“Po deshe të mbarohet puna, merr një grua”, kryetema e fushatës elektorale të kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet e 11 Majit, përpos pasaportës europiane, ishin gratë, jo vetëm si pjesëmarrëse në votim, por edhe shtylla kryesore për të ardhmen politike të vendit.
Socialistët i hapën aktivitetet e tyre që në ditën e parë, duke zhvilluar 12 mitingje njëkohësisht me gratë e çdo qarku, duke dhënë sinjalin se në këto zgjedhje, vota e tyre do të ishte vendimtare.
Nga Tirana, Rama parashikoi se gratë do të zgjidhnin flamurin kombëtar dhe jo “kënetën” e opozitës, ndërsa u kërkoi votën me premtimin se në 2030, Shqipëria do të ketë një kryeministre grua.
Burrave nga ana tjetër, kryeministri nuk ua kursye etiketimet, duke i quajtur “çyrykë” dhe “budallenj”.
Në fund të dhënat treguan një realitet tjetër: Vetëm 42.80% e zgjedhësve që votuan më 11 maj ishin gra, e përkthyer në shifra, 441 mijë e 327. Pjesa tjetër 58%, pra më shumë se shumica që edhe përcaktuan rezultatin final, ishin meshkuj.
Retorika e vazhdueshme e kryeministrit se gratë janë ato që vendosin, nuk u përkthye në një rritje të pjesëmarrjes së tyre. Përkundrazi krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, numri i grave që votuan ra me mbi 340 mijë.
Sipas shifrave zyrtare të KQZ, në2021, 44.99 % e votuesve ishin gra, 799 mijë e 094 vota.
Edhe në qarkun e Dibrës ku kryeministri sulmoi drejtpërdrejt burrat, sërish përqindja e votuesve gra ra nga 53.44% në 2021, në 51.72% këtë vit.
Megjithatë Dibra rezultoi si qarku ku socialistët jo vetëm nuk humbën, por fituan, duke përmbysur rezultatin e katër viteve më parë, në favor të tyre.
0 Comments: