MC Networking

SPECIALE/ Nudizmi në artet pamore shqiptare (VIDEO)

Të zhveshura ose jo para aparatit fotografik, syrit të një piktori a skulptori, femrat shqiptare, kanë qenë shpesh muzë për artistë shqiptarë dhe të huaj.

Por në mentalitetin e shoqërisë shqiptare, ngjan se të pozosh nudo nuk është diçka thjeshtësisht e pranueshme.  Të gjykuara dhe të përndjekura nga një lloj tabuje përsa i përket shfaqjes së hireve të tyre, femrat shqiptare shpesh janë ndrydhur, ndërsa kanë zgjedhur të pozojnë vetëm përpara artistëve dhe nuk kanë pranuar të dalin jashtë studiove, ose kanë shfaqur trupin, por me fytyra të mbuluara, duke fshehur identitetin e tyre.

Veprat më të mira në gjininë e nudos të piktorëve shqiptarë janë krijuar në harkun kohor që fillon nga viti 1923 (vit, kur në Akademinë e Romës u realizua nudoja më e hershme që njohim me autor Vangjush Mion) dhe deri në vitin 1989, por këto janë kryesisht vepra studentësh. Përjashtim nga ky rregull bën mjeshtri Abdurrahim Buza, me pikturimin në Tiranë, në vitin 1935, të nudos së parë  me model një grua shqiptare. Vepra u fsheh për vite me rradhë prej vetë artistit, derisa u ekspozua në vitin 2000 kur u hap në Galerinë e Arteve ekspozita e parë me nudo.

FOTOGRAFIA “TOPLESS” E MARUBIT

Megjithatë, sipas disa studiuesve historia e nudizmit në artet pamore shqiptare zë fill shumë vite më parë, që në 1878-ën, kur Pjetër Marubi fiksoi me aparatin e tij fotografik një malësore me gjoksin e zbuluar. Por a mund të cilësohet si një nudo e mirëfilltë kjo fotografi?!

Në fototekën “Marubi” gjenden veç kësaj fotografie edhe disa fotografi të tjera të ngjashme, të cilat mbajnë autorësinë jo vetëm të Pjetër Marubit.

Vitet ’40 dhe më pas, me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri shënojnë një tjetër qasje ndaj nudos, duke çuar me kalimin e kohës në një censurim të plotë të saj.

KOMUNIZMI DHE CENSURIMI I NUDOS

Me interes është të përmendim nudot e skulptorit Janaq Paço, të realizuara po në vitin 1938, periudhë kur thuhej se nisi sfida ndaj fanatizmit të kohës. Skulpturat e Paços nuk do të jetonin gjatë, pasi në periudhën e egër të komunizmit ishte vetë ai që i thyeu ato me dorën e tij.

Me gjithë kufizimet dhe frikën e regjimit, artistët shqiptarë vijuan të krijonin vepra arti që në qendër të tyre kishin nudizmin, gjë që u vërtetua vite më pas, me ardhjen e demokracisë kur ata filluan t’i bënin publike këto vepra.

NGA “GRATË SULIOTE” NË DITËT E SOTME

Fillimisht kanë qenë artistët e huaj, të cilët dëshironin që me artin e tyre të fiksonin bukurinë dhe veçantinë e femrës shqiptare. Në vitin 1827 një piktor zviceran, Ary Scheffer përdori imagjinatën e tij për të realizuar tablonë “Gratë suliote”. Ai nuk nuk mundi të gjente kurrë modele të vërtetë për të pikturuar gjoksin e zbuluar të njërës prej grave të veprës së tij. Kjo punë u botua për herë të parë dhe të fundit në vitin 1980 tek gazeta “Zëri i Popullit” nga studiuesi Ferid Hudhri, pasi do të censurohej. Vajzat dhe gratë shqiptare e kishin të vështirë në shekullin XIX të pozonin edhe të veshura, për të mos folur pastaj për pozimin nudo. Kështu, Motra Tone dhe Kol Idromeno, në vitin 1883 shënon një hap të rëndësishëm në artet figurative shqiptare.

Shumë vite më vonë, lind pyetja, sa të lira janë femrat shqiptare për të pozuar nudo dhe sa i mirëpret publiku shqiptar veprat artistike nudo?!

E vërteta është se artistët janë tërhequr gjithnjë nga trupi njerëzor, që nga gdhendjet e para nëpër shpella, tek ikonat dhe pikturat murale religjioze në Mesjetë, për të vazhduar deri në kohët e sotme.

NUDIZMI MASHKULLOR

Ajo që bie në sy është se përgjithësisht nudizmi lidhet me imazhin femëror, ndërsa i shoqëruar me imazhet e meshkujve, ai haset shumë më rrallë.

Mund të themi se nudizmi zë një pjesë të rëndësishme në art. Trupi njerëzor ka qenë gjithnjë një joshje e natyrshme për artistët. Trupi njerëzor është parë edhe si shëmbëlltyra e Zotit në tokë, por në të njëjtën kohë ka qenë shprehje rebelimi ndaj shoqërisë, moralit apo religjionit në periudha të caktuara. Veprat e nudizmit kanë shërbyer si emancipim për shoqërinë, duke thyer tabu. E vërteta është se nudizmi dhe shprehja e tij në art është shprehja më natyrale e natyrës njerëzore, pavarësisht paragjykimeve për të në periudha, vende apo nga grupe të caktuara.

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top