MC Networking

MCN zbulon draftin e Venecias për vendoret 2019: Kushtetuesja nuk ka kompetencë shqyrtimin e vlefshmërisë së tyre

Nesër sipas agjendës së shpallur nga vetë Komisioni i Venecias në website e saj, do të diskutohet dhe miratimi i opinionit amicus curiae ne lidhje me kompetencat e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për të shqyrtuar procesin zgjedhor të mbajtur në Shqipëri për organet bashkiake më 30 qershor 2019.

Ky opinion është përgatitur mbi bazën e kërkesës së paraqitur nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese më datë 9 korrik 2021, si rezultat i debatit të zhvilluar midis palëve në seancën gjyqësore të datës 23 qershor 2021. Në këtë kërkesë, Gjykata Kushtetuese i ka drejtuar tre pyetje Komisionit të Venecias.

Nga burime konfidenciale, MCN TV ka zbuluar përgjigjet e dhëna në draft-opinionin e përgatitur nga tre relatorë. 

Pyetja e parë e Gjykatës Kushtetuese ishte "A mund të interpretohet neni 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor?”.

Në lidhje me këtë pyetje në draft-opinionin, relatorët janë përgjigjur se:

Si përfundim, Komisioni i Venecias është i mendimit se këshilltarët bashkiakë dhe kryetarët e bashkive janë "funksionarë të organeve të parashikuara në Kushtetutë" në kuptimin e Nenit 131 (1) e) i Kushtetutës. Megjithatë, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. Kjo nuk e pengon Gjykatën Kushtetuese nga ushtrimi i kontrollit të saj mbi legjislacionin zgjedhor.

Pyetja e dytë që Gjykata Kushtetuese i drejtoi Komisionit ishte: "Duke qenë se parimi i periodicitetit të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe ai i pluralizmit politik janë parashikuar si parime themelore kushtetuese, cili do të ishte raporti mes tyre në një situatë ku rrezikohet cenimi i secilit parim? Cili parim do të prevalonte mbi tjetrin?”

Për këtë pyetje, relatorët në draft-opinionin e tyre kanë janë përgjigjur:

Si përfundim, parimet e periodicitetit të zgjedhjeve dhe të pluralizmit politik nuk kanë gjasa të konfliktohen në vetvete njëra me tjetrën, pasi ato shprehen në lloje shumë të ndryshme rregullash. Pluralizmi mund të jetë një qëllim legjitim për të ndërhyrë në periodicitet, por që ai synim të mbizotërojë, ndërhyrja duhet të ketë bazë ligjore dhe të jetë proporcionale.  Parlamenti ka një marzh të gjerë vlerësimi për të vendosur për sigurimin e një baze ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve;  në mungesë të një baze të tillë, Gjykata Kushtetuese mund ta konsiderojë shtyrjen si antikushtetuese.

Pyetja e tretë që Gjykata Kushtetuese i drejtoi Komisionit të Venecias ishte: “Në një situatë të një klime pasigurie juridike, a ka cenuar sjellja e autoriteteve publike dhe e partive politike të drejtën e votuesve për të pasur mundësi kuptimplotë zgjedhjeje? A duhej ata të siguronin interesin më të lartë të votuesve?”

Në lidhje me këtë pyetje draft opinioni mban qëndrimin:

Prandaj mbetet bashkë-përgjegjësi e autoriteteve publike dhe e gjithë spektrit të politikë për të rikthyer besimin në institucionet shqiptare dhe në proceset zgjedhore.  Kjo nënkupton përgjegjësinë e të gjithë këtyre palëve të interesuara për të promovuar dialogun politik midis të gjithë forcave politike si dhe midis institucioneve kombëtare, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, inter alia. Kjo nënkupton gjithashtu rivendosjen e një zgjedhjeje kuptimplote për votuesit. Të gjithë këta elementë janë parakushte sine qua non, por jo-ekskluzive, për zgjedhje demokratike.

Lidhur me këto opinione të reflektuara në draft, MCN TV kërkoi mendimin e njohësve të së drejtës kushtetuese, të cilët thanë se pavarësisht se formalisht quhen këshillimore, kanë vlerë autoritative.

Janë këshillimore, por deri më sot, Gjykata Kushtetuese i ka marrë gjithmonë në konsideratë. Edhe Strasburgu i merr në konsideratë, pra quhen formalisht këshillimore, por në fakt janë autoritative.

Në korrik të këtij viti, Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë gjykimin për legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të 2019 dhe t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion. 

Vetëm pak kohë pas zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, në të cilat PD dhe LSI nuk morën pjesë, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me drejtuese Voltana Ademin, kërkoi shpalljen antikushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 për organet e qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top
MCN zbulon draftin e Venecias për vendoret 2019: Kushtetuesja nuk ka kompetencë shqyrtimin e vlefshmërisë së tyre | MCN TV

Error

The website encountered an unexpected error. Please try again later.