MC Networking

Rezidenca banimi nga Tirana në Vlorë, projektet e arkitektit Davide Macullo në Shqipëri

Në një artikull për revistën arkitekturës, artit dhe dizajnit, “Designboom” janë treguar detaje nga projektet e reja të arkitektit zviceran Davide Macullo në Shqipëri. 

Bëhet fjalë për rezidenca banimi që do të ngrihen në Tiranë dhe Jug të Vendit. Një nga projektet është  “The Leaves” (Gjethet) në Vlorë, Valona Hills (Kodrat e Vlorës) në bregdetin Jugor, si dhe “The Seed” (Fara), që thuhet se do të ngrihet në një zonë të pyllëzuar të Tiranës.

Në artikull vihet në dukje se kemi të bëjmë me tri projekte do marrin formë në peizazhe të ndryshme, por që kanë një të përbashkët, “gjuhën arkitekturore që vë në plan të parë dimensionin e hapjes, ndjeshmërinë ekologjike dhe rehatinë e njeriut”. Hoteli Rezi Dream është po ashtu një projekt i frymëzuar nga kalatë historike të Shqipërisë. 

The Leaves” (Gjethet) do të vendoset në Vlorë, midis malit dhe detit, duke shpërfaqur një lloj dualizmi në filozofinë e ndërtesës. Bëhet fjalë për një kullë rezidenciale që do strukturohet në dy vëllime të ndërlidhura, që ngrihen mes kreshtave dhe luginës së zonës.  

“Valona Hills” (Kodrat e Vlorës) thuhet se ka si prioritet të reduktojë dendësinë duke adresuar kësisoj edhe një prioritet lokal. Po ashtu inkurajohen këmbësorët, duke i dhënë përparësi ecjes dhe fushëpamjes së gjerë. 

I vendosur në një pjesë të pyllëzuar të Tiranës “The Seed” (Fara) është një projekt ku për objektet do të përdoret veshja me gurë, ngjyrat e ngrohta, materialet natyrore, dhe një arkitekturë që favorizon horizontalitetin dhe qetësinë.

Po ashtu në projekt parashikohen edhe kopshte të vogla të gjelbra që dalin nga tarracat dhe ballkonet e rezidencës. Në artikull thuhet se ky projekt po ashtu ruan etikën e studios për të inkurajuar ecjen për këmbësorët. Mbi 70% e zonës i është lënë gjelbërimit, duke përforcuar ndjenjën e të jetuarit brenda natyrës.

Sipas arkitektit të gjitha janë zgjatime të së njëjtës logjikë, dizajnimi në harmoni me terrenin, dhe jo thjesht vendosja e objekteve mbi terren. 

"Qëllimi ynë,"- thotë arkitekti Macullo, "është që këto ndërtesa të integrohen në mënyrë harmonike në mjedisin e tyre, duke pasuruar mjedisin dhe duke i bërë njerëzit të ndihen të qetë përmes ndërveprimit të tyre me dritën, ngjyrën dhe formën, duke frymëzuar gjithashtu kuriozitet për kuptimin e tyre."  


 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top