Ishte viti 2019. Në Parlament mungonte opozita, pas vendimit drastik për të braktisur mandatet. Vendet filluan të ziheshin nga kandidatë që renditeshin të fundit në listat e partive politike opozitare. Një propozim i qeverisë shqiptare depozitohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe alarmon institucionet financiare ndërkombëtare, por nuk shqetëson askënd tjetër në Shqipëri me përjashtim të disa aktivistëve dhe ekspertëve të fushës.
Ligji për themelimin e një kompanie publike, atë të Korporatës së Investimeve Shqiptare kundërshtohet dhe publikisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Projekti synonte ngritjen e një strukture jashtë agjencive qeveritare e cila do të angazhohej në fushën e zhvillimit të projekteve në nivel qeveritar, të bashkive apo rajonal. Pika kryesore e ngritjes së kësaj strukture mbështetej te zhvillimi i pronave publike dhe përdorimi i tyre me efiçencë, me palët private ose me kapital shtetëror. Projekti fillestar i ligjit e lejonte Korporatën që të merrte angazhime financiare dhe huamarrje, si dhe e nxirrte jashtë procedurave të rregullave të prokurimit publik. Këto ishin dhe dy kundërshtitë kryesore të institucioneve financiare të huaja.
“I këshillojmë fuqimisht autoriteteve të rishikojnë propozimet e fundit për krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, për të shmangur risqet ndaj buxhetit dhe ndaj integritetit të kuadrit të administrimit të investimeve publike. Ky projektligj do t’i jepte mundësi qeverisë të udhëzonte vendime individuale për investime, të cilat mund ta shndërronin Korporatën në një instrument shpenzues të mbajtur jashtë buxhetit, çka rrezikon të ulë disiplinën fiskale dhe t’i anashkalojë proceset e administrimit të investimeve publike. Korporata duhet gjithashtu të jetë objekt i Ligjit “Për prokurimin publik”. deklaroi Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Por qeveria nuk hoqi dorëtërësisht nga ligji. Ministria e Financave bëri disa ndryshime për të gjetur dakordësi nga organizmat ndërkombëtare.
“Projektligji është aprovuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe është një proces i cili në trajektoren e tij të diskutimeve do të marrë parasysh edhe rekomandimet e FMN, BB dhe BERZH të cilat ne jemi duke i analizuar dhe duke gjetur një mënyrë sesi të marrim feedback por njëkohësisht të implementojmë aty ku është e nevojshme projektet e tyre”. deklaronte ministrja e Financave Anila Denaj.
Ndryshimet u bënë dhe ligji i ri i hoqi të drejtën Korporatës të angazhohej në huamarrje dhe të transferonte detyrimet në buxhetin e shtetit. Korporata e Investimeve do të duhet të zbatonte dhe ligjin e prokurimit publik.
“Financimi i Korporatës nga buxheti i shtetit do të jetë në përputhje me legjislacionin e ndihmës shtetërore. Detyrimet financiare të Korporatës nuk i transferohen buxhetit të shtetit. Përgjegjësia për shlyerjen e detyrimeve financiare është detyrim i Korporatës. Për kontratat publike, të cilat financohen nga buxheti i shtetit, zbatohen dispozitat e ligjit për prokurimin publik në fuqi.” ishte shtesa që u miratua në ligjin organik të Korporatës së Investimeve.
Por pikëpyetjet për funksionimin dhe qëllimin e kësaj kompanie të re shtetërore ishin të shumta.
“Presidenti i SHBA, për shpenzime për më shumë se 1 milion euro duhet të marrë miratimin e Kongresit, ai mund t’i shpallë luftë një vendi, por për shpenzimet duhet të pyesë Kongresin. Tek ne Korporata apo Tirana DC janë forma të shndërrimit në sifon të abuzimit të parasë publike për interesa të privatit.” sqaron Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike.
Mbrojtja parlament për këtë nisëm u bë nga socialistët, por debatet e opozitës të sapombërritur atë vit, më shumë se për të mbrojtur interesin publik, ranë pre e talljeve në rrjetet sociale, për shkak të nivelit jo profesional të deputetëve.
“Se ky ligj... ne miratuam ligje dhe prona publike i kaloi menjëherë kadastrës, se kërpërata ...” tha gjatë fjalës në parlament që askush nuk e kuptoi, deputetja që mbushi ulëset nga listat e mbetura në vendet e Partisë Demokratike Majlinda Halilaj.
Që nga ajo kohë kur u miratua dhe deri më sot, bilanci i punës së Korporatës së Investimeve në 4 vjet të themelimit të saj është zero!
“Ne e ndërtojmë korporatën për të na sjellë disa të ardhura në buxhetin e shtetit dhe për të shumëfishuar dhe për të prodhuar fitim. Sa më larg të jetë këtij qëllimi final kjo strukturë, për të prodhuar të adhura për buxhetin e shteiti, aq më e kushtueshme bëhet ajo.” thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko.
“Në 4 vjet ka zero aktivitet dhe pse janë shpenzuar mijëra euro të buxhetit, ndërkohë që mban të mbyllura fonde, ndërsa buxheti i shtetit ka nevojë për para dhe ka marrë borxh për të mbushur arkën, paratë qëndrojnë të mbyllura aty.” thotë Grigels Muçollari, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike.
Kompania publike ka përfituar disa transferta për rritjen e kapitalit nga buxheti i shtetit. Fillimisht vlera e kapitalit ishte 1.98 milion euro dhe në dhjetor të vitit 2021 u rrit në 21.98 milion euro. Në një tjetër transfertë të buxhetit të shtetit në dhjetor 2022, kapitali i Korporatës së Investimeve rritet në 43.18 milion euro, para të cilat janë mbajtur të mbyllura në llogari pa bërë asgjë. Ekspertët e shohin këtë kapital të injektuar si një humbje të vlerës së parasë publike, në një kohë që vetë buxheti i shtetit hyn në transaksione borxhi me interes për të siguruar fonde.
“Vetëm ka paguar paga dhe honorare për bordin dhe punonjësit pa patur as një bilanc të punës së tyre.” thotë deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku.
Që nga korriku i vitit 2020 kur u themelua dhe deri më sot, Korporata ka shpenzuar 800 mijë euro për fondin e pagave të punonjësve të saj dhe honorare e shpërblime për bordin drejtues. Në vitin 2021 janë shpenzuar gjithsje 195 mijë euro, ku 110 mijë euro kanë qënë shpërblime për antërat e bordit dhe drejtuesin ekzekutiv, në ato i vite i emëruar si administrator ishte Ermal Frashëri. Për paga të personelit janë dhënë 75 mijë euro dhe për udhëtime 16 mijë euro.
Në vitin 2022 janë paguar 338 mijë euro për pagat e stafit, 200 mijë euro për shërbime operative si qira dhe materiale pune, dhe 200 mijë euro shpërblime për Këshillin Mbikëqyrës, tashmë me 7 anëtarë nga 5 që kishte në të kaluarën. Mesatarisht një anëtar i bordit të Korporatës së Investimeve paguhet 28 mijë euro në vit. Korporata është një institucion që zotërohej nga Ministria e Financave, por me ristrukturimin e institucioneve në janar të këtij viti, pronësia e saj kaloi te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Që nga tetori i vitit 2023, Korporata e Investimeve drejtohet nga Elira Kokona dhe ka në Këshillin Drejtues Risena Xhajën si kryetare, Ermal Frashërin anëtar, Olta Manjanin, Enkelejda Muçaj, Edlira Luçin dhe Bernardus Swagerman dhe David William Kennedy.
Projekti i parë që po materializohet nga Korporata e Investimeve në katër vjet punë të saj, është Durana Tech Park. Thirrja është hapur më 29 maj të këtij viti dhe kërkon gjetjen e një partneri i cili në bashkëpunim me Korporatën e Investimeve do të bëjnë menaxhimin e parkut teknologjik që parashikohet të ndërtohet në 26 hekatorë truall në Xhafzotaj të Durrësit.
Procedura e zgjedhur është konkurrim përmes negocimit me dy faza, ku vetëm kompanitë që kalojnë fazën e parë kanë të drejtë të japin më pas ofertë specifike, dhe duhet të kenë partner një Universitet për kërkime shkencore dhe një kompani të listuar në bursë.
“Duke ofruar mbështetje strategjike për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, Durana Technopark synon të tërheqë investime të huaja dhe vendase, ndërkohë që lehtëson zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve me vlerë të shtuar të lartë. Duke u përqëndruar në zhvillimin e kërkimit, inovacionit dhe prodhimit në sektorin teknologjik, ky park teknologjik është projektuar për të krijuar një sërë ekspertësh të aftë, si dhe për të nxitur rritjen ekonomike.” thuhet në thirrjen e hapur të Korporatës së Investimeve.
Procedura të ngjashme janë bërë në të shkuarën nga institucionet publike, me burimet dhe ekspertizën e drejtorive të ministrive, siç ishte rasti i zonës së lirë ekonomike në Spitallë.
0 Comments: