MC Networking

Emiliano Shullazi kundërshton zhvendosjen në regjimin '41-bis'/ Avokati: Do ankimojmë vendimin

Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe, ka kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për izolimin e klientit të tij në regjimin ’41 bis’. Në një deklaratë për mediat, Meçe shprehet, se nga qindra të dënuar për krime të rënda, u zgjodh klienti i tij, i cili është ende pjesë e procesve gjyqësore.

 “Ndër dhjetra apo qindra të dënuar për krime të rënda, pjesë e organizatave terroriste, ishte zgjedhur pikërisht Emiljano Shullazi, procesi kundër të cilit, ka qenë një ndër çështjet që ka tërhequr më shumë vëmendjen e opinionit publik në citet e fundit, i shoqëruar me zhurmë dhe me deklarata publike nga të gjitha anët, duke e servirur atë fajtor, dhe si ndër ”përfaqësuesit më të spikatur të krimit”, si kur çështja e tij ishte në shkallën e parë, ashtu dhe tashmë që vijon shqyrtimi në apel”, shprehet avokati.

Ai ka bërë të ditur se këtë vendim do ta ankimojnë ditën e hënë, me argumentin se përzgjedhja e emrave të të burgosurve që u izoluan ishin selektive, jo mbi bazën e veprave penale.

“Urdhëri në fjalë është i paarsyetuar dhe i paargumentuar. Arsyet e izolimit të Emiljano Shullazit fshihen pas emërtimeve të shkresave, që kanë synimin ”sekret shtetëror”, thotë avokati.

Avokati ka shtuar, se SPAK po tenton të mbulojë dështimin me izolimin e Shullazit, për të bindur opinionin publik se krimi po luftohet.

“SPAK për të mbulur impotencën dhe dështimit, së bashku me një ministri drejtësie të përgjumur, ndërmerr këtë operacion propagandistik, për të bindur opinionin publik brenda dhe jashtë vendit se korrupsioni dhe krimi i organizuar po luftohet”, vijon më tej avokati.

Meçe njoftoi se vërejtjet, do t’i bëhen të ditura ambasadave të huaja në vend dhe organeve të reformës në drejtësi.

Ditë më parë në Shqipëri ka nisur zbatimi i regjimit ’41 bis’, për izolimin e elementëve kriminalë me rrezikshmëri të lartë. Shtatë emrat e parë që u firmosën nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ishin; Genci Balla, Arbjon Aliko,  Gilmando Dani, Endrit Zela, Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi dhe Endrit Qyqja (Zela).

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top