MC Networking

"Nuk jemi shtojcë e Rusisë", Tsikhanouskaya: Populli bjellorus kërkon t’i bashkohet botës së lirë

Në Samitin e Komunitetit Politik që u mbajt në Tiranë, Bjellorusia u përfaqësua nga Svjetllana Cihanovskaja, e cila prej katër vitesh drejton opozitën në vendin e saj. Në një intervistë me MCN, ajo shprehet se ky përfaqësim ishte një mundësi që Europa të dëgjojë zërin e popullit të saj. Liderja e opozitës bjelloruse thotë se Europa nuk duhet ta shohë vendin e saj si kauzë të humbur, por duhet ta bëjë pjesë të planeve të saj strategjike. 

Znj. Cihanovskaja, në çfarë cilësie u ftuat në samit? 

Isha e ftuar në këtë samit si lidere e forcave demokratike të Bjellorusisë. Edhe pse Bjellorusia nuk është e përfshirë direkt për momentin në IPC, për shkak të diktatorit të paligjshëm që është në pushtet në vendin tim, i jam shumë mirënjohëse kryeministrit Edi Rama, i cili ka ndërmarrë këtë hap dhe na ka siguruar një vend në këtë platformë, në mënyrë që zëri i popullit bjellorus të dëgjohet. Sepse është shumë e rëndësishme që Europa të dëgjojë zërin e popujve dhe jo atë të diktatorëve.

A ka mbështetje nga BE për opozitën bjelloruse?

Përpjekjet tona për demokratizimin e Bjellorusisë kanë pothuajse 5 vjet. Është e vështirë të kesh përballë në betejë një diktator sepse diktaturat janë brutale dhe rruga drejt demokracisë është e shtruar me dhimbje, lot e vuajtje, sepse në Bjellorusi ka me mijëra të burgosur politikë. Asnjë luftë, në rastin e Ukrainës, dhe asnjë betejë nuk mund të fitohet vetëm. Për çdo fitore na duhen aleatë. Dhe jam e lumtur që shoh se kemi kaq shumë aleatë në mesin e vendeve demokratike. Në Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara, Kanada, Britani e Madhe. Përgjatë këtyre viteve kemi parë solidaritet. Ne kemi parë sesi vendet demokratike e kanë dënuar regjimin për krimet kundër njerëzimit, krimet e agresionit, krimet e luftës, rrëmbimin e fëmijëve ukrainas. Regjimit të Lukashenkos i janë vënë sanksione të rënda. Lukashenko nuk është njohur si drejtuesi legjitim i vendit. Ai është i izoluar, sepse bota demokratike po bashkëpunon me forcat demokratike. Ky është një sinjal i qartë se nuk jeni në anën e së keqes, por ju ndihmojmë ju të arrinit synimet tuaja. Pra, nga njëra anë, aleatët tanë ushtrojnë presion mbi regjimin, ndërsa nga ana tjetër është puna ime t’i asistoj forcat demokratike, me programe për të rinjtë, për shoqërinë civile, për mediat tona. Shteti ynë është marrë peng nga diktatori dhe ne na duhet që në një mënyrë a një tjetër t’ia dalim me forcat tona. Ne kemi marrë mbështetje nga aleatët tanë, por sigurisht që mund të bëhet edhe më shumë. Sa u takon sanksioneve, duhen mbyllur të gjitha shtigjet. Po ashtu, shumë probleme të atyre që janë në ekzil nuk janë zgjidhur. Pra, ka shumë hapësira për të bashkëpunuar me forcat demokratike bjelloruse. Dyert tona për Europën janë të hapura.

Si ndikon konflikti në Ukrainë në situatën në Bjellorusi?"

Fati i Bjellorusisë dhe Ukrainës janë të ngjashme. Ato janë vende të lidhura me njëra-tjetrën. Rusia nuk e sheh asnjërën prej tyre si shtet të ndarë dhe të pavarur prej saj. Na sheh si fëmijë që janë rritur dhe tani duan të zgjedhin të ardhmen e vet. Rusia thotë: Jo, ju jeni të mitë. Duhet të ktheheni në familje. Por ne jemi vende europiane. Duam të kthehemi në Europë, të cilës historikisht i përkasim. Prandaj ne e meritojmë ta zgjedhim vetë të ardhmen tonë. Sigurisht, rezultati i negociatave në Ukrainë është me rëndësi shumë të madhe edhe për Bjellorusinë. Sepse nëse arrihet paqja sipas kushteve të Ukrainës, me mbështetjen e botës demokratike, kjo do të thotë që Putin do të dobësohet dhe si pasojë do të dobësohet edhe Lukashneko. Sepse Lukashenko është shërbetor i Putinit dhe Putin e mbështet politikisht dhe ekonomikisht. Pra, fitorja e Ukrainës do t’i japë Bjellorusisë një mundësi të re për ta çmontuar këtë regjim. Dhe ne si popull jemi gati për këtë. Tani puan jonë është ta dobësojmë këtë regjim dhe ta forcojmë kombin bjellorus. Duhet të bëhemi gati për këtë moment. Jo vetëm ne, por aleatët tanë demokratikë.

Si shjegohet jetëgjatësia në pushtet e Lukashenkos?

Ka shumë arsye që diktaturat janë në këmbë. Nga njëra anë janë popujt dhe shoqëritë, sepse ishim ne ata që nuk ishim shumë të vendosur në fillim. Kur Lukashenko nisi të ndërtonte diktaturën e tij, ne ishim... duhet të kuptoni që kur ndodhi kjo ishte ajo koha e varfërisë postsovjetike. Kishte shumë varfëri, jeta ishte ë vështirë për bjellorusët dhe Lukashenko u shfaq me premtimin se do t’ua përmirësonte jetën. Shpërndau mesazhe populiste. Dhe njerëzit ishin të përqendruar te mbijetesa, sa nuk e panë të nevojshme të bëheshin pjesë e politikës. Në këtë mënyrë, Lukashenko ia doli të ndërtonte një sistem që t’i shërbente atij. Këtë bëjnë të gjithë diktatorët. Ndërtojnë sistemin e vet, një aparat të tillë, që në rast kryengritjesh, të mos e kenë të vështirë t’i shtypin ato. Nga ana tjetër, nuk mund të fajësoj vetëm popullin bjellorus, sepse pas çdo zgjedhjeje, përveç atyre të parave, ka pasur protesta masive dhe populli u ka thënë aleatëve perëndimorë: shikoni, zgjedhjet janë manipuluar, Lukashenko e shtyp popullin bjellorus, kemi pasur gjithmonë të burgosur politikë, kundërshtarët politikë të Lukashenkos janë zhdukur gjithmonë. Dhe ka pasur gjithmonë njëfarë shkëmbimi për Lukashenkon: bota i vendoste sanksione regjimit të tij dhe i shkëmbente me lirinë e 5-6 të burgosurve politikë. Sanksionet hiqeshin dhe të gjithë i ktheheshin normalitetit. Pra Lukashenko nuk është ndëshkuar kurrë për krimet e tij, për manipulimin e zgjedhjeve dhe kjo ishte një carta biancha për të. Gjeografikisht ne kemi një pozicion strategjik mes Rusisë dhe Perëndimit dhe Lukashenko ka luajtur gjithmonë me këtë. Në dimër bëhej mik me Rusinë se i duhej naftë dhe gaz me çmim të ulët, në verë i duheshin para për investime dhe bënte miqësi me Europën. E ka luajtur gjithmonë këtë lojë. Kjo është mënyrë si mbijetojnë diktatorët. Ulen në dy karrige në të njëjtën kohë. Diktatorët nuk e respektojnë demokracinë, sepse liderët e demokracisë ndërrohen shpesh. Njëri mund të ketë parime dhe nuk pajtohet kurrsesi me diktatorët, por tjetri, që mund të zgjidhet nga populli, mund të jetë më besnik ndaj diktatorëve. Kjo u shkon për shtat diktatorëve. Ata mund të presin për politikanin e radhës, ndërsa helmojnë  mendjen e popullit me deklarata ti: Pse duhet të kujdesemi ne për vende të tjera? Pse duhet të mbështetim përpjekjet për demokraci në vendet e tjera? Shijoni jetën, keni një vend shumë  të bukur, pse duhet të solidarizoheni me ta? Fatkeqësisht, kjo mund të ngjisë te njerëzit.

Unioni me Rusinë dhe partneriteti me të e suprimon pavarësinë e Bjellorusisë?

Le të jemi të qartë këtu. Duhet të ndajmë regjimin e Lukashenkos nga populli bjellorus. Ky i fundit nuk do as bashkim dhe as aleancë me Rusinë perandorake. Ai e kupton se Rusia kërkon ta nënshtrojë Bjellorusinë, do të shkatërrojë identitetin tonë kombëtar, do të fshijë gjithçka. Rusia do që Bjellorusia të bëhet Rusi. Por synimi i popullit bjellorus është Europa. Ne jemi komb europian. Popull që ka punuar shumë, që i bindet ligjit dhe ndajmë me ju vlerat europiane. Është në interesin e Lukashnekosh të jetë afër Rusisë, sepse Putin e mbështet politikisht edhe ekonomikisht. Putinit i duhet Lukashenko në këtë moment. Sepse Lukashenko është një aleat që blihet lirë, që mund t’i sigurojë atij çfarë dëshiron. Pra, Lukashenko i shërben interesit të Putinit dhe jo atij të Bjellorusisë. Atij nuk i bëhet vonë për Bjellorusinë. Ai po përpiqet të lidhet fort me Rusinë, por po e bën këtë kundër vullnetit të popullit bjellorus.

Minsku është akuzuar se qëndronte pas valës migratore dy vjet më parë. Si qëndron e vërteta? 

Sulmet e emigracionit te fqinjët tanë në perëndim, Letonia dhe Lituania, nuk ishin të natyrshme. Ishin të orkestruara nga regjimi bjellorus. Sollën një numër të madh njerëzish dhe i bënë të kalonin kufijtë, në mënyrë që të krijohej presion te fqinjët, të shantazhoheshin dhe të mbaheshin nën stres. Këto janë mjete që i përdorin diktatorët. Jeta e këtyre njerëzve nuk ka asnjë vlerë për diktatorët. Mund t’i sakrifikojnë pa problem. Shumë prej tyre kanë vdekur në kufij dhe as kanë guxuar të fajësojnë dikë, sepse përgjegjësi është Lukashenko. Nëse i lejojmë emigrantët t’i kalojnë kufijtë kaq lehtë, Lukashenko do të vijojë të sjellë të tjerë. Do të fitojë para dhe ky do të bëhet biznesi i tij i ri. Por ata janë njerëz, që besojnë se mund t’i kalojnë kufijtë në mënyrë të paligjshme. Pra po luhet me jetën e këtyre njerëzve dhe ne duhet ta ndalim këtë lojë. Por për ta bërë këtë, duhet t’i shkojmë problemit në bërthamë. Dhe bërthama është diktatori. Nisi para dy vjetër por ende vazhdon ky sulm i emigrantëve që nuk ndalon, edhe pse Lituani dhe Polonia kanë ndërtuar mure me Bjellorusinë. Sulmet vazhdojnë, ka sulme ndaj policisë. Nuk mund të luftosh me pasojat e politikës së Lukashenkos, duhet luftuar me thelbin e problemit.

Mendoni se mbështetja europiane mjafton duke parë atë që po ndodh në Gjeorgji dhe në Ballkan?

Për popullin bjellorus është e rëndësishme të shpërndahet e vërteta. Për rëndësinë strategjike të vendit tonë për paqen dhe sigurinë në Europë. Mendoj se në disa raste, Bjellorusia ka qenë e braktisur, e harruar dhe jashtë fokusit. Sigurisht, e kuptoj me gjithë çfarë po ndodh në Europë. Ukraina ka vend parësor në axhendë, e kuptojmë këtë. Por ndonjëherë duket se Bjellorusia anashkalohet dhe politikanët nuk i kuptojnë pasojat e kësaj. Sepse nëse populli bjellorus nuk ndihmohet për të demokratizuar vendin, Bjellorusia do të jetë burim i vazhdueshëm kërcënimi. Do të ketë shantazh për armët bërthamore, sulme emigracioni, stërvitje të përbashkëta Rusi-Bjellorusi në kufijtë me Ukrainën, Poloninë apo Lituaninë. Lukashenko në pushtet do ta mbajë gjithmonë Europën nën stres, se bashku me Putin. Prandaj, kur mendohet strategjikisht për rajonin, për Europën, nuk duhet të përjashtojmë Bjellorusinë. Mos e mendoni si çështje të humbur, nuk jemi shtojcë e Rusisë. Jemi vend dhe komb i pavarur që do t’i bashkohet botës së lirë. Nëse Bjellorusia anashkalohet, apo i lihet Putinit për ta ngushëlluar në procesin e negocimit, mund të ketë pasoja të rënda. Dhe jo vetëm për popullin në Bjellorusi, por edhe për vetë Europën. Prandaj i duhet kushtuar më shumë vëmendje Bjellorusisë, shtypjes atje, të burgosurve politikë......

Duhet ndihmuar media e lirë në Bjellorusi. Është shkatërruar në vend, por transmetohet nga jashtë. Por duhet suport teknik. Duhet të them se çdo euro e shpenzuar në mediat bjelloruse e bën Putinin të shpenzojë 10-fish në propagandën e tij. Është shumë thelbësore kjo për betejën tonë atje.

E mirëpres vendimin e Europës për të rritur kapacitete e saj ushtarake, por duhet të them se vetëm kapacitetet ushtarake nuk kanë asnjë vlerë pa popujt që janë gati të mbrojnë tokën e tyre. Ne nuk e dimë nëse Europa do të sulmohet. Diktatorët janë të çmendur, nuk mund t’i parashikojmë. Por nëse ndodh, njerëzit duhet ta dinë se çfarë por mbrojnë dhe kundër kujt po luftojnë. Pra është shumë e rëndësishme të flasësh me qytetarët. Ju e keni demokracinë dhe mund të mendoni se do të jetë përgjithmonë, por ajo nuk mbijeton vetë. Secili duhet të kontribuojë për të.

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top