Shkrimtari Arben Dedja thotë se në Shqipëri ka shumë poetë të mirë dhe pak prozatorë të tillë. Në studion e MCN Informacion, ai e shpjegoi këtë me shtypjen nga diktatura komuniste.
Poezia nuk vjen me frymëzim. Është një term shumë i lartë. Poezia vjen nga thellësinë e nënndërgjegjes: nga ëndrrat, makthet, frikërat, represioni. Prandaj unë them që në Shqipëri, poetë të mirë ka shumë. Prozatorë të mirë ka pak. Një popull që ka qenë nën një represion politik, ekonomik, seksual, sjell mundësinë që këtë llavë ta nxjerrin në vargje.
Ndërsa në prozë ka nevojë për stil. Nuk mund ta gjesh këtë te shkrimtarët e realizmit socialist. Ne nuk kemi bërë shkollë, por kemi imituar më të mirët dhe shpresojmë që të kemi krijuar njëfarë individualiteti.
Dedja, i cili në profesion është mjek dhe kryen kërkime shkencore në Itali, rrëfeu fillimet e tij në poezi dhe punën si përkthyes.
E kam nisur si poet. Në moshën 40 vjeç nisa të shkruaj prozë. Kisha vajtur në Itali kur nisa të shkruaja prozë. Deri atëherë kisha bërë vetëm përkthime dhe kisha shkruar poezi të miat.
Unë në Itali nuk e ushtroj mjekësinë. Punoj si kërkues shkencor në fushën e mjekësisë. Kam bërë doktoratën atje. Kryej eksperimente, kam një kurs për mikrokirurgjinë për studentët.
Jam përpjekur t’i ndaj gjërat. Në fillimet e mia, kur nuk shkruaja ende prozë, ku merresha vetëm me poezi, fjala mjek nuk dilte në asnjë varg. Më vonë e kuptova që ishte e rëndësishme, sepse të punoje si mjek të jepte një këndvështrim për disa gjëra që shkrimtarët e tjerë nuk e dinin.
P.sh., kam shkruar një tregim të gjatë mbi atë që ndodhte në urgjencën e kirurgjisë në Shqipërinë e ’97-s. Ishte një amfiteatër nga ku shihje realitetin shqiptar nga një këndvështrim që askush tjetër nuk e kishte. Këtë pamje dikush duhej ta shkruante. Nga të gjithë kolegët e mi, unë isha i vetmi që mund ta bëja. Historia e mjekëve që kanë qenë shkrimtarë mund të bëhet një listë shumë e gjatë. Mjekut i krijohet mundësia ta njohë tjetrin pa maska, të zhveshur. Ndërsa juristi të jep ngjarjen.
Unë kam vajtur për herë të parë në Itali, kur isha 35 vjeç. Por italishten e kisha studiuar me mësues privat që në Shqipëri. E njihja gjuhën shkëlqyer. Njihja edhe dialektet. Dëshira ime për t’u përballur me të folme që mund të dukeshin edhe të pakuptueshme më ndihmoi. Pastaj unë bëja edhe latinisht në shkollë.
Duke u ndalur në mënyrë të veçantë te “Muzat trupore”, një prej librave të tij me tregime, Dedja shpjegoi edhe zgjedhjen për prolegomenën në vend të parathënies.
Muzat trupore janë disa funksione neurofiziologjike. Janë 10 tregime. Secili tregim, personazhin e vërtetë e kanë funksione. Gërhitja, gogësima, kruarja, teshtima. Këto janë muzat, të pazakonta. E vetmja gjë që i lidh me muzat është se janë të gjinisë femërore.
Parathënia më ndihmon për të shkruar. Shkruaj njëherë parathënien pastaj tekstin. Është diçka më analitike. E bëj për të qenë i qartë vetë. Më ndihmon, sepse dua që edhe lexuesi ta ketë të qartë se çfarë do të lexojë. Është e rëndësishme. Nuk mund të them që është paratekst. Është parathënie, më tepër pjesë e tekstit. Mirë është që lexuesit t’i japësh një stimul për ta blerë.
Unë nisa të shkruaj prozë në 2004. Deri atëherë vetëm hartimet e gjimnazit kisha shkruar. Nisa me proza të shkurtra që sa vinin e zgjateshin. Në moshën 55-vjeçare nisa të shkruaj edhe ese. Libri i radhës ka më tepër trajtën e dramës.
Dedja tha se mungesa e kontaktit me letërsinë bashkëkohore për shkak të censurës së sistemit komunist ka lënë boshllëqe te lexuesi shqiptar.
Mendoj që në Shqipëri ka munguar njohja e letërsisë bashkëkohore. Njeriu lexon më shumë në moshën e adoleshencës. Ne atëherë kishim një kufizim titujsh. Nga letërsia bashkëkohore nuk kishim fare. U bë best seller “Të mjerët” në vitet ’80. Ishte shkruar 130 vjet përpara! Tërësisht jashtë kohe! Kjo është ndoshta arsyeja pse nisa të shkruaj prozë me vonesë. Sepse mu desh të lexoja njëherë letërsinë bashkëkohore.
Dedja u ndal edhe te nje tjetër libër i tij, “Tregmitar i madh”.
Shkruaj edhe në italisht. Përpiqem te botoj, zakonisht vijnë refuzime. Romani lexohet më shumë se tregimet. Është e çuditshme kjo në vendin ku ka lindur Dekameroni. Thonë që tregimi nuk shitet.
Në librin “Tregmitari i madh” kam shkruar tregime të zhanreve të ndryshme. Ka autofiction, ka fantastiko-shkencore, dhe ka një tregim historik.
0 Comments: