MC Networking

Detajet/ I dënuari arratiset nga burgu i Shënkollit! Iku nga infermieria, policia nis kërkimet (VIDEO)

Detaje të reja kanë dalë lidhur me të burgosurin e arratisur nga burgu i Shën Kollit në Lezhë gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të marte.

Gazetari Jul Simoni në një lidhje me 'MCN Live' raporton se bëhet fjalë për 49 vjeçarin Daut Laze i cili është larguar nga dhoma e infermierisë, ku kishte shkuar të merrte mjekim dhe më pas dyshohet se ka kapërcyer murin rrethues.

Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur gjatë natës ku një i burgosur në momentet e mjekimit në dhomën e infermierisë është arratisur nga burgu dhe është konstatuar vetëm në orët e mëngjesit. Pas kontrolleve të policisë Daut Laze i lindur në Çorovodë dhe banues në Tiranë ka shfrytëzuar vizitat mjekësore për tu arratisur.

Laze është arrestuar më 16 nëntor 2021. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në nëntor të 2024, kishte vendosur ndaj tij masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”.

Janë duke u mbikëqyrur kamerat për të hedhur më shumë dritë rreth arratisjes së tij ndërsa policia është vënë në kërkim për kapjen, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë. Daut Laze ishte arrestuar për dhunë në familje dhe ishte vendosur në burgun e Shënkollit i cili prej kohësh është kthyer në një institucion spital për të burgosurit me probleme shëndetësore.

Pas kësaj ngjarje është vënë në pikëpyetje niveli i sigurisë pasi askush nuk ka konstatuar arratisjen e tij nga burgu. Drejtori i burgut ka mbërritur menjëherë në ambientet e burgut dhe po heton se ku kanë çaluar masat e sigurisë.

Policia po ushtron kontrolle përreth zonës por deri tani nuk dihet asgjë për fatin e tij dhe nuk ka asnjë gjurmë dhe duke qenë se vuan nga probleme të shëndetit mendor përbën rrezikshmëri.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top