Deputeti demokrat Ervin Salianji i ka drejtuar një shkresë Gjykatës së Lartë me anë të së cilës kërkon pezullimin e dënimit me 1 vit burg.
Salianji nisi vuajtjen e dënimit në burgun e Fierit mbrëmjen e 27 shtatorit pasi Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin me 1 vit burg për veprën penale të “Kallëzimit të rremë” në lidhje me çështjen e njohur publikisht si dosja “Babale”.
Ervin Salianji u dënua më 18 dhjetor 2019 me 1 vit burg në shkallën e parë, pasi audio-përgjimi për dosjen “Babale” sipas gjykatës rezultoi se nuk ishte i vërtetë, por i stisur. Në kërkesë dënimi cilësohet i padrejtë dhe pa prova, ndërsa pretendon se duhet të pritej një herë zbardhja e vendimit apo rekursi në Gjykatën e Lartë, para ekzekutimit të vendimit.
Pjesë nga kërkesa
Duke ju referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, duket qartë që në rastin objekt gjykimi është përmbushur funksioni i parandalimit të përgjithshëm të veprave penale për shkak të vetë publicitetit që kjo çështje ka pasur.
Ndërkohë që në lidhje me funksionin e parandalimit të posaçëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me autorin e veprës, pasi duke zbatuar sanksionin penal synohet riedukimi i tij në mënyrë që, pas kryerjes së dënimit, të mos ndërmarrë në të ardhmen veprime kriminale, ajo që ne kërkojmë nëpërmjet kësaj kërkese është pezullimi i ekzekutimit, ose shtyrja e tij në kohë për tre muaj, referuar faktit që është dënuar me vendim të formës së prerë me burgim një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për një denoncim publik të kryer në maj të vitit 2018, denoncim ky që në kundërshtim me çdo normë të rendit juridik në fuqi në vendin tonë, është konsideruar si konsumim i veprës penale të “kallëzimit të rremë” të parashikuar nga neni 305 i K.Penal.
Po ashtu, është e qartë se ky vendim ka pasoja shumë të rënda për të dënuarin, pasi ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimit sjell mbarimin e mandatit të deputetit, në kuptim të nenit 71, pika 2, gërma “dh”, të Kushtetutës.
Nga ana tjetër, ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimi pengon kandidimin në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen në periudhën prill – maj 2025, ku zoti Salianji është caktuar drejtues politik i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, në kuptim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Gjithashtu vlen të theksohet fakti se ekzekutimi i këtij vendimi, është iniciuar pa u arsyetuar, por vetëm me dispozitiv (vendim i shkurtuar), format ky që nuk njihet nga K.Pr.Penale apo nga ligji nr. 79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, fakt ky që na pamundëson edhe depozitimin e rekursit pranë Gjykatës së Lartë.
Po ashtu, element tjetër i rëndësishëm që duhet te merret parasysh nga Gjykata e Lartë është fakti që vepra penale e supozuar e konsumuar nga ana e kërkuesit Ervin Salianji, ka ndodhur në maj të vitit 2018, pra më shumë se 6 vite më parë nga marrja e vendimit formë të prerë.
Kërkuesi nuk i është shmangur asnjëherë hetimeve apo gjykimit duke qenë pjesëmarrës në çdo seancë gjyqësore dhe nuk ka asnjë qëllim për mosekzekutimin e këtij vendimi pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar dhe humbjes së aktualitetit të këtij dënimi në lidhje me funksionin e parandalimit të posaçëm të dënimit penal.
0 Comments: