Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi u lind në Tiranë më 2 janar 1956. Ai u bë pjesë e kishës nëndheshme gjatë periudhës së persekutimit fetar dhe pas një karriere në Shërbimin Psikiatrik të Tiranës, u shkollua në SHBA, ku u diplomua në teologji.
Pasi u kthye në Shqipëri në vitin 1992, filloi të punonte si pedagog në Akademinë Teologjike, duke u urdhëruar si prift dhe më pas si mitropolit i Korçës në vitin 1998.
Gjatë karrierës së tij, Imzot Joan ka kontribuar në përkthimin e literaturës teologjike dhe ka botuar artikuj të ndryshme. Ai ka themeluar dhe drejtuar revistën "Tempulli" dhe ka përfaqësuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në shumë ngjarje ndërkombëtare.
Gjithashtu, ai ka ndihmuar në zhvillimin e dialogut ndërfetar dhe ka ofruar ndihmë humanitare në Korçë, duke hapur një mensë për të varfrit.
Për kontributet e tij të shquara, ai ka marrë nderime të shumta dhe tituj të lartë, duke përfshirë "Qytetar Nderi" të Korçës dhe titullin "Doctor Honoris Causa" nga Universiteti "Fan S. Noli".
Sot, më 16 mars 2025, ai u zgjodh me votë unanime si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, duke pasuar Kryepeshkopin Anastas.
0 Comments: