MC Networking

Muzika për fëmijë, një hallkë drejt këputjes? (VIDEO)

Kur flet për muzikën për fëmijë në Shqipëri, nuk mund të mos ndalesh te festivali i fëmijëve në Shkodër. Që nga viti 1962, kohë dhe kur u ideua Festivali Mbarëkombëtar i Fëmijëve, ky event organizohet çdo vit në qytetin verior. Që prej edicionit të parë në maj të vitit 1962, ky festival nuk u ka munguar asnjë vit fëmijëve, duke sjellë krijimet më të mira të autorëve më me emër të muzikës e teksteve të këngëve, duke zbuluar talente të cilët me kalimin e kohës kanë shkëlqyer në skenat muzikore brenda e jashtë vendit. Përveç pasurimit të jetës kulturore të fëmijëve e fondit të këngëve për këtë grupmoshë, festivali i ka shërbyer edhe edukimit të shijeve muzikore te të vegjlit. Prej vitit 1993, ky festival u kthye në mbarëkombëtar, duke u bërë skena e parë dhe më e rëndësishmja në të cilën mblidhen fëmijët nga të gjitha trevat shqipfolëse. Muzika për fëmijë ka pësuar ndryshime përgjatë viteve. Ashtu si shumicën e fenomeneve shoqërore dhe evoluimet në art, edhe kjo kategori e muzikës shënon kthesën e madhe në vitet '90.  

Edukimi muzikor nis që në fëmijërinë e hershme dhe pasioni kultivohet përgjatë viteve. Në këtë pikë, në Shqipërinë e para ’90-s nuk mund të mos përmendësh qendrat kulturore të fëmijëve dhe shtëpitë e pionierit si gjeneratorë të talenteve të reja. Pas viteve 90, shtëpitë e pionierit pushuan së ekzistuari, ndërsa qendrat kulturore e humbën pak nga pak shkëlqimin e dikurshëm. Ato sot janë në varësi të pushtetit lokal dhe në jo pak raste roli i tyre është kufizuar në kurset e gjuhëve të huaja dhe në organizimin e aktiviteteve të vakëta artistike.

Një prej arsyeve të dobësimit të lidhjes që fëmijët kanë me muzikën, atë që është krijuar për ta dhe u përshtatet me moshën, është edhe neglizhenca e edukimit muzikor në shkolla. Si lëndë mësimore, ajo ka vetëm një orë në javë në sistemin 9-vjeçar. Për muzikologët, kjo është e pamjaftueshme.

Shumica e atyre që i përkasin brezit të para viteve '90 e kujtojnë orën e muzikës si një orë të mirëfilltë mësimore. Janë disa këngët që janë ngulitur që në fëmijërinë e hershme dhe që sot, si prindër, ata ua mësojnë fëmijëve të tyre. Sot në Youtube nostalgjikët mund të gjejnë disa prej tyre.  

Këngët e fëmijërisë së atyre që sot janë brezi i 30-40 vjeçarëve nuk kanë arritur të sfidohen nga prurje të reja. Cilat janë arsyet që muzika e re nuk ka ngjitur si dikur? Për ekspertët, problemi e ka zanafillën që në vitet e para të edukimit në shkolla.   

Që të bësh një këngë të bukur për fëmijët duhet të futesh në botën e tyre. Ata duhet të gjejnë veten në tekstin e një kënge. Por fatkeqësisht, edhe tekstshkrues të tillë mesa duket ka pak në Shqipëri. 

Ky varfërim i muzikës për fëmijë duhet parë si pjesë e një fenomeni më të gjerë. Ndryshimi i vrullshëm dhe revolucioni digjital i dy dekadave të fundit ka ndikuar dukshëm edhe këtë zhanër.

Ai që e etiketojmë si treg muzikor e ka përfshirë në vrullin e tij edhe muzikën për fëmijë, herë herë duke e deformuar dhe duke e nxjerrë nga natyra e vet. Shpesh fëmijët njohin përmendësh tekstet e këngëve të moshave të mëdha dhe kanë kapërcyer ato të moshës së tyre, një boshllëk ky që vështirë se mund të plotësohet më. 

Ndikimi i rrjeteve sociale është i jashtëzakonshëm te fëmijët. Ai orienton në mënyrë të padiskutueshme shijet e tyre muzikore. Në mungesë të një hallke edukuese që ta bëjë këtë, ata shkojnë drejt imitimit, pa mundur të kultivojnë talentin ose të paktën shijen e mirë muzikore. Kjo për muzikologët është fenomen i dëmshëm, pasi krijon një brez që në të shumtën e rasteve mbetet thjesht te imitimi. Madje edhe ky imitim orientohet drejt modeleve të huaja, duke lënë në hije kulturën dhe muzikën shqip. 

Kush mund t’i krijojë mekanizmat që luftojnë influencën këmbëngulëse të rrjeteve sociale? Eskpertët thonë se barra më e madhe u takon institucioneve shtetërore. 

Shqipëria ka pafund talente që kanë pushtuar skenat botërore të muzikës. Ata janë brumosur dhe rritur pikëisht në ato rrethe dhe skena të vogla që sot nuk kanë më rëndësinë që kanë pasur dikur.  

Por nëse ne e kemi dobësuar në mos këputur këtë hallkë kaq të rëndësishme të edukimit muzikor, a do të mund të nxjerrim emra të tjerë të mëdhenj që shkëlqejnë në skenat botërore? Ky terren i paqëndrueshëm krijon premisat për më pak emra shqiptarë në skenat e botës. Dhe nëse ndodh ndryshe, atëherë shumë prej tyre do të jenë produkt i shkollave të huaja.

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top