MC Networking

Performanca energjetike e banesave/ Çfarë është dhe si mund të përmirësohet

Projektligji “Për performancën energjetike të ndërtesave” është hedhur për konsultim publik. Synimi është shfrytëzimi me efikasitet i energjisë dhe minimizimi i efekteve negative në mjedis.

Performanca energjitike i referohet sasisë së energjisë që harxhon një ndërtesë përgjatë një viti. Energjia përdoret për të përmbushur nevojat e përdorimit të ndërtesës përfshi ngrohjen, ftohjen, ujin e ngrohtë, ventilimin, ndriçimin e me radhë.

Sa më pak energji të përdorë një ndërtesë për të përmbushur këto nevoja, aq më efikase është ajo nga pikëpamja energjetike. Në përgjithësi, rritja e efikasitetit të energjisë do të thotë përdorimi i më pak energjie për të kryer të njëjtën punë.

Sasia e energjisë që harxhon një ndërtesë varet nga izolimi termik i ndërtesës, karakteristikat teknike dhe mënyrës si veprojnë pajisjet e energjisë, projektimi i ndërtesës dhe pozicionimi i ndërtesës në hapësirë, veçanërisht në lidhje me ekspozimin ndaj diellit.

Nga ana tjetër, banesat lëshojnë në ajër gazra që rrisin efektin serë dhe ndikojnë në ngrohjen globale. Për shembull, të gjitha sistemet e ngrohje ftohjeve funksionojnë me gazra të quajtur ftohës. Performanca energjetike e ndërtesës përfshin gjithashtu edhe një vlerësim të lëshimeve në ajër nga ndërtesa përkatëse.

Së fundi, energjia nga çdo lloj burimi krijon ndotje ose ndikim në mjedis, ndaj ulja e konsumit të energjisë ul gjithashtu ndotjen dhe ndikimin në mjedis.

Si përmirësohet performanca energjetike:

  • Izolimi më i mirë i ndërtesave (çative, mureve, dritareve, dyerve) për të ulur shkëmbimin e energjisë midis mjedisit të brendshëm dhe atij jashtë ndërtesës.

Mesatarisht rreth 30 për qind e nxehtësisë brenda një ndërtesë largohet përmes çatisë. Një pjesë tjetër largohet nga dyert, dritaret dhe pjesët e tjera të banesës.

Izolimi termik është i domosdoshëm për të rritur efikasitetin energjetik të banesës: sa më i mirë izolimi aq më pak energji harxhohet. Izolimi ndalon nxehtësinë të largohet apo hyjë nga çatia, muret, dyshemeja, dritaret, dyert.

Materiale të ndryshme izolues kanë rezistencë të ndryshme: sa më pak përcjellës i nxehtësisë të jetë materiali izolues dhe sa më e trashë shtresa izoluese aq më shumë izolim ka ndërtesa.

  • Ngrohje dhe ftohje më efikase duke përdorur teknologji moderne. Për shembull, përdorimi i nxehësve të ujit (bolierë) me kondensim ul me 30 për qind energjinë në krahasim me ata me rezistencë.
  • Përdorimi i paneleve diellore për nxehjen e ujit dhe ose prodhim energjie.
  • Përdorimi i sistemeve inteligjente për kontrollin automatik të temperaturës në pajisjet ngrohëse dhe ftohëse
  • Ulja e konsumit të energjisë duke ulur numrin e pajisjeve që përdoren në shtëpi dhe duke mos i përdorur kur nuk është e nevojshme.

Çfarë është performanca energjetike?

Fillojmë me një shpjegim të shkurtër të performancës energjetike. Çdo ndërtesë, qoftë banesë, shkollë, spital, qendër tregtare, ndërtesë industriale apo çfarë do lloji tjetër përdor energji për të siguruar kushtet normale të qëndrimit në të. Këtu përfshihet energjia që duhet për ndriçim, ngrohje, ftohje, ventilim, ujë të ngrohtë, etj. Performanca energjetike ka të bëjë me sasinë e energjisë që konsumon përgjatë një viti një ndërtesë për të siguruar funksionimin e saj. Sa më pak energji të harxhojë, aq më i lartë është niveli i performancës energjetike të ndërtesës.

Efikasiteti i energjisë, nga ana tjetër, ka të bëjë me arritjen e të njëjtit nivel. i funksionalitetit, por duke përdorur më pak energji - dhe kjo është thelbësore për reduktimin e faturave të shërbimeve dhe uljen e emetimeve të gazeve serrë."

Faktorët që ndikojnë performancën

Performanca energjetike e një ndërtese varet nga disa faktorë. Në radhë të parë varet nga cilësia e izolimit të ndërtesës, përfshi cilësinë e materialeve të përdorura në ndërtim. Varet nga mënyra e projektimit të ndërtesës, projekti i dyerve, dritareve, çatisë. Efikasiteti i pajisjeve dhe sistemeve që përdoren në ndërtesë është shumë i rëndësishëm, përfshi sistemet e ngrohjes, ftohjes, ventilimit, etj.

Gjendja e sotme

Efikasiteti i energjisë është rritur ndjeshëm dekadat e fundit, veçanërisht për shkak të përparimeve teknologjike dhe uljes së kostos së tyre.

Sot në ndërtim mund të përdoren materialet izoluese me performancë shumë të lartë, mund të përdoren dritare me përcjellje shumë të ulët të energjisë apo çati e dyer me veshje izoluese që ndalojnë hyrjen e nxehtësisë apo të të ftohtit.

Teknologjitë e sistemeve të ngrohjes, ftohjes dhe ventilimit kanë arritur nivele shumë të larta të funksionimit dhe rendimentit duke zvogëluar ndjeshëm energjinë që përdorin.

Nga ana tjetër, në ndërtesa po përdoren gjithnjë e më shumë sistemet inteligjente për kontrollin dhe operimin e sistemeve, të tilla si sistemet automatike të ndriçimit, të kontrollit automatik të temperaturës, etj.

Së fundmi duhet theksuar se përmirësime të mëdha kanë ndodhur në projektim të ndërtesave duke i dhënë prioritet projekteve që lejojnë sa më shumë ajrim dhe ndriçim  natyral, pozicionim më të mirë ndaj diellit dhe erërave etj. Të gjitha këto përmirësime arkitekturore ulin konsumin e energjisë.

Problemi i ndërtesave të vjetra

Për arsye historike ndërtesat e vjetra kanë në përgjithësi performancë të ulët energjetike, për shkak të mungesës së termoizolimit dhe materialeve më pak cilësore të ndërtimit.

Ato gjithashtu kanë përgjithësisht sisteme apo pajisje të vjetëruara, dhe efikasitet më të ulët të përdorimit të energjisë.

Si mund të përmirësohet efikasiteti energjetik

Qytetarët mund të bëjnë shumë për të përmirësuar perfomancën energjetike të banesave të tyre. Së pari ata mund të blejnë dhe përdorin sisteme dhe pajisje efikase. Të tilla janë:

  • ndriçim me llampa LED në vend të llampave klasike
  • instalimi i i paneleve diellore për burim energjie;
  • Përdorimi i sistemeve efikase te ngrohje-ftohjes, pra sisteme efikase kondicionerësh dhe ngrohësish, përfshi nxehësit e ujit.
  • Blerja e pajisjeve shtëpiake me konsum efikas energjie, pra e frigoriferwve, lavatriçeve, furrave, lavapjatave etj
  • Përdorimi i sistemeve inteligjente të kontrollit automatik të temperaturës, lagështisë së ajrit. etj.
  • izolimi i mirë i dritareve dhe dyerve veshja e tyre me materiale me transmetueshmëri të ulët termale
  • izolimi i çative, etj.

Mbi të gjitha qytetarët mund të kursejnë energjinë elektrike duke ulur koston e tyre por edhe duke ulur ndikimin në mjedis që vjen nga prodhimi i energjisë.

Roli i Qeverisë për vendosjen dhe promovimin e standardeve

Qeveritë kanë një rol vendimtar në rritjen e performancës energjetike. Vendosja e standardeve të termoizolimit për ndërtimet e reja; vendosja e standardeve të prodhimit për pajisjet dhe sistemet e ngrohjes dhe ftohjes; vendosje e sistemit të certifikatave për performancë energjetike për ndërtesat,

Qeveritë mundet gjithashtu që të ofrojnë subvencione dhe stimuj për përmirësimin e performacnës energjetike. Kështu mund të subvencionet blerja e pajisjeve me teknologji efikase të energjisë, mund të financohen apo subvencionohen termoizolimi i ndërtesave të vjetra apo kalimi nga teknologjitë e vjetra tek të rejat të sistemeve.

Në Bashkimin Evropian, standardet e performancës energjetike janë bërë të detyrueshme: të gjitha ndërtimet e reja në BE duhet të arrijnë standardin e pothuajse energjisë-zero, që do të thotë që ndërtesat duhet të funksionojnë me përdorim minimal energjie dhe të mbështeten në burime të rinovueshme energjie. Ndërkohë BE nxit në mënyrë agresive ripërshtatjen e ndërtesave të reja për të përmirësuar performancën energjetike.

Shembujt nga bota

Në vitin 2022, Holanda ishte vendi me efikasitetin më të lartë energjetik në botë. Kjo do të thotë se në Holandë një punë apo proces brenda një ndërtesë, për shembull ngrohja e një dhome standarde realizohet mesatarisht me më pak energji së në çdo vend tjetër të botës. Holanda pasohet nga Franca, Spanja dhe Gjermania. Të gjitha këto vende kanë kombinuar standardet e rrepta në ndërtim dhe funksionim të ndërtesave me stimujt për nxitjen e popullsisë drejt sisteme me efikasitet energjie.

Gjendja në Shqipëri

Ka thuajse 1 milionë e 100 mijë banesa në Shqipëri, por vetëm dy të tretat e tyre janë të banuara, rreth 730 mijë në total.

2 të tretat e tyre janë ndërtuar para vitit 2000 dhe thuajse asnjë nuk ka standard termoizolimi.

Vetëm një pjesë e vogël e atyre të ndërtuara pas vitit 2000 kanë një farë niveli izolimi, i cili është mjaft i ulët.

11,4 për qind e banesave kanë panele diellore, mbi 4 herë më shumë se vitin 2011.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top