Dritan Çaka, anëtar i Komisionit Rregullator në KQZ, tha në MCN Live se sistemi i skanimit dhe gjurmimit e pamundëson që një personi t’i shkojë dy herë fleta e votimit, duke iu përgjigjur kësisoj ankesave të PD në lidhje me përgatitjen e dokumentacionit zgjedhor.
Çaka tha procedura e votimit dhe dorëzimit të zarfeve duhet të përmbyllet deri në 5 maj, pasi në të kundërt është në rrezik në raport me vlefshmërinë. Ai tha se sot po nisen fletët e para të votimit, proces që do të përmbyllet deri më 25 prill.
“Ka patur një konstatim në radhë të pare nga vet operatorët që po punojnë pranë KQZ-së, për të bërë të mundur zarfimin e dokumentacionit zgjedhor që do t’u shkojë zgjedhëse. Ka pasur disa tipologji problemesh që janë normale. Janë dhënë disa zarfe që kanë patur këtë problematikë, me të njëjtin emër dhe mbiemër kanë qenë të dubluara disa zarfe.
Është çështje teknike që kapet që në momentin e parë. Por nuk mundet që të njëjtit person t’i shkojë dy herë fleta e votimit, pasi procesi s’është vetëm mekanik, por edhe elektronik. Operatori postar s’e mundëson një gjë të tillë, pasi zarfet do kalojnë në sistem skanimi elektronik, ku automatikisht sistemi s’e lejon që për një person të ketë dy zarfe. Është e pamundur nga sistemi i gjurmimit”.
Çaka tha se brenda datës 19-20 do shkojnë fletët e para të votimit te shtetasit që jetojnë jashtë, ndërsa shtoi se shërbimi postar mund t’i shkojë deri në 3 herë në banesë.
“Sot ka filluar që operatori postar të marrë dërgesat e para. Sot do fillojë dërgimi i zarfeve në vendet ku shtetasit shqiptar banojnë dhe punojnë. Besoj që brenda datës 19-20 do shkojnë fletët e para të votimit te shtetasit që jetojnë jashtë. Ka filluar me Beratin dhe Dibrën. Zarfi do merret nga personi me emër dhe mbiemër. Nëse operatori s’e gjen në momentin e parë do t’i lërë një orar të dytë, dhe të tretë.
Nëse s’e gjen as herën e tretë do t’i lërë një njoftim që ka të drejtën të paraqitet në zyrën e DHL, për ta tërhequr zarfin. Shumë e rëndësishme është që votuesi të votojë sa më shpejt, dhe vota të kthehet jo më vonë se 72 orë pas marrjes së zarfit. Procedura duhet të mbyllet në vlerësimin tim deri në 5 maj, pas 5 majit mund të jetë në rrezik për plotësimin e vlefshmërisë. Edhe zgjedhësve të fundit është menduar që fletët t’i shkojnë më 25 prill”.
Duke folur mbi fushatën e zgjedhjeve të 11 majit Çaka tha:
“Retorika ka qenë jo pozitive dhe do vazhdojmë të jemi në të njëjtin trend. Sa i takon financimit akoma s’ka raportime nga subjektet zgjedhore, jemi akoma herët për të parë pjesën e dokumentacionit. Këto zgjedhje do jenë më të kushtueshme, pasi KQZ ka rritur limitin e fondeve që mund të përdorin partitë. Është vendosur një limit deri në 3 milionë për vetfinancimin e kandidatëve”.
I pyetur nëse bashkëpunimi me SPAK do sjellë integritet në proces, ai u shpreh:
“Unë besoj që po. Fushata s’është më ajo e viteve të kaluara. Edhe nga vet personat e përfshirë në fushatë ka një ndërgjegjësim dhe frikë më të madhe në komportimin me ligjin. Te njerëzit ka një frikë më të madhe, dhe janë më të kujdesshëm në respektimin e akteve ligjore. Presioni i SPAK do sjellë një element pozitiv”.
0 Comments: