MC Networking

Një tjetër adoleshent i jep fund jetës/ Psikologia Çelo: Presioni social dhe bullizmi, ndër shkaqet kryesore (VIDEO)

Ngjarja tragjike që ndodhi në fshatin Valarë të Gjirokastrës, ku një 17-vjeçar u vetëvra në banesën e tij, ka tronditur thellë opinionin publik dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e shëndetit mendor tek të rinjtë.

Ky është rasti i tretë brenda pak muajsh në Qarkun e Gjirokastrës, ku një adoleshent i jep fund jetës.

Fibank

Psikologia Destemona Çelo, në një intervistë për “MCN Lajme”, thekson se jemi përballë një situate alarmante që kërkon ndërhyrje të menjëhershme, si në nivel individual, ashtu edhe institucional.

Ajo numëron shkaqet e mundshme të vetëvrasjeve të njëpasnjëshme në komunitete të vogla dhe jo vetëm.

Në komunitetet e vogla, faktorët dhe shkaqet shpesh përforcojnë njëra-tjetrën.

Do ta nisja me një problem të shëndeti mendor ku mund të mos jetë kuptuar kurrë nga familjarët, mjedisi i shkollës, ose edhe nga bashkëmoshatarët.

Gjithashtu një humbje e mëparshme që na jep edhe atë idenë e efektit zinxhir të vetëvrasjeve, ndonjëherë adoleshentët dhe fëmijët krijojnë idenë ose identifikimin me viktimën, ose mendojnë se të njëjtat ndjesi ose i përjetojnë ose i kanë përjetuar më parë dhe vendosin veten në vendin e tjetrit dhe kjo mund të nxisë një zinxhir të vetëvrasjeve në vazhdim.

Një arsye tjetër mund te jetë opresioni social por dhe bullizmi dhe jo vetëm ai i njohur, fizik dhe verbal por edhe ai kibernteik ose i mediave sociale që është i pashprehur dhe i fshehur dhe i vështirë për ta identifikuar dhe nga familjarët dhe shkolla gjithashtu.

Psikologia apelon që bashkëmoshatarët, prindërit dhe mësuesit të jenë më të vëmendshëm dhe të raportojnë çdo ndryshim që vënë re te një i ri.

Bashkëmoshatarët, prindërit dhe mësuesit duhet të jenë më të vëmendshëm dhe të raportojnë çdo ndryshim që vënë re te një adoleshent ose fëmijë në shkollë.

Është me interes rëndësia e ngritjes së vetëdijes për shëndetin mendor dhe domosdoshmërinë e trajnimit të stafit pedagogjik dhe gjithë rrethit që ndikon në jetën e të rinjve.

Edhe mësuesit edhe bashkëmoshatarët mund t’i vene re këto ndryshime në sjellje te një nxënës, që janë një izolim social ose një tërheqje e menjëhershme.

Duhet të ndërtojmë një kulturë të hapur ku fëmijët dhe të rinjtë ndihen të sigurt për të folur për ndjenjat e tyre.

Shëndeti mendor nuk mund të jetë më një temë tabu.

 

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top