Papa Françesku ishte i pranishëm në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit mesditën e së dielës. Në një karrige me rrota, Papa bekoi turmën dhe i uroi “Gëzuar Pashkët” përpara se të linte drejtuesin e ceremonisë që të lexonte mesazhin e tij Urbi et Orbi.
Këtë vit, Papa shënjestroi “mizorinë e konflikteve” ku tha civilët janë shënjestra ndërsa shtoi se çdo jetë është e çmuar.
Duke iu referuar konfliktit në Lindjen e Mesme, ai denoncoi një situatë dramatike humanitare.
Unë jam afër vuajtjes së të krishterëve të Palestinës dhe Izraelit, si dhe të të gjithë popullit izraelit dhe të gjithë popullit palestinez.
U bëj thirrje palëve ndërluftuese: pushoni zjarrin, le të lirohen pengjet dhe le t’i jepet ndihma e çmuar popullatës së uritur që dëshiron një të ardhme paqeje!
Papa Françesku, 88 vjeç, ende në fazë shërimi pas shtrimit në spital, denoncoi “krenarinë djallëzore” që çon në luftëra, duke nisur këtë thirrje në frymën e Pashkëve: “Çdo jetë është e çmuar. Do të doja që të fillojmë të shpresojmë përsëri se paqja është e mundur!”
Më pas ai shqyrtoi të gjitha zonat e konfliktit anembanë globit, duke u lutur:
Krishti i Ngjallur shpërndaftë dhuratën e Pashkëve të paqes mbi Ukrainën e plagosur dhe inkurajoftë të gjithë aktorët që të vazhdojnë përpjekjet për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Nuk është e mundur paqja atje ku nuk ka liri fetare, as liri mendimi dhe shprehjeje, as respekt për mendimet e të tjerëve.
Sa i përket “armëve” të paqes, ai këshilloi të mos dorëzohen para logjikës së frikës që burgos, por të përdoren burimet në dispozicion për të ndihmuar njerëzit në nevojë, për të luftuar urinë dhe për të promovuar nisma që nxisin zhvillimin.
Duke reflektuar mbi domethënien e Pashkëve dhe “dritës së saj të paqes” për të cilën ai u shpreh i gëzuar që këtë vit po festohet në të njëjtën ditë nga katolikët dhe ortodoksë, kreu i Kishës Katolike tha se
Falja e ka mposhtur hakmarrjen. E keqja nuk është zhdukur nga historia jonë, do të mbetet deri në fund, por nuk ka më dorën e parë, nuk ka më fuqi mbi ata që e mirëpresin hirin e kësaj dite.”
0 Comments: