Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi është arrestuar me urdhër të SPAK.
MCN Tv mëson se Ervis Berberi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Po ashtu bëhet me dije se në prangat e policisë ka rënë edhe biznesmeni Valter Begaj dhe Ervis Lamaj.
Në njoftimin e SPAK thuhet: Nga hetimi ka rezultuar se gjatë kohës kur shtetasi Ervin Berberi ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Agjencia për Efiçencën e Energjisë, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137,400,000 (njëqind e tridhjetë e shtatë milion e katërqind mijë) lekë pa Tvsh, me operator fitues shoqërinë e shtetasit V.B., “N…Group” sh.p.k.
Kurse gjatë kohës kur shtetasi Ervin Berberi, ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 101,811, 343 (njëqind e një milion e tetëqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e dyzet e tre) lekë, pa Tvsh, me fitues bashkimin e operatorëve me pjesëmarrëse shoqërinë e shtetasit V.B., “N…Group” sh.p.k.
Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se shoqëria “D….”sh.p.k., në zotërim indirekt të shtetasit Ervin Berberit, ka përfituar të ardhura nëpërmjet transaksioneve nga shoqëria e shtetasit Valter Begaj. “N….Group”sh.p.k., në vlerën 223,480,476 (dyqind e njëzet e tre milion e katërqind e tetëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë, me tvsh.
0 Comments: