MC Networking

Eksodi nga Shqipëria/ Të rinjtë: Nuk është largim, por dëbim nga politika! Në vend ka mungesë perspektive

Në fokus të emisionit “Fol” në MCN Tv ishte sot fenomeni shqetësues i largimit të të rinjve nga Shqipëria. Papunësia, pagat e ulëta, kostot e larta të jetesës, rritja e çmimeve, mungesa e cilësisë në arsim, mungesa e mbështetjes nga qeveria, janë disa nga problematikat e të rinjve në Shqipëri. Gjatë diskutimeve u vu në dukje se Dita e Rinisë e gjeti Shqipërinë me 140 mijë të rinj më pak, referuar një raporti të Gallup. Njëri prej të rinjve foli për “dëbim të të rinjve nga politika” si dhe një formë të planifikuar të largimit të tyre.

Valmira Hoxha, një studente e vitit të tretë tha se kushtet në Qytetin Studenti janë skandaloze, dhe kostoja e një studenti shkon në 320-350 mijë lekë në muaj.

Ne studentët ndihemi shumë të diskriminuar, duke nisur nga kushtet dhe mënyra se si trajtohemi. Studentët kanë kërkuar shumë kërkesa, u premtuan se do realizoheshin. Shumë nga këto kërkesa kanë mbetur në formën e një fasade. Një student mund të paguajë 50 mijë lekë të vjetra për konviktet, por çfarë kushtesh kanë?! Kushtet janë skandaloze! Gjendja e brendshme e godinave është mizerabël. Kostoja mund të shkojë diku te 320-350 mijë lekë. Një studenti mesatar në Tiranë i duhet patjetër të punojë. Është ideja që jo thjesht të mbijetosh, por të jetosh në Tiranë dhe kostot po rriten dita ditës. Kemi ngritur shqetësimin se si në asnjë nga paketat studentët nuk kanë qenë të përfshirë. Ne si studentë jemi barra e familjes sonë. Mund të them që studentët i janë fokusuar më tepër punës”.

Ndërsa Eljon Mulgeci vuri në dukje se kërkesat e studentëve janë shpërfilluar nga Ministria e Arsimit.

Situata është vështirësuar dita ditës, duke marrë parasysh që inflacioni është rritur vazhdimisht. Kërkesa ishte që studentëve t’u jepet një bonus prej 10 mijë lekësh të reja, por kjo kërkesë u injorua. Ministrja ka kohë për propagandë, por s’ka kohë të presë studentët. Ndryshimet kanë qenë në fasadë, por kushtet në QS mbeten siç kanë qenë në vitet 1970. Problematike mbetet edhe karta e studentit. Problemi i parë është që nuk ka për të gjithë. Problematikë tjetër është që karta e studentit nuk ka ulje në supermarkete, etj. Kemi ulje te Air Albania dhe dyqanet e luksit”.

Gazetarja Fiona Çela tha se sipas një raporti të Gallup, Shqipëria ka sot 140 mijë të rinj më pak.

Kryesisht janë të ardhurat e pakta, ku s’kemi krahasim as me vendet e rajonit. Një studim pak kohë më parë ka treguar që vendet e rajonit kanë rritur pagat me 250 euro, ndërsa në Shqipëri me 80 euro, është një diferencë shumë e madhe. Dita e Rinisë e ka gjetur Shqipërinë me 140 mijë të rinj më pak. Ka qenë një raport i Gallup.  Flasim për të rinj nga mosha 16 në 24 vjeç. Problemi është që po largohen të rinjtë ekselentë. Largohen përveç pagave të larta, edhe për kushte më të mira jetese dhe një arsimim më të mirë. Humbja e shpresës kanë qenë faktorët kryesor që kanë ndikuar”.

Një pedagog i ri shprehet se:

Qeveria zëre se i ka harruar studentët, në asnjë nga pakot e ndihmave nuk përmenden studentët. Një nga arsyet pse ikin të rinjtë është papunësia. 1 në 4 të rinj e ka të pamundur të gjejë punë në vendin e tij. Arsyeja e dytë është që çmimet në Shqipëri janë shumë më të larta, krahasimisht me pagat. Kur isha më i ri isha më idealist dhe mendoja që do sakrifikoja shumë për vendin tim, por kur mendoj që fëmija im do kaloj këtë kalvar si të rinjtë shqiptar... Shpresa vdes e fundit, nuk ka vdekur ende. Dua të besoj që ka ende potencial dhe mundësi që ky vend të bëhet. 1 në 3 të rinj duan të shkojnë të studiojnë jashtë”.

Aktivisti i Qëndresës Qytetare, Rigels Xhemollari, tha se i gjithë sistemi motivin ikjen e të rinjve.

Është i gjithë sistemi në Shqipëri që motivon ikjen e të rinjve. Nëse hedhim sytë në Parlament ka vetëm dy të rinj. Nëse shohim si një i ri punësohet në administratën publike, shohim që duhet të ketë një teser partie. Nëse do marrim biznesin privat, është e ndërtuar struktura në mënyrë primitive, pronari merr njerëzit e fisit, ka humbur konkurrenca. Kjo është kryer edhe në një trend. Nuk po protestojnë më të rinjtë, sepse mendjen e ka diku tjetër, edhe nëse është fizikisht këtu mendja ka emigruar. Ne nuk e kemi arsimin prioritet, në momentin që s’paguajmë pedagogët, nuk ndërtojmë laboratorë... Nuk duhet të kemi vetëm një Tiranë, pro minimalisht 5 qendra të zhvilluara”.

Juristi Elvis Gjini u shpreh se tashmë kemi një lëvizje në bllok të të rinjve.

Nuk është largim sepse largimi është zgjedhje. Nuk jam dakord as me ata që e quajnë arratisje. Kemi të bëjmë me një dëbim nga politika. Universitetet tona s’të japin as 10 për qind të asaj që të duhet për t’u futur në një treg pune. Bangladeshasit e përdorin vendin tonë vetëm si trampolinë, nuk është një zgjidhje. Të rinjtë profesionistë kanë ikur jashtë, shohim mungesë perspektive dhe mungesë gare. Kemi informalitet në çdo proces konkurrimi. Mendoj që është një formë e planifikuar e largimit, dhe e mirëvënë në zbatim.

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top