Një konflikt mes disa personave ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në zonën e ‘Ali Demit’ në Tiranë. Policia informon për një sherr mes disa personave në ambientet e zyrës elektorale të një force politike, ku është thyer dhe xhami i zyrës elektorale.
Policia bëri të ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur dy fishekë luftarakë. Pamjet tregojnë se zyra elektorale ku ndodhi ngjarja i përket PSD-së së Tomë Doshit.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:00, në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasish, në ambientet e një zyre elektorale.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral.
Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak.
Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e motivit të konfliktit dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.
Pak minuta pas ngjarjes, PSD reagoi me një deklaratë, me të cilën mohon çdo përfshirje në konfliktin e ndodhur, duke theksuar se ngjarja nuk ka lidhje me zyrën.
“Ngjarja e ndodhur këtë mesditë në rrugën ‘Ali Demi’ nuk ka asnjë lidhje me zyrën tonë elektorale apo me aktivitetin e Partisë Socialdemokrate. Asnjë nga anëtarët apo simpatizantët tanë nuk ka qenë i përfshirë në konfliktin në fjalë,” thuhet në reagimin e PSD.
0 Comments: