MC Networking

Seferi: 1284 persona në kërkim ndërkombëtar. Çdo dosje në arkivën e Interpol, rifreskohet çdo pesë vite

Drejtori i Interpol Tirana, Pëllumb Seferi, thotë se referuar statistikave të Interpol për 2023, në fund të çdo viti sekretariati i përgjithshëm bën një bilanc dhe rezulton se në kërkim ndërkombëtar kemi 3194 shtetas shqiptarë, nga të cilët 1284 shpallur nga Interpol Tirana dhe 1910 janë të shpallur nga zyrat homologe.

Në një intervistë për emisionin FactCheck në MCN TV, Seferi deklaroi se çdo shtet anëtar i organizatës ndërkombëtare të policisë kriminale, zbaton ligjet e vendit të cilat përcaktojnë kur një person shpallet apo jo në kërkim ndërkombëtar dhe se çdo shtet ka një diferencë në lidhje me shpalljen ose jo në kërkim ndërkombëtar.

Ai bëri të ditur se Shqipëria është pjesë e organizatës ndërkombëtare të policisë kriminale që nga viti 1992 dhe si të tillë jemi anëtarë me të drejta të plota dhe shkëmbejmë informacion në këto momente me 196 vende të organizatës.

Shkëmbejmë informacion në kohë reale me vendet anëtare dhe njëkohësisht kemi në dispozicion data bazën e organizatës së policisë kriminale, kemi marrëveshje ekstradimi me 5 shtete, nga të cilat ne përveç këtyre 5 shteteve jemi duke punuar për marrëveshje të tjera në të ardhmen.

Sa i takon një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, ne jemi shumë aktiv në këtë drejtim se dhe vitin e kaluar kemi zhvilluar disa takime me sekretariatin e përgjithshëm të Interpol, takime në nivel ministror, kemi zhvilluar dhe takime në nivel teknik.

Nga këto takime kemi parë gatishmërinë që organizata ndërkombëtare e policisë kriminale do të na japë në këtë drejtim.

Njëkohësisht kemi bashkëpunuar me sekretariatin e përgjithshëm, kemi dërguar një listë personash që mendohet se jetojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga kjo listë që kemi dërguar, jemi duke arrestuar çdo javë dhe çdo muaj nga një person.

Vetëm për vitin 2024, kemi katër persona të arrestuar me qëllim ekstradimi. Detyra e Interpol dhe policisë është arrestimi me qëllim ekstradimi, për sa i përket ekstradimit është një çështje që i takon drejtësisë, vendos ose jo për ekstradim.

Lidhur me një rast të suksesshëm ku pas 27 vite arratisje, është identifikoni një shtetas në Korenë e Jugut, Seferi sqaroi se personi është arrestuar me qëllim ekstradimi, janë duke u ndjekur hapat nga ana jonë për ekstradimin e këtij personi.

Është e vërtetë që personi ka qenë në kërkim ndërkombëtar që në vitin 2000 nga ana jonë, por nga viti 2000-2023 kjo ka qenë dosje pa asnjë lloj informacion, si nga zyra jonë dhe nga zyrat homologe.

Në vitin 2023 sekretariati i përgjithshëm i Interpol organizoi një operacion në shkallë ndërkombëtare në lidhje me arrestimin e personit në kërkim ndërkombëtar dhe gjatë këtij operacioni ndërkombëtar ka rezultuar se personi në fjalë ka lëvizur nga SHBA, në Kanada dhe nga Kanadaja në Korenë e Jugut.

Menjëherë pas këtij operacioni se operacioni ndërkombëtar është zhvilluar në korrik 2023 dhe nga korriku deri në janar në momentin e arrestimit me qëllim ekstradimin kemi bashkëpunuar me zyrat homologe në SHBA, me Korenë e Jugut.

Njëkohësisht kemi zhvilluar disa hetime brenda vendit që na kanë lejuar të bëjmë identifikimin e plotë të personit deri në arrestimin e tij.  

Provat ishin të pakundërshtueshme dhe nuk linin hapësirë që personi të thotë jam apo nuk jam unë. Kemi s’kemi marrëveshje me Korenë e Jugut, personi do të ekstradohet.

Sa i takon personave më të kërkuar, kreu i Interpol Tirana deklaroi se në momentin që personat shpallen në kërkim ndërkombëtar 1284 persona në total, janë të gjithë persona të shumëkërkuar dhe ndiqen me të njëjtin intensitet deri në arrestimin e tyre me qëllim ekstradimi.

Personat më të kërkuar janë në nivel kombëtar që Policia e Shtetit i shpall në websajtin e Policisë së Shtetit. Interpol në momentin që i fut në kërkim ndërkombëtar, kërkohen me të njëjtin intensitet.

Çdo dosje që ndodhet në arkivën e Interpol, çdo emër, ka një rregull që çdo pesë vite edhe në rast se nuk kemi informacion, sekretariati i përgjithshëm kërkon informacion për rifreskimin e dosjes.

Ne kemi persona që jemi duke i ndjekur, por për arsye konfidencialiteti nuk po përmend emra.

Për ekstradimin e Gëzim Çela, i ndaluar në Ferizaj të Kosovës, Seferi tha se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në vitin 2014 për trafik të lëndëve narkotike.

Theksoj se në tetor të 2023 u bë urdhri i dytë i arrestit ndërkombëtar, ose riaktivizimui i urdhrit të dytë dhe kemi pasur informacion që personi lëvizte nga Shqipëria në Kosovë dhe falë bashkëpunimit me autoritetet kosovare u bë i mundur arrestimi i tij me qëllim ekstradimi, sepse personi ishte i pajisur me dokumente kosovare dhe lëvizte lirshëm në territorin e Kosovës.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top