Komisioni i Posaçëm Anti-Korrupsion, vijon të hasë në kundërshtinë e shoqërisë civile.
Qëndresa Qytetare i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë, që ta shpërndajë këtë komision, pasi sipas një raporti të hartuar prej saj, rrezikon institucionet e pavarura të drejtësisë.
Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qëndresa Qytetare tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN Tv se ky komision është i njëanshëm dhe ky fakt e bën atë jofunksional.
Duke renditur disa arsye se pse ky komision duhet të shpërndahet Xhemollari tha se ky komision vepron me dy standarde duke shtuar se Kuvendi nuk ka tagër moral të vendosë objekt të këtij komisioni sundimin e ligjin në një kohë kur vetë nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Ky është një komision dhe rezolutë e ndërmarrë nga një parti politike. Nuk është i gjithë Kuvendi i përfshirë në këtë rezolutë, kjo sigurisht i jep njëanshmëri dhe e bën këtë komision jofunksional pasi nga 11 anëtarë, vetëm 6 ishin prezentë ditën e sotme ku u përcaktua se kush do të ftohej, kush do të përfshihej dhe cila do ishte agjenda.
Së dyti, po t’i hyjmë në thelb të këtij komisioni, në përmbajtje të objektit të tij, shohim që kemi dyfytyrësi të shfaqur nga Kuvendi për disa çështje. Jo më larg se 2 muaj, kjo mazhorancë së bashku me opozitën miratuan një ligj për amnistinë ku të dyja palët së bashku amnistuan 100 persona të dënuar për korrupsion nga GJKKO. Ata nuk e kanë vullnetin për ta luftuar korrupsionin se po ta kishin do të kishin miratuar ligjin për amnistinë.
Shohim urgjencë që ky komision të veprojë shpejt, edhe në muajin korrik dhe këtë urgjencë nuk e shohim tek zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që prej dy vjetësh GjK i ka vënë në dispozicion Kuvendit ndryshime thelbësore që lidhen me ligjin për tubimet, për votën e diasporës, për studentët e Mjekësisë.
Si do ta vendosë Kuvendi në krye të këtij komisioni objekt sundimin e ligjit kur nuk zbaton veten ligjin?
0 Comments: