MC Networking

Atentati në Shkodër, shkon në tre numri i viktimave/ Plumbi në kokë i merr jetën Arlind Bushatit

Arlind Bushati

I riu Arlind Bushati nuk i ka mbijetuar dot plumbit që ka marrë në kokë, duke ndërruar jetë mbrëmjen e sotme në spital.

Bushati mbeti i plagosur në atentatin e ndodhur rreth orës 16.00 në qytetin e Shkodrës, ku më herët humbën jetën dy të tjerë dhe u plagos edhe një tjetër.

Në atentatin me breshëri kallashnikovi, mbeti i vrarë Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit dhe një grua e identifikuar si Flutura Basha, e cila po udhëtonte me biçikletë me të shoqin, i cili mbeti i plagosur rëndë.

Çifti i bashkëshortëve u mor përpara në makinën në të cilën ndodhej Lici dhe Arlind Bushati, djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati i Lulzim Bashës për Bashkinë e Shkodrës, i cili humbi jetën në spital. Rreth dy javë më parë Bushatit iu bë atentat me pistoletë në pedonalen e Shkodrës, por pistoleta e atentatorit nuk u shkrep.

Për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç,  policia tha se nga kontrolli i ushtruar në automjetin që udhëtonin shtetasit Hamza Lici dhe Arlind Bushati, u gjetën 3 armë zjarri pistoleta.

Ndërkohë shërbimet e policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve,  në fshatin Golem kanë konstatuar të djegur plotësisht një automjet tip “Range Rover” dhe dy armë zjarri automatike.

Ibrahim Lici është një person i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare i akuzuar për një sërë vrasjesh në Shkodër.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top