MC Networking

Gjermania hap kufijtë në 15 qershor

Gjermania do të hapë kufijtë e saj me datë 15 qershor.

Bllokimi i kufirit, i vendosur dy muaj më parë, do të hiqet me Luksemburgun dhe do të lehtësohet nga e shtuna me Austrinë, Zvicrën dhe Francën, duke krijuar mundësinë për udhëtime biznesi apo për takime familjare.

 “Hapja e plotë e kufijve, varet nga angazhimi ynë për të luftuar infeksionin”, tha ministri i Brendshëm, Horst Seehofer.

Sipas tij, kufijtë do të mbyllen përsëri, nëse situata shëndetësore përkeqesohet.

Ai tha se marrëveshjet për zbutjen e masave ishin arritur këtë javë përgjatë bisedimeve dypalëshe me vendet fqinje.

Ministri deklaroi se udhëtimet me vendet jashtë Bashkimit Europian, si SHBA dhe Rusia, do të jenë të bllokuara të paktën deri me datë 15 qershor.

Sipas autoriteteve gjermane, kontrollet kufitare do të vijojnë për të parandaluar rastet me koronavirus. Ndërsa më 15 qershor, Gjermania do të lejojë edhe turistët që të vizitojnë vendin.

Ministria e Brendshme tha se lehtësimi është rezultat i zhvillimit pozitiv sa u përket infeksioneve.

Sipas Ministrisë, karantina 14-ditore për të gjithë ata që vijnë në Gjermani, e cila është urdhëruar nga shtetet federale gjermane, në të ardhmen duhet të aplikohet vetëm për njerëzit që kanë qenë më parë në vendet e treta.

Vendimi për karantinën varet nga krerët e qeverive të shteteve federale.

 

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top