Jordan Daci në një intervistë për gazetarin Arsen Rusta në emisionin “Fact Check” tha që ish-zyrtarëve të nivelit të lartë, si ish-Presidenti, duhet t’u krijohet një institucion ose seksion i posaçëm.
“Në të gjithë botën zyrtarët e këtij niveli (ish-Presidenti Meta), padyshim meritojnë respekt. Respekti tregohet më shumë për institucionin se sa për individit. Duhen krijuar kushte të ndryshme që kanë të bëjnë me jetën kulturore dhe intelektuale. Ose duhet të kemi institucion të posaçëm ose seksion të posaçëm, ku regjimi të jetë i ndarë dhe koha në ajrosje të jetë e ndarë nga pjesa tjetër”.
I pyetur mbi mundësinë e rihapjes së burgut të Vaqarrit, Daci tha se që të bëhet diçka e tillë duhet që të përfshihet edhe kodrën si pjesë të perimetrit.
“Burgu në fjalë nuk plotëson kriteret e sigurisë. Nga kodra ku është vendosur është goditur me snajper një i paraburgosur, prandaj edhe u mbyll. Nëse ky institucion do hapet, duhet të përfshijë kodrën dhe zgjerimin e territorit. Ai burg s’e kalon këtë test, dhe mund ta kalojë nëse do përfshihet në perimetër edhe kodra lart. Si institucion është i ri, pavarësisht se është amortizuar për shkak të cilësisë së punimeve. Shumica e burgjeve s’plotësojnë kushtet sa i përket lagështirës, higjienës, kushteve për të jetuar. Zaharia ka qenë një aushvic i kohëve moderne. Një spital burgu në rangun e një klinike spitalore duhet të jetë, sepse numri i të burgosurve është i lartë. Të burgosurve duhet t’u jepet mundësia përmes sistemeve online t’u jepet mundësia për të ndjekur universitete”.
0 Comments: