Analisti Neritan Sejamini komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV mesazhet e dhëna së fundmi nga kreu i SPAK Altin Dumani. Sejamini theksoi se Dumani konfirmoi se po kryhen hetime lidhur me pastrimin e parave në Shqipëri dhe nëse kjo është e vërtetë, sipas tij është zhvillim i jashtëzakonshëm. Sejamini shtoi se nëse krimi bëhet faktor ekonomik dhe shumëfishon paratë, atëherë shumë shpejt do qeverisemi nga krimi. Një tjetër mesazh që sipas tij u dha nga kreu i SPAK është që krimi shqiptar është bërë i rrezikshëm për vende të tjera në botë.
“Gjëja kryesore që ai tha dhe mund ta quaj mesazh është që është i pandikuar nga politika. Ky është mesazhi i duhur, në kuptimin që qytetarët kanë nevojë të kenë besim te SPAK-u, që nuk ndikohet nga politika, dhe nuk heton për inat. Ai shprehu dy gjëra, që krimi shqiptar në botë është bërë i rrezikshëm, për shumë vende të tjera në botë, që është një konfirmim që vjen për herë të parë nga shteti shqiptar. Ai konfirmon që krimi shqiptar është bërë kërcënim serioz për sigurinë e vendeve të tjera. Theksoi se pastrimi i parave të krimit shqiptar kudo në botë është problem serioz. Një shqetësim i madh është pastrimi i parave të krimit në Shqipëri. Gazetarët, komentatorët publikë, kanë theksuar që është problematike që krimi shqiptar ka lirinë t’i pastrojë paratë m’u në qendër të Tiranës, kullat janë akuzuar nga komentatorët, politika, se janë produkte të krimit. Z. Dumani konfirmoi po ashtu që po bëhen hetime ndaj pastrimit të parave në Shqipëri, nëse është e vërtetë, ky është zhvillim i jashtëzakonshëm. Sot rreziku kryesor që ka Shqipëria është pastrimi i këtyre parave në Shqipëri. Ajo që mund të themi me siguri është që nëse në Shqipëri pastrohen para, ky është rrezik për politikën, drejtësinë, dhe harmoninë sociale. Nëse krimi bëhet faktor ekonomik, dhe mund të shumëfishojë paratë, të kapë ekonominë, politikën, atëherë ne do qeverisemi shumë shpejt nga krimi. Prandaj roli kryesor në këtë aspekt i takon drejtësisë, hetimit dhe SPAK-ut. Ky është qëllimi pse SPAK është krijuar. Nëse s’heton këtë është një dështim i madh”.
Lidhur me deklaratat e Dumanit që në Shqipëri s’ka të paprekshëm, Sejamini tha se kjo do tregohet në fund të hetimeve për inceneratorët dhe aferën “5D”. Sipas tij vetëm nëse SPAK do kalojë te kryebashkiaku Veliaj, dhe për aq sa është i lidhur te Rama, do të kuptojmë nëse ka apo jo të paprekshëm në Shqipëri.
“Që në Shqipëri nuk ka të paprekshëm duhet të tregohet. Deri më sot ka ende hetime shumë të rëndësishme që janë të lidhura direkt apo indirekt me kryeministrin, kryetarin e bashkisë, dhe persona të rëndësishëm në qeveri, për të cilët SPAK s’ka bërë hapa konkretë. Nuk i ka bërë sepse janë të paprekshëm, apo kërkohet një nivel i sofistikuar hetimi dhe siguri kur ti akuzon kokat e politikës, kjo është çështje për t’u parë. Do marrim vesh që në Shqipëri s’ka të paprekshëm vetëm kur të shohim çfarë do ndodhë me hetimin e inceneratorëve dhe aferën “5D”. Vetëm nëse SPAK do arrijë të kalojë te kryetari i bashkisë Tiranë, dhe për aq sa është i lidhur kryeministri për ta hetuar, atëherë do kuptojmë vërtet që SPAK atë që thotë në publik ta zbatojë në praktikë, që s’ka të paprekshëm”.
0 Comments: