Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi sot fshatin Valarë të Gjirokastrës, ku një 17-vjeçar i dha fund jetës duke u vetëvarur në banesën e tij.
MCN tv ka udhëtuar drejt këtij fshati për të mësuar më shumë rreth rrethanave të ngjarjes tragjike që ndodhi vetëm pak orë më parë.
I riu, Vehip Peçi, është gjetur pa shenja jete rreth orës 13:30 nga familjarët e tij në banesën trekatëshe.
Ata e kanë dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal “Omer Nishani” të Gjirokastrës, por fatkeqësisht mjekët konfirmuan se ai kishte ndërruar jetë.
Në një bisedë jashtë kamerave me korrespondenten e MCN, Jonida Qirko, gjyshi i të ndjerit shprehet i shokuar, duke e përshkruar nipin si flori, dhe se askush nuk e kishte menduar një veprim të tillë nga ai.
Vehipi ishte nxënës me rezultate të larta në gjimnazin “Siri Shapllo”. Ai ndiqte gjithashtu dy kurse shtesë, informatikë dhe anglisht. Jetonte me prindërit dhe dy motrat e tij të vogla, përkatësisht 10 dhe 3 vjeçe. Familja kishte një gjendje të mirë ekonomike dhe kishte jetuar për disa vite në emigracion në Greqi.
Të njohurit e përshkruajnë si një djalë të zgjuar, por pak i shoqërueshëm. Edhe familja e tij njihej si e tërhequr, duke mbajtur kontakte të ngushta vetëm me njerëzit më të afërt në fshat.
Të afërm të tjerë të familjes, jashtë kamerave, kanë shprehur shqetësimin se kjo ngjarje mund të jetë e ngjashme me rastin e Irsa Muçollarit, vajza që në muajin shkurt i dha fund jetës po në të njëjtën mënyrë, mes dyshimeve për bullizëm nga shokët e klasës dhe mësuesit.
Nuk përjashtohet mundësia që edhe në rastin e Vehipit të kenë ndikuar faktorë të tillë, ndërsa policia dhe prokuroria janë duke hetuar për të zbuluar shkaqet e sakta të ngjarjes.
Ky është rasti i tretë në pak muaj që një adoleshent në Gjirokastër i jep fund jetës, duke ngritur alarmin për gjendjen emocionale të të rinjve dhe për nevojën për ndërhyrje në sistemin arsimor dhe marrëdhëniet familjare.
0 Comments: