Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë Krahasuese dhe Indoevropiane, si dhe të Albanologjisë, pranë Universitetit “Ludëig Maximilian” te Mynihut, organizojnë për dy ditë me radhë tryezën shkencore ndërkombëtare: “Shqipja midis gjuhëve
indoevropiane, origjina dhe lashtësia e saj”.
Kjo veprimtari shkencore do të mbahet në datat 4-5 nëntor 2024, ku do të referojnë mbi 25 studiues e personalitete të rëndësishme të shkencës nga vendi dhe Bota.
Veprimtaria u çel nga kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi teksa në ditën e parë prezantuan personalitete të shquara si prof. dr. Olav Hackstein, drejtor i Institutit të Gjuhësisë Krahasuese dhe Indoeuropiane dhe të Albanologjisë pranë Universitetit “Ludëig Maximilian” të Mynihut; prof. Paul Heggarty, prof. Giulio Imberciadori.
Përgjatë prezantimeve shkencore do të trajtohen të dhënat e gjuhësisë historike-krahasuese që përcakton origjinën e gjuhës së përbashkët indoeuropiane dhe degëzimeve të saj, përfshi edhe shqipen.
Një nga çështjet që do të diskutohet është receptimi ose pritja e artikullit të revistës ‘Science’ në debatin publik, në media dhe në mjediset shqiptare, që në një artikull të publikuar një vit me parë, e përcaktonte shqipen 6000-vjeçare.
Për të plotësuar kuadrin e konfirmimit se sa e lashtë është gjuha shqipe, në këtë tryezë, do të bëhen edhe prezantime të kërkimeve me metoda bashkëkohore nga fusha e arkeologjisë dhe gjenetikës në Shqipëri dhe Kosovë, që dëshmojnë se nga bashkëjetesa e popullsisë vendase eneolitike (paraindoeuropiane) dhe asaj migracionere të Bronzit të Hershëm (indoeuropiane), që në mijëvjeçarin III para Kr. fillon procesi i gjatë i etnogjenezës së popullsive ilire në Ballkanin Perëndimor.
0 Comments: