Këshilli Bashkiak i Durrësit ka zyrtarizuar emrin e Emirjana Sakos, si kryetarja e re e komanduar e Bashkisë së Durrësit.
Sako u propozua në krye të bashkisë nga dy grupet e këshillit bashkiak dhe u miratua me unanimitet në një mbledhje emergjence me mjetet e komunikimit elektronik.
Emirjana Sako, e cila më herët ka mbajtur postin e Drejtores së Shërbimeve prej rreth 2 muajsh ishte emëruar zv. kryetare e Bashkisë.
Sako u zgjodh fill pas dorëheqjes së Zhyljen Varfajt, i cili e mori detyrën si kryetar i komanduar dhe më pas dha dorëheqjen për arsye shëndetësore.
“I gjendur para një situate krejtësisht të pafavorshme, madje me rrezik të shtuar për shëndetin tim, parashtroj dhe jap dorëheqjen time të parevokueshme nga detyra dhe funksionet e ngarkuara”, shkruajti Varfaj në një postim në profilin e tij në Facebook.
Kujtojmë se në Bashkinë e Durrësit situata me pushtetin vendor mbetet ende kaotike fill pas dorëheqjes që dha e zgjedhura e socialistëve, Valbona Sako.
Ish-kryetarja e bashkisë Durrës dha dorëheqjen vetëm disa orë pas një gafe në media, në kohën kur fokusi kryesor ishte tërmeti dhe 51 viktimat që shkaktuan lëkundjet e 26 nëntorit.
0 Comments: