MC Networking

Çaka: 85 mijë kërkesa të miratuara për të votuar nga jashtë vendit, ngërç për votimin elektronik (VIDEO)

Anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ, Dritan Çaka thotë se ndryshimet e kërkuara për tu bërë në Kodin Zgjedhor janë në favor të votuesve.

Në një intervistë për MCN Live, ai deklaroi se mundësia e ndryshimit në Kodin Zgjedhor kërkon dakordësinë e palëve, por se këto ndryshme kanë të bëjnë vetëm me votën jashtë Shqipërisë.

Çaka shtoi se aktualisht nga shqiptarët që ndodhen jashtë vendit janë 85 mijë kërkesa të miratuara për të votuar.

Sipas tij, KQZ iu ka dërguar një kërkesë subjekteve politike për të bërë disa ndryshime specifike në Kodin Zgjedhor lidhur me votën e diasporës, ku një prej tyre është që kostoja e dërgesës së votës me postë, të mbulohet nga shteti shqiptar.

Kërkohet zgjatja e afatit nga 50 ditë në 60 ditë, për të dërguar te zgjedhësi më parë fletën e votimit.

Një dispozitë që lejon KQZ që votën e emigrantit ta numërojë me përfaqësues të partive politike si çdo numërim në KZAZ.

Këto ndryshime janë shumë të rëndësishme dhe do i japin një frymëmarrje të madhe jo vetëm KQZ, por edhe votuesve.

Nëse kostoja e postës 50 apo 80 euro, mund të ketë një stepje të votuesve jashtë territorit të Republikën e Shqipërisë për tu bërë pjesë e votimit.

Lidhur me propozimin e Partisë Demokratike që pjesë e votimit të bëhen edhe ata shqiptarë që kanë dokumente identifikimi të shtetit ku jetojnë, Caka tha se për pikat e tjera palët politike janë dakordësuar, por jo për këtë pjesë.

Ka dy pjesë kjo kërkesë, të votojë dhe kush e ka kartën apo pasaportën e skaduar, por edhe kush ka dokumente të huaja dhe nuk i ka ato shqiptare.

Ka një variant për të shtyrë afatin e vlefshmërisë për dokumentet e skaduara dhe kjo gjë kalon kollaj.

Por votimi me dokumentin e huaj ka një problem se pajisja e identifikimit njeh vetëm dokumentet shqiptare të identifikimit dhe kushdo që voton nga jashtë bëhet një skanim i dokumentit dhe e fotos së dorëzuar nga një shtetas në gjendje civile.

Nëse do bëhet votimi me dokumente të huaja, do jetë e vështirë që të vërtetohet se bëhet fjalë për të njëjtin njeri.

Në Shqipëri mund të ketë dhe shumë persona që kanë të njëjtin emër dhe mbiemër dhe kjo mund të krijojë probleme duke pasur një dokument të huaj dhe mund të mos ketë të dhëna si atësia, kodi etj., për të vërtetuar se për cilin person bëhet fjalë.

Mendoj se është pak e vështirë teknikisht edhe nëse nga ana e Kuvendit të Shqipërisë do të ketë dakordësi për të ndryshuar Kodin Zgjedhor.

Sot është data 4 shkurt dhe për një muaj mbyllet procesi i regjistrimit të gjithë atyre shqiptarëve që jetojnë jashtë.

Teknikisht e shoh të pamundur që të realizohet në këtë moment.

Aktualisht kemi 145 mijë kërkesa dhe nga këta 115 votues individualë dhe pjesa tjetër janë në riaplikime.

Në 115 mijë, ka 85 mijë kërkesa të miratuara dhe 30 mijë të refuzuara.

Dhe ky refuzim vjen për shkak të ngarkimit të gabuar nga qytetarët që jetojnë jashtë vendit dhe kjo ka të bëjë kryesisht me adresën.

Votimi elektronik është një detyrim që na ka vendosur Kodi Zgjedhor.

Nëse do e shtrijmë votimin elektronik përtej atyre që është përcaktuar në zgjedhjet e mëparshme do të ishte shumë më mirë.

Sepse ne kemi parë që rezultati del shumë më parë.

Kjo do të jetë jo vetëm një kosto më pak, më pak probleme në numërim, më pak fletë të pavlefshme, por kjo do shihet edhe në bazë të ecurisë së votimit në Komisionin Rregullator se kjo vendimmarrje kërkon 4 vota pro për tu miratuar.

Partia Demokratike nuk do një votim elektronik në këto zgjedhje. Deri në këto momente kemi një ngërç edhe institucional.

Nëse nuk merren votat e plota në Komisionin Rregullator, nuk do të kemi një votim.

Ndërsa lidhur me partitë e vogla, Caka tha se nga të dhënat për Tiranën, PSD mund të marrë një mandat deputeti, po aq Agron Shehaj, Arlind Qorri dhe Adriatik Lapaj.

Në vijim shtoi se në nivel kombëtar është akoma një projekt pilot që nuk dihet akoma se si do shkojë.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top