MC Networking

Vetëvrasja e 17-vjeçarit në Gjirokastër / Qirko: Nuk përjashtohet bullizmi si shkak. Policia dhe Prokuroria po hetojnë rastin tragjik

Një ngjarje tragjike ka tronditur jo vetëm fshatin Valarë të Gjirokastrës, por mbarë opinionin publik.

 Një 17-vjeçar i dha fund jetës së tij duke u vetëvarur në banesën e familjes, në rrethana që ende po hetohen.

Gazetarja e MCN, Jonida Qirko, nga vendgjarja, ka raportuar për edicionin informativ të MCN TV duke theksuar se, bazuar në informacionet paraprake dhe profilin e të riut, nuk përjashtohet mundësia që në këtë rast të ketë ndikuar bullizmi.

Fibank

Qirko rikujtoi gjithashtu se një ngjarje e ngjashme ndodhi në muajin shkurt me adoleshenten Irsa Muçollari, e cila u vetëvar mes dyshimeve për bullizëm nga bashkëmoshatarët dhe mësuesit.

Sipas saj, policia dhe Prokuroria janë duke hetuar për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Vehip Peçi ishte nxënës me rezultate të shkëlqyera në gjimnazin “Siri Shapllo” dhe ndiqte dy kurse shtesë, në informatikë dhe anglisht. Ai jetonte me prindërit dhe dy motrat e tij të vogla, 10 dhe 3 vjeçe. Familja kishte një gjendje të mirë ekonomike dhe kishte jetuar për disa vite në emigracion në Greqi.

Të njohurit e përshkruajnë si një djalë të zgjuar, por të tërhequr dhe pak të shoqërueshëm. Familja e tij njihej për një rreth të ngushtë shoqëror, kryesisht të përbërë nga të afërmit më të afërt.

Të afërm të familjes, në biseda jashtë kamerave, shprehën shqetësimin se rasti i Vehipit mund të ketë ngjashmëri me atë të Irsa Muçollarit.

Nuk përjashtohet fakti i ndonjë bullizmi të mundshëm, policia dhe prokuroria po heton rastin.

Kjo ngre edhe një herë shqetësimin mbi problematikat që mund të përjetojnë të rinjtë dhe rolin që duhet të luajë komuniteti arsimor, familja dhe institucionet përgjegjëse për parandalimin e tragjedive të tilla.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të zbuluar motivet e plota të kësaj vetëvrasjeje, ndërsa komuniteti lokal është i tronditur dhe në kërkim të përgjigjeve.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top