Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” foli përmes një lidhje skype në edicionin e lajmeve në MCN TV lidhur me raportin për përdorimin e aseteve shtetërore. Xhemollari thekson se kemi një përdorim të shtetit jo vetëm me veprime, por edhe mosveprime, të tilla si urdhrat për mos vënien e gjobave gjatë periudhës zgjedhore. Ai tha se Bashkia Tiranë dhe Bashkinë Shkodër kanë përdorur ndër të tjera edhe administratën policore.
“Kemi kontaktuar qytetarë për t’i pyetur, për të marrë një lloj perceptimi nga ta, dhe kemi nxjerrë disa të dhëna që na tregojnë se 85 për qind e qytetarëve shprehen se përdorimi i burimeve shtetërore në fushatë ndikon drejtpërdrejtë në rezultatin zgjedhor, 75 për qind e tyre thonë që administrata publike vihet në dispozicion të zgjedhjeve dhe 24 për qind e qytetarëve, biznese apo qytetarë të thjeshtë, janë ndikuar për të mos shkuar në kutitë e votimit për shkak të një lloj presioni që kanë pasur nga administrata publike, qoftë përmes kontrolleve apo gjobave, apo gjithçka që shteti ka pasur në dorë. Ne kemi përdorur dy burime, burimi i parë kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët në 6 bashki. Së dyti u jemi drejtuar vet institucioneve publike, kemi drejtuar kërkesa për informacion, Bashkinë Tiranë, Bashkisë Shkodër dhe Policisë së Shtetit.
Rezultati është i tillë që Bashkia Shkodër ka vendosur në periudhën jo zgjedhore 8 herë më shumë gjoba se në periudhën zgjedhore, Bashkia Tiranë ka vendosur në periudhën e zgjedhjeve 3,7 herë më pak gjoba, dhe Policia e Shtetit ka vendosur 44 për qind më pak në periudhën zgjedhore. Kjo tregon që s’kemi vetëm përdorim të shtetit me veprim, por edhe përdorim të shtetit me mosveprim të institucioneve, me urdhra të brendshëm ndaj zyrtarëve të lartë që mos vihen gjoba, që të ketë sjellje të ndryshme ndaj qytetarëve. Rreth 60 për qind e qytetarëve thonë se Policia apo institucionet publike janë më të sjellshme në periudhat zgjedhore. Shumica e qytetarëve besojnë se përdorimi i shtetit në fushatë është i lidhur drejtpërdrejtë me rezultatin zgjedhor. Bashkia Tiranë dhe Bashkia Shkodër janë dy bashkitë që kanë vepruar me mosveprim, për të përdorur administratën policore”.
0 Comments: