Tre yje të lashtë të arratisur janë identifikuar në periferi të Rrugës së Qumështit: ata janë midis 12 dhe 13 miliardë vjeç dhe lëvizin me qindra kilometra në sekondë në drejtimin e gabuar, pasi orbitojnë ndryshe nga disku kryesor.
Këto anomali zbulojnë se secila prej tyre ka lindur në një galaktikë të vogël që më pas u gëlltit nga e jona, siç theksohet nga studimi i Institutit të Teknologjisë në Massachusetts të botuar në revistën “Monthly Notices of the Royal Astronomical Society”.
Sipas studiuesve, mund të ketë yje të tjerë të tillë, fosile kozmike në njëfarë kuptimi, që tregojnë sesi galaktika jonë u rrit duke “ngrënë” të tjera dhe duke adoptuar yjet e tyre.
Studiuesit e koordinuar nga Anna Frebel i zbuluan këto yje në aureolën e Rrugës së Qumështit, një re e përhapur e bërë nga yje, gaz dhe pluhur që mbështjell të gjithë galaktikën, duke analizuar të dhënat e mbledhura prej vitesh nga teleskopët Magellan në Observatorin Las Campanas në Kili.
Yjet e parë, në fakt, kanë përqendrime shumë më të ulëta të elementeve të tjerë përveç hidrogjenit dhe heliumit në krahasim me ato të mëvonshme.
Tre yjet janë të vendosur në pika të ndryshme të Rrugës së Qumështit në një distancë prej rreth 30 mijë vjet dritë nga Toka dhe kanë mbajtur trajektore të çuditshme pavarësisht se galaktikat e tyre u gëlltitën nga Rruga e Qumështit miliarda vjet më parë.
0 Comments: