MC Networking

Diku: Projektligji i ri ka për qëllim ndërtimin në zonat e mbrojtura! KKT-ja merr dhunshëm kompetencat e AKZM-së (VIDEO)

Ambientalisti Abdulla Diku u shpreh kundër projektligjit për zonat e mbrojtura duke u shprehur se qëllimi i tij është për të ndërtuar në këto zona. Diku thekson në edicionin e lajmeve në MCN TV se KKT-ja, një organ sipas tij pa transparencë, me projekt-ligjin merr në mënyrë të dhunshme kompetenca të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Diku shton se nëse projektligji miratohet mund të ndërtohet kudo, në Butrint, Nartë, Pishë Poro, etj. 

Thuhet se draftligji i parë është propozuar nga bashkitë, gjë që është paradoksale pasi në listën e bashkive që kanë propozuar rezulton edhe bashkia Cërrik që s’ka asnjë metër/katror në zonat e mbrojtura. Drafti që ka ardhur nga Këshilli i Ministrave është publikuar vetëm 3 ditë më parë, s’është shtruar për diskutim apo konsultim me grupet e interesit, por është paraqitur në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. Ne menduam që draftligji propozuar nga bashkitë, i paraqitur nga 12 deputetë, ishte i keq, por rezulton që ai që është paraqitur nga Këshilli i Ministrave është edhe koma më keq. Nga shiu ramë në breshër. 
Të dy draftet si ai i paraqitur nga bashkitë, si ai i paraqitur nga Këshilli i Ministrave, bien ndesh me konventat europiane dhe direktivat europiane. Propozimi i paraqitur nga Këshilli i Ministrave i heq një sasi të mëdha kompetencash Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe i transferon te KKT. KKT është një organ që s’ka transparencë. Nuk ka konsultime me grupet e interesit, s’ke mundësi të paraqesësh opsione alternative dhe të kundërshtosh. Në zonat e mbrojtura tani mund të bëhet gjithçka tani sepse KKT merr në mënyrë të dhunshme kompetenca të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. 

Është një ligj që ka nevojë për asistencë teknike, s’mund të bëhet vetëm nga juristët, kemi kërkuar që edhe ekspertë ndërkombëtarë UCN-ja të kenë dorë dhe të japin aprovimin e tyre për këtë ligj. Disa propozime minimale janë reflektuar. Në propozimet fillestare ka qenë që bashkitë të administrojnë 20 për qind të sipërfaqes së zonave të mbrojtura, mirëpo kjo krijon një farë kakofonie në drejtim të menaxhimit. Në një anë është bashkia, në një anë AKZM-ja, inspektoriatet, dhe KKT-ja. Ka një kakofoni institucionesh që fusin duart në zonat e mbrojtura, dhe ndodh që aty ku ka shumë përgjegjës zona ngelet tërësisht e pamenaxhuar. 20 për qindëshi i bashkive besoj është hequr. Janë djegur 129 mijë ha pyje, kështu  duhet t’u jepet bashkive pjesët më të mira të territorit, kur nuk janë në gjendje të menaxhojnë këtë sipërfaqe të madhe. 

Nga A te ZH ligji përmban dëshirën për të futur ndërtime në zonat e mbrojtura. Zonat e mbrojtura nga një strehë e vlerave më të larta të biodiversitetit dhe peizazhit do kthehen në kantiere ndërtimi. Ne ia kemi bërë të qartë partnerëve ndërkombëtar, Delegacionit Europian në Shqipëri dhe më tej Komisionit Europian, që këto aktivitete shkelin frymën e ligjit, zhbëjnë elementë të rëndësishëm. Në draft ligj përmendet heqja e zonimit. S’ka praktikë të ngjashme në Europë, që një zonë e mbrojtur të jetë pa nënzona. Një zonë e mbrojtur ka brenda territorit edhe fshatra. Drafti e zhbën nënzonimin. Nëse Ishulli i Pelikanit, heqja e zonimit bën që kjo zonë të barazohet me një tokë bujqësore apo serë! Që do të thotë më vonë fare lehtë mund të ndërtohet një resort turistik. 

Tjetër gjë është parimi i përputhshmërisë së funksioneve. Në ligj thuhet që nëse një zonë nuk e përputh funksionin ajo hiqet si zonë. Nëse dikush ka interes të ndërtojë u vë flakën Pishave të Divjakës, zhbëhet ky pyll, dhe ai që ka dosjen nën sqetull e paraqet në KKT dhe miratohet. Tjetër gjë që ka të bëjë me shqetësimin e faktorit ndërkombëtar është shmangia nga konventat dhe direktivat e BE, që lidhet me mbrojtjen e natyrës dhe habiteteve. Nëse ky draft-ligj do miratohet s’do kemi më zona të mbrojtura, pasi qëllimi në të dy draftet e paraqitura është ndërtimi. Dihet kush do ndërtojë në Butrint, Nartë, Pishë Poro. Më tej do vazhdojë adresimi i çështjeve në sistemin gjyqësor dhe paralelisht me të do fillojë organizimi i protestave”.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top