutit.

a-Kryetari i degës ngre grupin e punës të degës i cili ka për detyrë të kryejë evidentimin e anëtarëve me të drejtë vote;

b-Grupi i punës në degë bën evidentimin e anëtarësisë dhe strukturave në detyrë brenda datës 13 korrik.

c-Lista e përpiluar sipas formatit në aneksin 2 depozitohet pranë sekretariatit të PDSH.

Komisioni Zgjedhor përpilon listën kombëtare të anëtarësisë me të drejtë vote sipas  përcaktimeve të nenit 25.

2-Organizimi i procesit për zgjedhjen e kryetarit të PDSH:

a-Procesi zgjedhor drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë;

b-Pranë Komisionit Zgjedhor, secili kandidat paraqet kërkesën për kandidim brenda datës 20 Qershor 2023;

c-Fushata zgjedhore zhvillohet nga data 24 Qershor deri në datën 27 korrik 2023;

d-Zgjedhjet për kryetar të PDSH zhvillohen në datë 29 korrik 2023.

3-Kryesia e PDSH brenda datës 12 qershor 2023, cakton grupet e punës në nivel qarku që në bashkëpunim me degët mbikqyrin procesin e evidentimit te anëtarësisë;

4-Kuvendi i jashtëzakonshëm statutor zhvillohet brenda muaji shtator 2023;

5-Ngarkohen Sekretari i Përgjithshëm, Sekretariati dhe Komisioni Zgjedhor për njoftimin dhe ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top
Mbledhja tetë orëshe e tensionuar në kryesi/ Tabaku jep dorëheqjen si nënkryetare e PD, kryetari do të zgjidhet më 29 korrik | MCN TV

Error

The website encountered an unexpected error. Please try again later.