Avokati Gentian Trenova mendon që pezullimi i fondeve të USAID nga SHBA-të do ta dobësojë veprimtarinë e SPAK-ut dhe do ta vendosë para sfidave të mëdha. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV Trenova mendon se SPAK-u tanimë ose do jetë më politik duke u rreshtuar qartas pranë qeverisë, ose do tulatet duke mos patur fuqinë që ka pasur deri më sot. Ai shtoi se SPAK-u dhe institucionet e tjera të drejtësisë tanimë duhet të jenë më të kujdesshëm në veprimet e tyre, pasi aksionet nuk mund të justifikohen më me idenë që janë kërkesa të Ambasadës Amerikane.
“Përveç abuzimit me këto fonde, dyshohet se ato janë përdorur edhe për trafik influencash, për të përkrahur qeveri të caktuara, ide të caktuara. Këto ide janë përkrahur edhe nga fondacioni Soros. Del qartë që paratë vinin nga qeveria amerikane, dhe iu shitej njerëzve sikur vinin nga fondacioni Sorosi. Paratë janë kanalizuar te Soros apo OJF të tjera. Edhe në Shqipëri vendimi ka efektin e vet. Efekti më i madh s’është te ndërprerja e fondeve në vetvete, pasi në total s’kanë ndonjë peshë shumë të madhe, pasi shumë institucione shqiptare financohen nga buxheti i shtetit.
Çështja është që USAID nëpërmjet prezencës dhe ekspertëve të vet në Shqipëri, bënte politikën e vet në Shqipëri. Kjo orientonte edhe politikisht tre institucionet përkatëse. Nëse SPAK-u bënte një arrestim politikani, zyrtari i lartë, kjo shoqërohej me një deklaratë mbështetëse nga ambasada, kjo ishte një mbështetje politike që i bëhej. Kjo mendoj që do ta dobësojë veprimtarinë e SPAK-ut dhe do ta vendosë para sfidave të mëdha. Deri tani ajo ka patur një mbështetje nga institucionet e SHBA, ambasada amerikane, ekspertët pranë USAID, dhe largimi i tyre i heq përkrahjen politike, në aspektin diplomatik.
SPAK-u dhe institucionet e tjera të drejtësisë duhet të jenë më të kujdesshëm në veprimet e tyre. Pasi në shumë raste deri sot veprimet e SPAK-ut janë interpretuar në publik dhe media se këto gjëra janë bërë përmes ndikimeve të ambasadës. Institucionet e reja të drejtësisë mund të jenë në situatë të vështirë psikologjike, kanë humbur busullën e orientimin, por edhe mund të jenë më politike se sa sot, duke u rreshtuar pranë qeverisë. Ose do marrin një orientim tërësisht politik, ose do tulaten dhe s’do kenë më atë fuqinë që kanë patur deri më sot. SPAK-u dhe institucionet e tjera tashmë janë të ekspozuara te publiku, dhe tani duhet të tregojnë nëse kanë qenë vërtet të pavarura, ose kanë qenë të ndikuar politikisht duke përdorur si maskë ambasadën amerikane në Tiranë”.
Trenova tha se Veliaj apo përfaqësues të tjerë të politikës mund të ndihen më të çliruar, pasi s’do jetë më ai interesim i ambasadës përmes ekspertëve lidhur me hetimet e politikanëve.
“Kjo do ta dobësojë SPAK-un sepse ka ecur me këtë lloj mbrojtje. Nuk besoj se SPAK-u do vazhdojë me të njëjtin ritëm”.
0 Comments: