MC Networking

Zvarritja e hetimeve për mbetjet e Kurum

 Data 16 korrik e vitit 2024. Në portalin global të krijuar nga Rrjeti i Aksionit të Bazelit vjen një informacion nga një burim anonim:

Janë 4 dërgesa me mbetje të rrezikshme zinku me kod Bazel 100207. Sigurisht që mallin e kanë deklaruar me kod HS të ndryshëm nga ky. Këto dërgesa do të arrijnë në Tajlandë Bangkok afërsisht ne datat 23-28 gusht 2024. Këto janë numrat për këto kontejnerëve të kompanisë Maersk. I njëjti grup personash kanë kontejnerë të bllokuar me të njëjtën ngarkesë nga viti i kaluar në Kinë me kontejnerët Maersk. Këto ngarkesa janë bllokuar për një kohë të gjatë në port, mund të kontrolloni dhe do të zbuloni se 115 kontejnerë të deklaruar si koncentrat të ulët të zinkut janë bllokuar për një kohë shumë të gjatë në portin e Guangzhou Nansha”, thuhet në email. 

Rrjeti i Aksionit të Bazelit është një organizatë jofitimprurëse me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila është themeluar në vitin 2009. Misioni i saj është të mbrojë shëndetin e njerëzve që shkaktohet nga ndotja mjedisore në nivel global dhe t’i japë fund tregtisë së mbetjeve toksike në emër të një ambienti të pastër. Fokusi kryesor i organizatës është respektimi i Konventës së Bazelit, marrëveshje ndërkombëtare të cilën e ka firmosur dhe Shqipëria dhe ka të emëruar për respektimin e saj një person të posaçëm pjesë e stafit të Ministrisë së Mjedisit. 

Ne jemi të fokusuar në parandalimin e tregtisë globale të mbetjeve të rrezikshme dhe të tjera mbetje problematike, që lëvizin përmes kufijve duke shfrytëzuar ekonomitë më të dobëta duke dëmtuar njerëzit dhe mjedisin. Ne jemi ekspertë dhe vigjilues të tregtisë ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme dhe Konventës së Bazelit, – Marrëveshje ndërkombëtare e krijuar për të minimizuar tregtinë e mbetjeve të rrezikshme. Organizata ka luajtur rol kyç në zbatimin ligjor të shumë arritjeve të Konventës dhe instrumenteve të lidhura me to, duke përfshirë Amendamentin e Ndalimit dhe ka ndërmarrë shumë iniciativa për të hetuar dhe raportuar mbi tregtinë globale të mbetjeve.”

Pas këtij emaili, një ditë më pas, Jim Puckett, drejtori i Rrjetit të Bazelit shkroi:

I dashur Fatra24,
Faleminderit shumë që na paralajmëruat. Ne verifikuam numrat e kontejnerëve të përfshirë. Pyetja jonë e menjëhershme për ju është nga e dini se materiali është një mbetje e rrezikshme? A është materiali nga pluhuri i furrës me hark elektrik (EAF) apo burim tjetër? A e njohim ne gjeneruesin e mbetjeve? A e dini se për çfarë qëllimi po eksportohet në Tajlandë? Pse qeveria kineze refuzoi hyrjen më parë? Dhe së fundmi, na tregoni ndonjë gjë për veten tuaj dhe nga e keni këtë informacion. Jeni nga Shqipëria?

Përgjigjja që mori ishte kjo:

I nderuar Zotëri,
Unë po ju bashkëngjis këtu një raport doganor nga Fangcheng ku thotë se mostra nga ngarkesa e ndaluar është mbetje. Isha në Fangcheng në një udhëtim pune për mineral kromi kur më thanë sa më sipër dhe më pyetën nëse di diçka nga kjo ngarkesë. Ata nuk lejuan që ngarkesa të hynte në Fangcheng, sepse ishte mbetje e rrezikshme dhe atëherë mora vesh për herë të parë për këtë ngarkesë. Po ju nis dhe raportin bashkëlidhur. Sipas disa personave në portin e Shqipërisë, ku kam qenë rastësisht gjatë ngarkimit të kësaj ngarkese të re në fund të qershorit, më është thënë, pasi nuk jam specialist, se është kryesisht pluhur EAF dhe zink skorje të përziera së bashku, keni fotot bashkëngjitur. Unë nuk jam me bazë në Shqipëri dhe nuk di informacione të tjera për t’ju ndihmuar më shumë.

Pas këtij emaili, punonjësit e Rrjetit të Bazelit nisën punën kërkimore, ku në bazë të numrave të faturimit të dhëna arritën të gjejnë kodet për 102 kontejnerë ngarkesë që po niseshin drejt Tajlandës nga kompania e transportit Maersk. Sipas fotografive të dërguara u arrit në përfundimin se ato ishin realizuar në Portin e Durrësit. Vetëm përmes fotografive dallohet qartë se nuk është marrë asnjë masë sigurie për punonjësit që ngarkojnë mbetjet në kontejnerë, të cilët janë pa maska, ndërsa pluhuri i mbetjeve duhet të ishte në qese ose fuçi të mbyllura. 
Nga fotot e dërguara u arrit që të vlerësohej lloji i mbetjeve nga ekspertët mjedisorë. Ja çfarë tregon organizata e Rrjetit të Bazelit për dyshimet se mbetjet që po niseshin drejt Tajlandës ishin EAF, grimca pluhuri që prodhohen nga furrat e çelikut. 

“Ne mund të vlerësonim natyrën e mbetjeve – duke treguar se ishte shumë në përputhje me pamjen e pluhurit të çelikut EAF, ngjyrë kafe dhe grimca shumë përfundimtare. Për më tepër, ka shumë pak rryma mbetjesh të prodhuara që janë në këtë formë pluhuri. Ky vlerësim më vonë u vërtetua me përshkrimin në BOL, i cili e përshkruante materialin si “grimca të imta të koncentratit të zinkut”.

Për sa i përket informacionit kinez të dhënë nga raporti i autoritetit doganor, ne mundëm të shihnim se dërgesa e mëparshme kishte përqindje të larta (më shumë se 8%) të plumbit metalik dhe të kuptonim vlerësimin e autoriteteve kineze se dërgesa ishte deklaruar gabimisht si xeheror dhe jo si mbetje dhe se materiali ishte toksik,” sqaron Rrjeti i Aksionit të Bazelit. 

Të alarmuar nga ajo që po ndodhte, organizata i shkruan më 24 korrik 2024 autoritetit kompetent të Konventës së Bazelit në Shqipëri dhe personit të kontaktit Elvana Ramaj për t’i paralajmëruar për shqetësimin e transportit të mbetjeve të rrezikshme. 

Njoftuam se mbetjet ndodheshin në dy anije, Maersk Campton dhe Maersk Candor. I pyetëm nëse ata kishin ndonjë regjistrim të dërgesës sipas procedurave dhe rregullave të njoftimit të Bazelit dhe pyetëm nëse mund të punonin me autoritetet e Maltës ku njëra nga anijet ishte planifikuar të mbërrinte menjëherë.

Më 25 korrik ka mbërritur kjo përgjigje nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit:

I dashur Jim,
Lidhur me emailin tuaj, ju lutemi vini re se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si autoriteti kompetent për Konventën e Bazelit në Shqipëri për lëshimin e autorizimeve për eksportin e mbetjeve nga territori i Shqipërisë, nuk ka autorizuar asnjë subjekt për eksportin e mbetjeve të identifikuara nga ju në shtetin e Tajlandës. Gjithashtu, ne nuk kemi a njohuri për eksportimin e 80 ngarkesave me kontejnerë të mbetjeve të rrezikshme në Tajlandë. Lidhur me pretendimin tuaj se ato mbetje janë nga shteti shqiptar, ju lutemi të na jepni informacion më të detajuar për kompaninë që eksporton mbetjet në mënyrë që ne të fillojmë një hetim për këtë çështje. Ndërkohë për këtë çështje po informojmë autoritetet doganore, si institucion i ngarkuar për të kontrolluar të gjithë autorizimin dhe pajtueshmërinë e lëvizjes ndërkufitare të mbetjeve.

Pas letrës së parë drejtuar shumë autoriteteve, organizata bëri dhe disa njoftime për shtyp, kontaktuan me linjat e onë të parë, të cilën ia drejtuam shumë autoriteteve, BAN vazhdoi të lajmëronte autoritetet përgjatë rrugës së dy anijeve dhe lëshoi disa njoftime për shtyp, komunikoi me linjat e transportit Maersk dhe Mediterranean Shipping Company (MSC) që ishin përfshirë në lëvizjen e kontejnerëve drejt Tajlandës 

Ndërsa monitoronim dhe paralajmëronim qeveritë përgjatë Bregut Perëndimor të Afrikës dhe më pas përtej Oqeanit Indian për në Tajlandë nga kalonte rruga. Të dyja anijet fikën pajisjet e tyre GPS pak përpara mbërritjes në Afrikën e Jugut dhe shmangën portin e planifikuar të hyrjes pasi njoftuam autoritetet e Afrikës së Jugut. Pajisja u mbajt e fikur për shumë ditë dhe u ndez vetëm pak para mbërritjes në Singapor. Mbyllja e GPS është një aktivitet shumë i parregullt në pa kuptim, vetëm nëse kapitenët e anijeve ishin bashkëpunëtorë në fshehjen e vendndodhjes së anijeve,” thotë Rrjeti i Aksionit të Bazelit.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Jim Puckett jep njoftimin në mediat ndërkombëtare dhe prestigjozja Bloomberg i kushton disa artikuj trafikut të mbetjeve të rrezikshme ku është përfshirë Shqipëria. 

Autoritetet tajlandeze po përpiqen të ndalojnë rreth 100 kontejnerë që dyshohet se janë të mbushura me mbetje të rrezikshme industriale nga Shqipëria, të cilat janë duke udhëtuar drejt porteve të këtij shteti.

Nga ana e saj, Rrjeti i Bazelit ia kishte dalë të merrte garanci nga autoritet në Tajlandë dhe Singapor se anijet nuk do të lejoheshin të shkarkonin ngarkesën, ndërsa linja e transportit Maersk siguroi se mbetjet do të ktheheshin në Shqipëri në zbatim të neneve 8 dhe 9 të Konventës së Bazelit. 

Pas njoftimit, Tajlanda kërkon informacion nga autoritetet shqiptare dhe mëson se dërgesa ishte ngarkuar në anije nga Porti i Durrësit në Shqipëri, e se kompania transportuese nuk kishte marrë autorizim për transport mbetjesh të rrezikshme, pasi ishin deklaruar materiale të padëmshme! Për ditë me radhë, askush nga institucionet shqiptare nuk guxoi të flasë për këtë çështje, e cila sot ka marrë përmasa ndërkombëtare që mund të njollosin rëndë imazhin e vendit. 

DREJTORIA E PËRGJITHSHME E DOGANAVE

Ende nuk dihej se çfarë ishin këto mbetje, nga vinin, kush ishte prodhuesi dhe transportuesi i tyre. Kjo do të duhej të sqarohej nga autoritetet mjedisore. 
Ministria e Mjedisit vendosi të thyejë heshtjen dhe të sqarojë se mbetjet e rrezikshme që dyshohet që ishin ngarkuar në bordin e linjës Maersk ishin të kompanisë turke Kurum, e cila prej vitit 1998 shfrytëzon ish-Kombinatin e Metalurgjikut të Elbasanit. 
Por skandali nuk ndalet këtu. Rrjeti i Aksionit të Bazelit ka zbuluar se një tjetër ngarkesë e nisur nga Porti i Durrësit në muajin prill me 115 kontejnerë mbetje toksike qëndron e bllokuar në Kinë. 

Ngarkesa ishte deklaruar se kishte në brendësi të saj minereal zinku, por pas analizave që kanë kryer autoritetet kineze, ka rezultuar se lënda ishte gjeneruar nga përpunimi hidrometalurgjik i metaleve jo hekur dhe përmbante nivele të larta të plumbit dhe elementëve të tjerë që  konsiderohen toksikë. Kontejnerët ndodhen në portin e Nanshas në Guangzhou të Kinës, ndërsa linja e transportit ishte ajo e kompanisë Maersk, e njëjta që transportoi mbetjet e rrezikshme në Tajlandë. 
Për këtë rast, Dogana Shqiptare ka reaguar brenda ditës, për të thënë se mbetjet nuk ishin të Shqipërisë, por Kosovës. 

Por dhe në këtë rast, djalli fshihet në detaje. Autoritetet doganore nxituan të mohojnë përgjegjësinë duke ia lënë fajin Kosovës, por ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ndalon importimin dhe tranzitimin e mbetjeve të rrezikshme, çka vë në pikëpyetje rolin e institucioneve në kufi me Kosovën dhe inspektoriateve mjedisore në Shqipëri. Prej vitesh gjeografia e hartës së industrisë së rëndë që prodhojnë nënprodukte të metaleve të 

Që nga muaji gusht e deri më sot, Prokuroria e Durrësit vazhdon hetimet por ecuria e ngadaltë e tyre ka rënë dhe në syrin e organizatës së Rrjetit të Aksionit të Bazelit. 
Më 28 tetor 2024 anija Molivia u ankorua në Portin e Durrësit për të kthyer ngarkesën orej 2100 ton mbetje, ndërsa për ditë me radhë autoritetet u morën me procedurat e ruajtjes së kontenierëve duke vendosur përfundimisht qëndrimin e tyre në zonën e Porto Romanos dhe monitorimin 24 orë me kamera. 

Pavarësisht kësaj, kërkesës së Rrjetit të Bazelit për të marrë një mostër nga kontejnerët dhe për ta analizuar nuk iu dha përgjigje dhe nuk u morën parasysh as rekomandimet që ata dhanë për laboratorët që janë të specializuar për të bërë këto analiza. Jim Puckett madje erdhi vetë fizikisht në Shqipëri ditën që ngarkesa mbërriti në Durrës. 

Ngadalësia e hetimeve ka sjellë sërish reagimin e organizatës mjedisore, ndërsa prokuroria e Durrësit nuk ka pranuar të marrë dëshminë e drejtorit të saj dhe sinjalizuesit të ngarkesës Jim Puckett. 

Më 4 dhjetor 2024, Rrjeti i Veprimit të Bazelit u përpoq të dorëzonte personalisht një dëshmi në Prokurorinë e Durrësit lidhur me çështjen e eksportit të asaj që duket të jetë mbetje e rrezikshme nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës. Atë ditë Prokuroria e Durrësit refuzoi ta pranonte dëshminë me arsyetimin se autori i saj, Jim Puckett, nuk mundi të paraqitej fizikisht. Ky refuzim u bë pavarësisht faktit që z. Puckett ofroi të dëshmonte përmes një telefonate apo videotelefonate atë ditë dhe më pas propozoi ta dorëzonte dëshminë përmes një deklarate të noterizuar. Pikërisht për shkak të këtij refuzimi dhe mungesës shqetësuese të veprimeve në lidhje me këtë çështje, ne kemi vendosur sot të bëjmë publike dëshminë e tij. Ne mbetemi të alarmuar nga mosveprimi i Prokurorisë dhe qeverisë shqiptare. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë në çdo mënyrë të mundshme”, sqaron Rrjeti i Aksionit të Bazelit.

Pas jehonës që bëri dëshmia e organizatës ndërkombëtare, Prokuroria e Durrësit u detyrua të dalë në një sqarim për publikun:

Në kuadër të këtij procedimi penal, Bazel Action Netëork dhe Mileukontakt Shqipëri, përfaqësuar nga Jim Puckett, i është drejtuar Prokurorisë Durrës nëpërmjet një emaili duke kërkuar që të pyetet si dëshmitar dhe të marrë pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit. Në respektim të dispozitave ligjit procedural penal, Z.Puckett është ftuar për t’u paraqitur në Prokurorinë Durrës në datë 04.12.2024 me qëllim dhënien e dëshmisë dhe dorëzimin e provave që dispononte. Në pamundësi të paraqitjes së tij fizikisht, Z.Puckett e ka dërguar nëpërmjet e-mailit", deklaroi Prokuroria e Durrësit.

Vonesat në analizimin e mostrave të ngarkesës së bllokuar në Porto Romano, autoritetet hetimore ia kanë lënë mungesës së gjetjes së një laboratori të përshtatshëm.

Prokuroria Durrës i është drejtuar zyrtarisht të gjitha ministrive që kanë në varësi ente, laboratore dhe institucione që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë me qëllim realizimin e këtij proceseve komplekse. Në mungesë të infrastrukturës dhe mjeteve të posaçme për kryerjen e gjithë zinxhirit të proceseve sipas praktikave ndërkombëtare, i jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit me qëllim identifikimin e laboratorëve privatë që operojnë në Shqipëri që kanë ekspertizë në testimin e substancave të tjera të rrezikshme dhe që plotësojnë një sërë kriteresh të përgjithshme dhe specifike. Aktualisht është identifikuar laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për garantimin e respektimit të të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave.

Pikëpyetjet mbeten të mëdha, a janë 2100 ton pluhur i rrezikshëm i prodhuar nga Kurum apo ka dhe uzina të tjera që po përdorin Shqipërinë si tranzit për këto mbetje? Kush ka bërë bashkë fijet e prodhuesve, transportuesve dhe a ka bashkëpunëtorë nga autoritetet publike? Deri në cilat nivele është ky bashkëpunim dhe për sa vite është lejuar të ndodhë ky krim? Në një investigim të Birn, rasti i denoncuar nga Rrjeti i Bazelit nuk është i vetmi eksport nga Shqipëria i kësaj natyre, por janë të paktën 20 mijë ton mbetje të rrezikshme që janë transportuar jashtë nga viti 2020 për shkak se autoritetet dështuan të ushtronin kontroll.
 
 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top