Politologu Ilir Kalemaj tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se shit-blerja e votës në zgjedhjet e 11 majit ka qenë në shkallë industriale.
Sipas Kalemajt opozita e ka për detyrë të zhvillojë protesta dhe mandej analiza për humbjen.
“Unë s’mendoj që zgjedhjet vidhen në kuti, por që shit-blihen kohë para votimit, këtë askush s’mund ta vërë në diskutim, sepse ka shumë evidenca, nga vota e diasporës me raport 9-1, nga 42 mijë të regjistruar janë 43 mijë votimi, treni bullgar i famshëm, fletat me ngjyra të ndryshme, apo kandidatët për deputet që s’i njihte askush në kufijtë e 20 mijë votave. Të gjitha këto tregojnë që votat shiten dhe blihen si në pazar, dhe në këtë sens opozita e ka për detyrë ta denoncojë si fenomen dhe të kërkojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kur një proces zgjedhor s’ka mbaruar ende është procesi i mbajtjes gjallë të denoncimit të procesit, edhe në skenën ndërkombëtare dhe brenda vendit. Nëse e pranon si rezultat, tregon që ti ke humbur thellë. Ky është fatalitet që në çdo zgjedhje përkeqësohemi. Unë mendoj që jemi përkeqësuar. Ka kaq shumë paradokse sa PS-së i ka dalë situata nga kontrolli, shkalla e shit-blerjes së votës ka qenë e tillë sa mund të ketë shkuar në shkallë industriale. Prandaj mendoj se është detyrë opozitare protesta dhe mandej analiza”.
Politologu theksoi se me këtë Kod Zgjedhor partitë e reja nuk fitojnë mandate. Duke folur mbi Samitin e Tiranës Kalemaj tha që ky event s'ka lidhje me njohen e zgjedhjeve.
0 Comments: