MC Networking

Plagosja gjatë operacionit të policisë në Laç, gjykata e Lezhës lë në burg 28 vjeçarin (VIDEO)

Gjykata a Lezhës ka lënë  në “Arrest në burg”, 28 vjeçarin Klaudio Buraku dhe ka liruar kundrejt garancisë pasurore xhaxhain e tij Gjin Buraku, të dyshuar për plagosjen e një 26 vjecari tre ditë më parë.

Ngjarja ndodhi teksa forcat operacionale të Lezhës kishin marrë njoftim për vendndodhjen e Klaudio Burakut që rezultonte i shpallur në kërkim prej vitit 2023.

Dy personat e arrestuar pas të shtënave me armë ku mbeti i plagosur një i ri gjatë aksionit të forcave operacionale të policisë së Lezhës, u njohën me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyert të mbyllura gjyqtari Aldi Kareco, e cilësoi të ligjshëm arrestimin e 28-vjeçarit Klaudio Buraku, duke caktuar masën e sigurisë "Arrest në Burg", ndërsa xhaxhai i tij Gjin Buraku i cili dyshohet se plagosi me armë zjarri 26-vjeçarin me iniciale M.D u la i lirë kundrejt garancisë pasurore si dhe u vendos ndalimi i daljes së tij jashtë territorit shqiptar.

Xhaxha e nip u arrestuan nga policia të mërkurën e 13 marsit, teksa blutë kishin marrë informacion se një shtetas i kërkuar po lëvizte me automjet, në lagjen nr. 4, Laç.

Në momentin e ndërhyrjes për ndalimin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, dhe menjëherë kanë ndërhyrë ku u vunë në ndjekje të automjetit që lëvizi me shpejtësi, sapo u konstatuan shërbimet e Policisë.

Gjatë ndjekjes, automjeti që drejtohej nga Klaudio Buraku, në tentativë për t'iu shmangur shërbimeve, është përplasur me automjetin e shërbimeve operacionale të policisë, po policia arriti ta prangosë dhe gjatë kontrollit, blutë gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 kallashnikov) dhe municion luftarak.

28 vjecari Klaudio Buraku rezultonte i shpallur në kërkim që në vitin 2023, për armëmbajtje pa leje, kanosje dhe shkatërrim të pronës, ndërsa nga veprimet hetimore të kryera në vendngjarje, dyshohet se para se të ndërhynte Policia, në automjetin e tij ndodheshin dhe shtetas të tjerë.

Gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se shtetasi Gjin Buraku i afërm i shtetasit Klaudio Buraku, ka plagosur në këmbë, me armë zjarri pistoletë, shtetasin M. D., 26 vjeç, të cilin shërbimet e Policisë e transportuan menjëherë në spital dhe fatmirësisht ai është jashtë rrezikut për jetën.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top