Dy punonjës të ambasadës izraelite u qëlluan për vdekje jashtë Muzeut Hebraik në Uashington.
Konfirmimi vjen nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, Kristi Noem me anë të një mesazhi në rrjetin social X.
Dy punonjës të ambasadës izraelite u vranë pa kuptim pranë Muzeut Hebraik në Uashington DC. Po hetojmë për të mbledhur më shumë informacion për të ndarë. Lutemi për familjet e viktimave. Do ta nxjerrim autorin para drejtësisë.
Sipas zyrtarëve që folën për mediat lokale, një burrë u pa duke ecur pranë Muzeut Hebraik në Uashington përpara se të hapte zjarr, duke goditur një burrë dhe një grua.
I dyshuari thuhet se bërtiti “Liri për Palestinën” gjatë arrestimit të tij.
Ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, e quajti ngjarjen një akt të çoroditur terrorizmi antisemit.
Dëmtimi i komunitetit hebraik është kalim i një vije të kuqe. Jemi të bindur se autoritetet amerikane do të ndërmarrin veprime të forta kundër personit përgjegjës për këtë akt kriminal.
Izraeli do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të mbrojtur qytetarët dhe përfaqësuesit e tij, kudo në botë.
Nga ana e tij Presidenti amerikan Donald Trump shkroi në rrjetin social Truth se këto vrasje të tmerrshme të bazuara në antisemitizëm, duhet të ndalen.
Urrejtja dhe radikalizmi nuk kanë vend në Shtetet e Bashkuara. Ngushëllime familjeve të viktimave.
Është shumë e trishtueshme që gjëra të tilla mund të ndodhin ende. Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Dy personat e vrarë ishin një çift i ri që do të fejoheshin, tha Yechiel Leiter, ambasadori i Izraelit në SHBA në një konferencë për mediat.
I riu bleu një unazë këtë javë me qëllim që t’i propozojë të dashurës së tij javën tjetër në Jerusalem.
I dyshuari u identifikua si Elias Rodriguez, 30 vjeç nga Çikago.
0 Comments: