Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo e cilëson botimin e fundit të Akademisë së Studimeve Shqiptare si një vazhdim i përpjekjeve 30-vjeçare për të revizionuar historinë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Sipas Milos, një grusht njerëzish duan të përmbysin historinë dhe se mbrojnë një kauzë të humbur.
Ky botim i Akademisë së Studimeve Shqiptare është një seksion i UET, nuk është ndonjë Akademi. Akademi me 4 veta nuk ka. I njoh dhe personat që e drejtojnë. Edhe këtë botim e pashë. Janë përpjekje për të revizionuar historinë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Nuk janë përpjekje të reja. Këta janë një grusht njerëzish, po të njëjtat fytyra, po të njëjtat gjëra, kanë 30 vjet që i shkruajnë dhe do të vazhdojnë dhe 30 vjet të tjera. Në thelbin e tyre duan të përmbysin historinë. Ata mbrojnë një kauzë të humbur. Në vend që të bashkohen me kauzën që bashkoi shumicën e shqiptarëve, që e nderoi Shqipërinë në Luftën e Dytë Botërore, se u bashkuan me antifashizmin botëror dhe i bënë nder Shqipërisë, këta bëjnë të kundërtën. Duan me zor ta bëjnë Shqipërinë një vend të boshtit fashist.
Më tej, Milo tha se prej 3 dekadash tashmë janë pasardhësit e tyre që bashkëpunuan me fashizmin që duan të rishkruajnë historinë për të justifikuar etërit e tyre.
Nuk ka rishikim, ka rishkrim të historisë. Ngjarja ndodh vetëm një herë dhe nuk mund të ndodhë për herë të dytë, nuk mund të ribëhet. Rishkrim ka, se dalin dokumente të reja, ka interpretime të reja. Është në metodologjinë e historiografisë që historia të rimerret në konsideratë, të debatohet, por debati duhet bërë mbi bazën e dokumenteve historike, por jo mbi baza falsifikuese apo për qëllime politike. Këtu kemi të bëjmë me një histori të vjetër. Ka 30 ca vjet që ndodh se pasardhësit e atyre që bashkëpunuan me fashizmin duan të justifikojnë etërit e tyre, duan të justifikojnë veprën e tyre të bashkëpunimit me fashizmin që nuk nderon askënd.
Ata janë të interesuar që historia e Luftës së Dytë Botërore të rishkruhet sipas midesë së tyre, ky është qëllimi se pse bëhet që në atë botim numëronte sesa njerëz kishin vrarë komunistët në Luftën e dytë Botërore.
Sipas Milos Lufta e Dytë Botërore nuk ka qenë luftë civile, por luftë mes pushtuesve dhe popujve.
Lufta e Dytë Botërore nuk është luftë civile, është luftë mes pushtuesve dhe popujve. Duan të bëjnë me zor që ka pasur luftë civile, që shqiptarët kanë luftuar me njeri-tjetrin dhe nuk kanë luftuar pushtuesin.
Milo tha se janë 28 mijë të rënë, dhe se kjo gjë është pohuar menjëherë pas luftës në 1945 edhe pse “të rënë” është zëvëndësuar me fjalën “dëshmorë” për arsye politike.
Ka një keqinterpretim të numrit. Që në 1945 menjëherë pas luftës, nuk u tha që ka 28 mijë dëshmorë, u tha që ka 28 mijë të rënë, këtu përfshiheshin dhe viktimat. Qëllimisht dhe për arsye politike zëvendësohet fjala ‘të rënë’ me dëshmorë, ndoshta këtë mund ta kenë bërë gjatë viteve të regjimit komunist edhe për ta glorifikuar luftën më shumë sesa duhet.
0 Comments: