MC Networking

“Po bëjnë lojën e Ramës!”, Meta: Rëndohen me akuza Autoriteti i Dosjeve dhe punonjës të ish-SHIK-ut

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një intervistë për gazetaren Viol Xhafaj në MCN TV foli mbi akuzat se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, koordinimin me Berishën, drejtësinë e re, aksionin opozitar dhe zgjedhjet e ardhshme.

Meta hodhi poshtë edhe njëherë akuzat e Autoritetit të Dosjeve, duke u shprehur se ky institucion është kthyer në instrument të verbër të Ramës, i cili sipas tij përdor forma të ish-Sigurimit. Kreu i Partisë së Lirisë i konsideroi lajme të prodhuara nga regjimi i Ramës, ato që sugjerojnë se njerëz të afërt me të janë nën hetim nga SPAK. Meta e cilësoi Berishën një “institucion” dhe njeri të zgjedhur, ndërsa u pyet nëse ai mund të jetë kontakti i Ambasadës Amerikane me opozitën.

 

INTERVISTA 

Pyetje: E nisët me zhurmë që nga dita e parë e largimit tuaj nga Presidenca. U bë zhurmë në media për faktin që u vendosët në krye të Partisë së Lirisë, ish-LSI. Në fakt kjo lëvizje pati edhe goxha komente, u tha që ju keni kaluar djathtas me këtë “shpikje” të ripozicionimit nga LSI në Partinë e Lirisë...

Meta: Nuk mendoj që ka ndodhur ky fenomen dhe më duken këto si cic-mice, majtas-djathtas, aq më tepër kur tani është e qartë se partia që duhet të ishte model për të mbrojtur shtresat në nevojë, siç është PS, është kthyer në instrument për të shtypur këto shtresa, në shërbim për fat të keq të grupeve kriminale dhe atyre që quajmë me të drejtë oligarkë, ndërsa kryeoligarku dihet se kush është kryeministri aktual. Por çfarë ka ndodhur? Asnjë gjë, thjesht jam rikthyer në sheshin e 2 Marsit dhe LSI i është bashkuar vendimit tim për t’u rikthyer në atë shesh ku njerëzit dolën për të mbrojtur Kushtetutën, sovranitetin dhe për të rikthyer fuqinë e tyre politikbërëse, vendimmarrëse. Bashkë me LSI në këtë shesh janë shumë intelektualë si Agim Nesho dhe do të vijnë edhe shumë të tjerë.

Pyetje: Është parti e majtë apo e djathtë?

Meta: Është një parti tërësisht e motivuar nga fryma liridashëse, patriotike, atdhetare dhe ultra demokratike, përderisa synon të garantojë referendumin si instrumentin, si garantin e demokracisë dhe fuqinë e popullit shqiptar. Brenda saj janë të gjithë të mirëpritur, sepse ne çështjen nuk e shohim e majtë e djathtë, këto janë histori që u shërbejnë vetëm analistëve në shërbim të propagandës për të spostuar vëmendjen. Sot është një betejë për demokraci ose diktaturë, një betejë për liri ose nënshtrim, ose robëri, për t’i mbajtur shqiptarët këtu të bashkuar, në rezistencë, në qëndresë, për shporrjen e këtij regjimi të pashpirt, të cilin e shohim në të gjitha drejtimet nga aspektet ekonomike dhe sociale dhe deri te aspektet thelbësore të dhunimit brutal të të drejtave të njeriut dhe të marrjes së jetës në mënyrën më arrogante, sepse kemi toleruar deri tani si shoqëri kapjen e shtetit në një bandë.

Pyetje: Me një të rënë të lapsit praktikisht nga LSI doli Partia e Lirisë dhe pamë që ndryshoi thuajse pjesa më e madhe e gjithë përbërjes së kësaj force politike. Ishte ky një ndëshkim për rezultatin e arritur gjatë kohës që ka qenë në opozitë?

Meta: Nëse bëhet fjala për ndëshkim nuk është fjala për rezultatin, sepse nuk pritej ndonjë rezultat fantastik në kushtet kur gjithçka ka qenë e mirëkalkuluar prej kohësh midis Ramës dhe Bashës. LSI ka marrë shumë vota, 120 mijë vota, duke u thënë shqiptarëve që do të bënte kryeministër Lulzim Bashën. Ato vota duhen shumëzuar me 5, duhen shumëzuar me 7, në të ardhmen. Ai gabim i pafalshëm i lidershipit të LSI është pikërisht djegia e mandateve, që u pasua nga një vendim tjetër i mos marrjes pjesë në zgjedhjet vendore. Të gjitha këto sollën shumë zhvillime negative në vend dhe LSI doli nga filozofia e saj, si parti e institucioneve, si parti që lufton ta përmirësojë jetën në institucione në çdo drejtim. Tani kjo histori ka përfunduar, ka nisur një rrugë e re, ju e patë që përkrahja dhe mirëkuptimi ishte i jashtëzakonshëm.

Pyetje: Përshtypje na bëri fakti që nuk u mbajt asnjë nga figurat e vjetra të LSI, edhe zonja Kryemadhi...

Meta: Mendoj që znj.Kryemadhi, z.Vasili janë nga njerëzit kryesor që kanë mirëkuptuar, kanë mbështetur këtë projekt transformues dhe gjithëpërfshirës. Do vazhdojnë të jenë më aktivët sepse janë edhe deputetë.

Pyetje: Flisni për referendum dhe të drejtën e mbajtjes së tij. Konkretisht nga çfarë niseni, si do zhvillohet ky referendum?

Meta: Çështja e referendumit është çështje e vullnetit të shumicës së qytetarëve shqiptarë, dhe së dyti edhe e një shumice politike, e cila do të garantojë përmes miratimit të një ligji, që e ka kërkuar edhe rezoluta e fundit e PE për referendumet, që të kemi një ligj që garanton mbajtjen e referendumit dhe jo që bllokon mbajtjen e referendumit, pasi ne referendumin e kemi në Kushtetutë që në 98’. Por kjo gjë është bllokuar qëllimisht që ky pushtet të dalë jashtë kontrollit të popullit të Shqipërisë, që të kemi atë Parlament që kemi, atë qeveri që kemi, ato institucione që kemi, që s’përfaqësojnë sovranin.

Pyetje: Nuk do kërkojë ndërhyrje në Kushtetutë?

Meta: Referendumin e kemi në Kushtetutë ne. Referendumi kërkon një ligj të posaçëm që garanton zbatimin e referendumit. Kërkon vullnetin e një shumice në Parlamentin e ardhshëm. Të gjithë ata që duan referendumin duhet të votojnë për këtë shumicë. Nëse e pranon shumica aktuale referendumin që tani, ne jemi shumë dakord ta përkrahim me te gjitha mundësitë tona. Por ata kanë këshillimet që i bëjnë vet në laboratorët e tyre! Një formë mashtrimi banal. Referendumi nuk është ai ku partia thotë se çfarë do populli. Referendumi është ai ku populli shprehet me votën e tij dhe arsyen e tij të plotë.

Pyetje: Ka një heshtje të çuditshme nga opozita sa i përket skandalit të rrjedhjes së të dhënave dhe sulmit kibernetik që u bë, dhe që ende s’kemi një transparencë se çfarë ndodhi, sa është dëmi...

Meta: E vetmja transparencë që kemi është që janë hedhur nja 300 milionë euro për AKSH-in, investimi, dhe ja ku jemi. Dihet si janë trafikuar të dhënat e qytetarëve shqiptarë nga partia në pushtet, për t’ia dhënë patronazhistëve për të kontrolluar, mendimet, lëvizjet, opinionet dhe votën e qytetarëve shqiptarë. Se sa është marrë opozita me këtë, kjo është çështje e re, çështje në ndjekje dhe kuptohet që është një çështje që meriton edhe thellim sa më të garantuar, pasi ka të dhëna që ka edhe ndërhyrje nga jashtë. Por në çdo rast përgjegjësia i bie qeverisë shqiptare, pasi ajo ka hedhur 300 milionë euro dhe ky është një sistem i pambrojtur.

Pyetje: Do ngrini akuza të reja, do bëni kallëzime, apo do të kemi vetëm zbardhje aferash të mundshme?

Meta: Partia e Lirisë çdo ditë do të ndezë shpresën dhe flakën e lirisë në zemrën e çdo shqiptari. Është një parti që çdo ditë do të jetë në një luftë të paparë me të gjithë ata të cilët duan të qëndrojnë indiferentë dhe oportunistë me këtë situatë, dhe do t’i ndërgjegjësojë ata që nëse nuk bashkohen tani, do të jenë viktimat e radhës e një regjimi që shtyp, që vjedh, që grabit, që falsifikon pronat e shqiptarëve, identitetet e tyre dhe gjithçka tjetër. Partia e Lirisë është një parti tani e kudondodhur në të gjithë vendin, në krye të aksioneve politike dhe e vendosur ballëpërballë me këtë regjim, të hajdutokracisë që është instaluar në çdo nivel, të qeverisjes qendrore, vendore. Korrupsioni është armiku më i madh i lirisë. Lufta kundër korrupsionit do na ndihmojë të luftojmë edhe varfërinë sepse është gjithë ky korrupsion i madh që ka sjellë këtë polarizim kaq të madh në shoqërinë tonë, vendi me rrogat më të ulëta në rajon, me pensionet më të ulëta në rajon, kur para 8-10 vjetësh ishte një situatë krejt ndryshe. Sepse të gjitha lekët shkojnë për inceneratorë që vidhen edhe paguhen ata që janë në kërkim, të cilët janë pronarë formalë, sepse realët janë ata që vazhdojnë pagesat dhe kanë gjithë mundësinë për ta ndërprerë këtë shpërdorim kriminal të fondeve të buxheteve të shtetit, paratë shkojnë për t’i bërë nga 10-fish ato rrugët, për t’i bërë të florinjta, jo të asfalta, shkojnë kudo për të vjedhur për të shpërdoruar.

Pyetje: Në disa media janë ngritur akuza se ka njerëz të afërt me ju, që janë nën hetim nga SPAK. Mund të kem një koment?

Meta: Nuk kam asnjë koment për lajmet që prodhon regjimi i Edi Ramës. Kam vetëm një siguri për të gjithë, që lidershipi i Ilir Metës është i vendosur në rrëzimin e këtij regjimi kriminal, mashtrues, shantazhues, vrasës, falsifikues, grabitës dhe vjedhjes i paparë i qytetarëve shqiptarë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe i implikuar dhe në afera të rënda që trafikojnë interesat kombëtare dhe sovrane të qytetarëve shqiptarë. Sa i takon Ramaformës, e kam shprehur me kohë, ajo është fakti që flet vet pse jemi në këtë situatë, ku afera e inceneratorëve në vend të ndërpritej dhe të shkonin para drejtësisë, Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe të gjithë ministrat e tjerë që kanë shkelur ligjin në mënyrë të qëllimshme, në mënyrë të vetëdijshme, vazhdojnë lekët e inceneratorëve paguajnë edhe media që shpërndajnë edhe lajme të tilla, për të cilat Ilir Metës nuk i kërcet fare, në kuptimin më të mirë dhe më të drejtë të kësaj fjale. Beteja është ballore, nuk është me lajme as me stekadente, është beteja e të vërtetave dhe të vërtetat kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë me Ilir Metën përpara një regjimi mashtrues, të paskrupullt, që ka 10 vjet që ka treguar që është i aftë vetëm të degradojë vetë dhe të dëmtojë rëndë interesat e qytetarëve shqiptarë.

Pyetje: Pati disa ndryshime në përbërjen e kabinetit qeveritar pak ditë më parë. Duke qenë se ju keni qenë aleat i ngushtë i z.Rama, besoj se ia njihni teknikën dhe mënyrën e veprimit të tij. Pse u bë kjo lëvizje dhe pse u bë me një ministër të vetëm, z.Ahmetaj?

Meta: Mua nuk më interesojnë fare ministrat që heq dhe që vë z.Rama. Mendoj që z.Rama e ka mbyllur prej kohësh kapitullin e tij si kryeministër. I janë dhënë mundësi të jashtëzakonshme. Është më i dështuari në historinë e Shqipërisë. Është kryeministri më i korruptuar në të gjitha raportet ndërkombëtare, në të gjitha krahasimet që bëhen. Është penguesi dhe vonuesi kryesor i procesit të integrimit evropian të Shqipërisë për shkak të përpjekjes së tij për të kapur drejtësinë, për shkak të përkrahjes që i dha kanabizimit të Shqipërisë, forcimit të grupeve kriminale, paprekshmërisë së tyre, dëmeve të jashtëzakonshme që i bëri pluralizmit politik dhe sistemit të llogaridhënies në vend. Ku ka qenë ndonjëherë Shqipëria në këtë situatë që të mos ketë një këshilltar opozita në asnjë bashki të vendit?! Ku e dinë qytetarët sot në çdo bashki se si menaxhohen fondet, taksat dhe si menaxhohen shërbimet e tyre. Këtu e katandisi Rama Shqipërinë dhe Shqipëria po zgjohet për t’u ndarë njëherë e mirë nga regjimi i tij.

Pyetje: Pse erdhi kjo që mungojnë këshilltarët bashkiak të opozitës?

Meta: Sepse ishte një pazar Rama-Basha. Edhe djegia e mandateve edhe mos hyrja në zgjedhjet vendore. Pazari ishte sepse po të shkonin në zgjedhjet vendore njëri nga këta të dy do humbiste, do ikte. Mënyra që të rrinin të dy ishte pazari, digjeshin mandatet. Me sebepin e mandateve justifikohej mos hyrja në zgjedhjet vendore, bëhej sikur polarizohej situata në vend, dilte LSI-ja si forcë e qendrës, forcë e ekuilibrit dhe e pablerë nga mafiat dhe oligarkët në cep, digjej një kërpudhë atje para Kryeministrisë dhe krijohej ideja që u bë qameti i madh. Gjithçka ishte një regji e të dyve bashkë dhe ndërkohë fryheshin kontot e udhëheqësve të opozitës dhe të afërmve të tyre.

Pyetje: Është e kapur drejtësia shqiptare?

Meta: Faktet flasin vetë, në 6 vjet 26 vende në përkeqesimin e renditjes së Shqipërisë në TI. E ke edhe rezoluta e PE. Më e kapur nuk ka ku të shkojë. Por problemi më i madh nuk ishte ky, ishte kapja e opozitës, e lidershipit të saj, sepse edhe bojkoti i reformës në drejtësi ishte i qëllimshëm, për t’ia lehtësuar Edi Ramës kapjen e drejtësisë, për të mbyllur dosjen e Muzinit, për të mbyllur afera të tjera me të cilat shantazhoheshin ish-drejtuesit e opozitës.

Pyetje: Spekulohet se ka një mundësi që edhe ju të shpalleni non grata nga SHBA. Keni ndonjë sinjal?

Meta: Nuk merrem me këto çështje fare dhe ju e dini qëndrimin tim edhe kur është shpallur z.Berisha. Unë respektoj vendimin e çdo vendi kudo në botë dhe absolutisht që kjo s’ka asnjë lidhje me raportet e Ilir Metës, në radhë të parë me popullin e Shqipërisë, sepse mendoj që ky është raporti kryesor që më mban mua në politikë, por jo vetëm në politikë, por në të gjithë jetën time si atdhetar, qytetar, si patriot, dhe si njeri i lindur dhe i vendosur për t’i shërbyer gjithnjë vendit tim pavarësisht nga pozita ime. Siç kam bërë gjithmonë, kështu do të bëj edhe në të ardhmen. Sa i përket raporteve ndërkombëtare, unë kam qenë në krye të çdo përpjekjeje për integrimin evropian të Shqipërisë dhe askush s’ka bërë më shumë si politikan në 30 vjet, në mënyrë koherente, për të ndihmuar këtë proces, se sa Ilir Meta. Në të ardhmen do të plotësojmë çdo detyrim që kemi në raport me BE-në. Kam qenë që në fillimet e mia, edhe kur PS ishte kundër pranimit në NATO, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Dhe ne do të plotësojmë të gjitha detyrimet që kemi ndaj NATO-s në të ardhmen. Të gjitha këto të tjerat janë histori të kuzhinës propagandistike të Edi Ramës.

Pyetje: Sa përbën problem përdorimi i këtij instrumenti në politikën e brendshme?

Meta: Në politikën e brendshme për mua prioritet është vetëm një gjë, çrrënjosja e sistemit korruptiv të Edi Ramës. E në radhë të parë çrrënjosja e korruptimit të drejtuesve të caktuar të ish-opozitës apo që bëjnë gjoja sikur bëjnë opozitë sot dhe vetëm duan të devijojnë fokusin e një revolucioni anti-korrupsion dhe që synon çkapjen e shtetit, në nisma që i interesojnë vetëm Edi Ramës.

Pyetje: Sa i përket aksionit opozitar që pritet të nisë në muajin shtator, megjithëse edhe gjatë korrikut dhe gushtit kemi pasur goxha zhvillime në politikë, sidomos nga krahu i opozitës, çfarë presim nga shtatori?

Meta: Ne nuk presim shtatorin, ne jemi çdo ditë në aksion opozitar të vazhdueshëm, të përhershëm, sistematik, që vetëm do të vijë duke i intensifikuar, duke u zgjeruar në mënyrën më kapilare, kudo në gjithë shoqërinë, kështu që të gjithë ne punojmë për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë me një regjim të pashpirt, që synon zhbërjen e kombit tonë, vendit tonë, trashëgimisë tonë kulturore dhe historike, dhe largimin e Shqiptarëve dhe ndryshimin e strukturës demografike të vendit që dihet se kujt i shërben, atyre që gjithmonë kanë pasur synime dhe pretendime për të kontrolluar vendin tonë dhe pozitën e tij kaq të rëndësishme gjeostrategjike.

Do të jetë Partia e Lirisë në krah të PD-së në zhvillimin e këtij aksioni opozitar?

Meta: Ne do të jemi në krah të qytetarëve kudo dhe në bashkëpunim dhe koordinim me PD-në dhe gjithë partitë të cilat e këtë prioritet.

Pyetje: Jemi duke pritur një takim mes jush dhe z.Berisha, e patët një në Baku, por...u tha që nuk u diskutua gjë. Pata një komunikim me Berishën dhe tha nuk diskutuam mbi aksionin opozitar,

Meta: Nuk kemi biseduar. S’kemi qenë në pozita të tjera, por jemi të disponueshëm, për të punuar, bashkëpunuar me të gjithë faktorët opozitarë kudo në vend, pa asnjë paragjykim, që kanë vetëm një synim, shpalljen e menjëhershme ‘non grata’ të këtij regjimi hajdutokrat me Edi Ramën në krye. Në mënyrë që fuqinë ta rimarrin qytetarët shqiptarë, të rikthejmë demokracinë, të rikthejmë llogaridhënien në çdo nivel, të rikthejmë shpresën, dhe të ndalim këtë hemorragji të frikshme të largimit të rinisë dhe të forcave më krijuese nga vendi ynë i mrekullueshëm.

Pyetje: Do ketë një bllok opozitar, apo secila forcë politike do të bëjë luftën e saj përballë qeverisë?

Meta: Secila duhet të bëjë më të mirën, duhet bërë çdo përpjekje për një bashkim të të gjithë opozitës, gjithmonë mbi parimet më demokratike dhe më gjithëpërfshirëse.

Pyetje: Me z.Berisha ‘non grata’ për amerikanët. Do të jeni ju kontakti i Ambasadës Amerikane me opozitën?

Meta: Janë pyetje që s’përbëjnë interes për mua. Berisha s’është një person, është një institucion dhe është në krye të institucionit më të rëndësishëm sot të opozitës, PD-së. Është njeri i zgjedhur në mënyrë publike. Ne respektojmë çdo vendim të PD-së dhe çdo force tjetër, dhe në këtë aspekt më duken pyetje pa asnjë lloj kuptimi. Është e rëndësishme që opozita në mënyrën më paqësore, më aktive, më qëndrestare, më demokratike dhe me një organizim shumë më të mirë se deri tani, të konkretizojë atë shpirt opozitar të jashtëzakonshëm që ekziston sot në Shqipëri, por që grinta e këtij shpirti u vra nga një ish-lidership jo vetëm i përgjumur, por edhe i korruptuar nga qeveria.

Pyetje: Doli në skenë një dosje që flet për bashkëpunim me ish-Sigurimin e Shtetit. Flitet për një qytetar me inicialet I.M. Kush është ky?

Meta: Tmerri që e ka kapluar Ramën nga llogaridhënia që po i vjen dhe mjekimi i detyruar që po i afron, sepse s’duhet harruar që ka pasur edhe probleme shëndeti, që tensioni, stresi dhe vapa ia rëndon akoma më shumë, është i pashmangshëm. Në këtë drejtim shoh edhe këtë shpikje kaq ordinere dhe vulgare, të denjë vetëm për pasuesit më të ndyrë të ish-regjimit të Sigurimit të Shtetit, që përfaqësohen sot nga djali i një babai, që ky është akoma krenar pse në vitin 89’ firmosi për varjen e një poeti të fjalës së lirë, si Havzi Nela. S’mund të presim nga monstra të tilla, asgjë që i shërben demokracisë, të vërtetave, shtetit ligjor. Kjo histori është një histori aq absurde, aq banale, aq kriminale, saqë jo vetëm s’mund ta besoj askush, edhe vet ata që e kanë shpikur e falsifikuar, por që rëndon me akuza të reja për fat të keq Autoritetin e Dosjeve, i cili ka treguar që është kthyer në një instrument të verbër politik të Edi Ramës. Rëndon edhe të gjithë ata punonjës të ish-SHIK-ut që kanë vënë dorë në dosjen e qytetarit F.F., të përndjekur nga Sigurimi i Shtetit për tentativë arratisje në atë kohë, i cili po ashtu është edhe shtetas amerikan sot. Ai vet pasi e ka marrë dosjen e tij, e ka shumë të qartë dhe po ndjek rrugën e tij ligjore. Ajo që mund t’ju them që jo vetëm I.M. s’është Ilir Meta dhe s’ka si të jetë, dhe I.M., ka dosjen e tij si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe këtë e di Autoriteti i Dosjeve, por nuk ekziston asnjë dosje për Ilir Rexhep Metajn, në asnjë lloj kohe, në asnjë lloj rrethane. E gjitha kjo është një shpikje për të bërë një zhurmë mediatike, për të shmangur vëmendjen nga skandali kryesor i inceneratorëve, që unë kisha premtuar se do të marrë përmasa të tjera, dhe vetëm maja e ajsbergut ka dalë në sipërfaqe, nga gjithë skandalet e tjera dhe ky vrull i madh liridashës që ka shpërthyer akoma më tej edhe pas shpalljes së Partisë së Lirisë. Autoriteti i Dosjeve në rast se ka një fakt që provon një akuzë të tillë monstruoze të prodhuar nga regjimi i Edi Ramës përmes falsifikimit të tij e çon Metën për ndjekje penale. Sepse Ilir Meta gjithmonë kur ka bërë kërkesën për verifikimin e figurës së tij, në çdo rast ka marrë përgjegjësi penale, siç do njeri i cili gënjen, kur thotë që s’kam qenë pjesëtar, bashkëpunëtor, apo i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit. Por Autoriteti i Dosjeve nuk e bëri këtë veprim sepse e dinte shumë mirë që kemi të bëjmë me një falsifikim, kemi të bëjmë me një mashtrim, me një email gjoja elektronik që ka ardhur në 24 korrik nga SHBA-të që kushdo që ta lexojë do vërë duart në kokë për përmbajtjen aq vulgare dhe ordinere, i cili padyshim që është dërguar me koordinim të plotë me njerëz aty brenda Autoritetit, dhe me njerëz të tjerë nën komandën e Edi Ramës, për të prodhuar një situatë kaotike dhe konfuze, ku ky Autoritet u vënka menjëherë në lëvizje, vënka në lëvizje edhe Parlamentin, dhe na dalin edhe disa IM të tjera. E gjithë kjo bëhet vetëm për të shmangur vëmendjen nga problemet e mëdha, të cilat e presin Edi Ramën, për të dhënë llogari si Çeçua, kjo është e padiskutueshme. E dyta çfarë tregon kjo? Tregon se çfarë regjimi kriminal përfaqëson Edi Rama, që pas 32 vjetësh lëndon qytetarë që kanë qenë viktima apo të përndjekur në atë kohë, përsëri, duke u nxjerrë emrin në mënyrë të qëllimshme dhe kundër ligjit, duke i marrë nëpër gojë, duke i bërë objekt spekulimesh apo shantazhesh, për arsye politike sepse dëshiron tani të demonizojë një lidership tejet të provuar, tejet të provuar dhe të pandalshëm si ai i Ilir Metës. Është betejë e humbur dhe një bumerang i cili padyshim në fund fare ka një përgjegjës kryesor, i cili është Edi Rama.

Pyetje: Kryeministri ka paralajmëruar se në shtator do të kalojë ndryshimet ligjore dhe do të nisë riverfikimin e dosjeve…

Meta: Nuk ka më asnjë vlerë se ç’do riverifikojë Edi Rama. Edi Ramën e dinë të gjithë që ka qenë spiun i shokëve të tij kur ishte basketbollist. Edhe falë spiunllëqeve që bënte e fusnin me Kombëtaren, sepse ai kosh nuk dinte të bënte, vetëm faulla, dilte me 5 personale, Edi Rama dihet djali i kujt ka qenë, dihet çfarë race të pështirë përfaqëson. Edi Rama përfaqëson më të pështirën e asaj race, e cila në vend të kërkonte ndjesë e reflektim, sot përdor format më të ndyra të ish-Sigurimit të Shtetit, përdor njerëz nga më të rëndomtët dhe ordinerët, qoftë si ish-sigurimsa apo ish-bashkëpunëtorë, për qëllime përfitimi politik. Nuk ka për të përfituar asnjë gjë. Në atë gropë që ai përpiqet t’u ngrejë të tjerëve, të jetë i sigurt që do t’i kthehet në humnerë me fund të llahtarshëm për të, siç kanë qenë të llahtarshme vuajtjet e Havzi Nelës dhe atyre që kanë vuajtur nga ai regjim i etërve të tij.

Pyetje: Shtetasin Ilir Murati e keni pasur në klasë?

Meta: Unë nuk jam këtu për të bërë biografinë e njerëzve që kam pasur në klasë. Sepse jam një ish-President, ish-kryeministër, ish-kryeparlamentar, dhe më duket gjëja më ordinere t’u them qytetarëve se cilët kam pasur në klasë dhe se çfarë mund të kenë bërë ata, etj. Kjo është jashtë çdo standardi moral, njerëzor, shtetëror. Ka një ligj për këtë çështje, të ndjekin rrugën ligjore të gjithë personat që janë cenuar apo janë prekur. Këtë duhet të ketë parasysh edhe autoriteti i dosjeve, i cili për fat të keq po rikthen praktikat më të shëmtuara, manipuluese, falsifikuese të sigurimit të shtetit.

Pyetje: Autoriteti i dosjeve tha që Meta mund ta kërkojë dosjen e tij?

Meta: Nëse Autoriteti i Dosjeve ka thënë këtë gjë është çmendur! Sepse Ilir Meta nuk ka dosje, dhe në qoftë se Ilir Meta ka dosje, Autoriteti duhet ta padiste Ilir Metën penalisht, sepse ky kur ka bërë kërkesën, ka marrë përgjegjësi penale që s’ka qenë as bashkëpunëtor, as i favorizuar, as pjesëtar, siç e ka ligji. Por Autoriteti i e di shumë mirë këtë dhe bën lojën e Edi Ramës. Unë e di shumë mirë se pse secili anëtar i Autoritetit bën lojën e Edi Ramës. Kjo ngjarje u shpik pasi u bënë ndryshimet në Autoritetin e Dosjeve, ku u hoqën njerëzit me integritet si Simon Miraka.

Pyetje: I druheni një skualifikimi eventual nga e drejta për të kandiduar si deputet?

Meta: Nuk më skualifikon asgjë nga jeta politike në Shqipëri, përkundrazi lidershipi im do të forcohet akoma më tej nga këto beteja, ku e vërteta është me mua, dhe ku populli shqiptar do të shikojë edhe një herë tjetër se si raca më e pështirë e kolegëve dhe Kristaqëve, që persekutuan shqiptarët në format më të ndyra, duke vjedhur në mënyrën më çnjerëzore popullin e Shqipërisë, si afera e inceneratorëve, ku vazhdon edhe tani që flasim paguan Edi Rama, për regjimin e tij dhe veten e tij. Kjo është histori që ka përfunduar. Nuk shmanget dot Edi Rama me këtë përballje, të shpikë çfarë të ketë dëshirë për Berishën, Metën. Iku koha kur Rama blinte ndeshjen para se të fillonte ndeshja, se blinte kryetarin e opozitës. Rama vetëm thellon më tej thellësinë e humnerës ku e pret një fund i llahtarshëm. E pret një fund i llahtarshëm, si vuajtjet e Havzi Nelës dhe vuajtjet e atyre shqiptarëve që vuajtën nga ato praktika dhe ato forma të regjimit, të etërve të Edi Ramës, që ky kërkon t’i kthejë në Shqipëri pas 32 vitesh.

Pyetje: Për pak muaj kemi zgjedhjet lokale. Partia që ju drejtoni do të marrë pjesë?

Meta: Partia e Lirisë do të marrë pjesë në do palë zgjedhje, në çdo moment, urojmë dhe shpresojmë dhe punojmë që të kemi zgjedhje sa më të shpejta, të përgjithshme dhe vendore, sepse Shqipëria ka nevojë për legjitimitet, Shqipëria ka një Parlament me vota të vjedhura, e shikoni edhe vet si është atje, ka një qeveri jo legjitime, që shkel çdo ditë ligjin dhe Kushtetutën, s’mban asnjë përgjegjësi për këto fatkeqësi që i shkakton popullit shqiptar dhe populli i Shqipërisë ka ardhur koha të vendos sovranitetin e tij dhe t’u jap legjitimitet institucioneve përmes votës së lirë.

Pyetje: Do kandidoni për bashkinë?

Meta: Nuk jam këtu thjesht për të kandiduar dhe për të qenë në politikë, ky s’është problemi im kryesor.  Unë jam këtu në shërbim të popullit të 2 Marsit. Nuk kam parasysh vetëm ata që kanë qenë në shesh atë ditë, por edhe gjithë shqiptarët e tjerë që kuptojnë që s’durohet më ky regjim, dhe zgjidhja do të vij nga ne, përmes bashkimit dhe referendumit. Çështjet e funksioneve, zgjedhjeve, s’janë prioriteti im. Prioriteti im është të tregojmë lidership për të vrarë frikën kudo, për të denoncuar korrupsionin kudo, korrupsionin kudo, për të mbledhur të gjithë shqiptarët trima dhe patriotë për të shpëtuar vendin tonë, sepse askush tjetër s’mund ta shpëtojë vendin. I kam provuar të gjitha do t’i provoj prapë, por kjo s’është çështja kryesore tani. Çështja kryesore tani është referendumi, është triumfi i revolucionit anti-korrupsion, triumfi i lirisë në mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari, të mos ketë më frikë.

Pyetje: Qeveria e Ramës do largohet ditën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare apo më herët?

Meta: Jam i sigurt që qeveria ka ikur prej kohësh, por ngaqë ne të tërë s’jemi ngritur për shumë arsye ashtu siç duhet, ajo vazhdon akoma ashtu si e pakallur, vetëm duke krijuar dëme të tjera për popullin e Shqipërisë, shtetin ligjor, dhe interesat kombëtare të vendit.

  • Comments

1 Comments:

  1. Default User Picture
    E verteta (not verified)Aug 05, 2022 20:35 PM

    Po përpiqet të mbulojë m*tin me sh*rrë spiuni i m*tit por nuk fo tja dalë kurrrrë

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top
“Po bëjnë lojën e Ramës!”, Meta: Rëndohen me akuza Autoriteti i Dosjeve dhe punonjës të ish-SHIK-ut | MCN TV

Error

The website encountered an unexpected error. Please try again later.